Një person tjetër i dyshuar ndodhet në arrati, ndërsa Prokuroria dhe Policia po hetojnë edhe dyshimet për përfshirjen e një zyrtari policor në rastin e koduar “Kufiri 2”.
Rreth 136 kilogramë substancë narkotike e dyshuar si marihuanë janë sekuestruar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të daljes Doganaj-Kaçanik, në kuadër të një operacioni të koduar “Kufiri 2”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë ndaluar tre persona të dyshuar për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Ata dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkohë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhet në arrati. Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohet se kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës, drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të dyshuar.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.