A është i sigurt udhëtimi me autobusë?

Lajme

A është i sigurt udhëtimi me autobusë?

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 15:15
Pamje nga vendi i aksidentimit të autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku vdiqën 45 veta më 23 nëntor 2021.

Aksidenti tragjik që ndodhi të martën, më 23 nëntor, me një autobus të Maqedonisë së Veriut në një autostradë të Bullgarisë, ku për pasojë humbën jetën 45 pasagjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut, nuk është i pari i kësaj natyre për Maqedoninë e Veriut.

Një aksident me pasojë vdekjen e 15 personave është regjistruar më 13 shkurt të vitit 2019 në autostradën Shkup-Gostivar, afër fshatit Llaskarcë. Një vit para këtij aksidenti kishte ndodhur edhe një tjetër në Serbi, kur një autobus kishte dalë nga rruga, por përveç të lënduarve, njerëz të vdekur nuk pati.

Aksidentet e tilla kanë ngritur dilemën tek opinioni në Maqedoninë e Veriut nëse transporti me autobusë është i sigurt dhe sa po bëjnë institucionet për kontrollin e tyre teknik dhe sa prej tyre janë të pajisur me leje përkatëse për transport ndërkombëtar.

Agjencia turistike “Besa Trans”, që kishte në pronësi autobusin e aksidentuar në autostradën “Struma”, 38 kilometra nga Sofja në drejtim të Maqedonisë së Veriut, me datë 23 nëntor, kishte leje për transport për vetëm tre autobusë, por jo edhe për të katërtin që u përfshi në aksident.

Të enjten, më 25 nëntor, Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ia ka marrë licencën për transport të pasagjerëve agjencisë “Besa Trans”, pasi një autobus i saj shkaktoi aksidentin tragjik më 23 nëntor në Bullgari ku vdiqën së paku 45 persona, ndërsa shtatë të tjerë morën lëndime trupore.

Ministria e Transportit ka konstatuar se autobusi nuk posedonte lejen për transport ndërkombëtar.

“Bazuar në nenin 12 të Ligjit për transportin e udhëtarëve, sigurimit të të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj vepre tjetër nga ana e kompanisë, me pasoja për pasagjerët, kompanisë 'Besa Trans BTB' i merret licenca, përkatësisht i ndalohet veprimtaria e transportit të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

Nëse hetimi konstaton fajësinë për aksidentin e autobusit në Bullgari, përgjegjësi do të mbajë vetëm pronari i agjencisë “Besa Trans” dhe ndoshta persona të tjerë të përfshirë dhe jo kompania, sepse ligji nuk parashikon përgjegjësi penale për personat juridikë.

Neni 6 i Ligjit për transport rrugor në Maqedoninë e Veriut parasheh që me rastin e kryerjes së transportit të udhëtarëve dhe mallrave në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar, transportuesi është i obliguar që të ketë licencë dhe leje për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor.

Neni 11 i Ligjit thotë se transportuesi mund të fillojë transportin e udhëtarëve dhe mallrave në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar pas marrjes së licencës dhe certifikatës.

Autobusët në bazë të Ligjit për komunikacionin rrugor duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të detajuara, por nga Enti Republikan për Komunikacion Rrugor në Maqedoninë e Veriut, nuk japin detaje nëse autobusi i aksidentuar, apo edhe autobusët e tjerë u përmbahen kontrolleve që kërkohen me ligj./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat