Një burrë është dënuar me 1 vit burgim efektiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj, pasi u shpall fajtor për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri S.K. është dënuar për një rast të ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 20:00, në shtëpinë e tij, në një fshat të Komunës së Ferizajt.
Ngjarja kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes bashkëshortëve lidhur me angazhimin e djalit të tyre në punë te xhaxhai.
Sipas aktgjykimit, pasi ishte kthyer nga puna, i pandehuri fillimisht e kishte ofenduar bashkëshorten me fjalë të rënda, ndërsa më pas e kishte sulmuar fizikisht.
Sulmi kishte ndodhur pasi bashkëshortja i kishte thënë: “nuk duhet djali ynë me shku me punu te axha i tij”.
I pandehuri e kishte kapur dhe shtrënguar bashkëshorten në krahun e djathtë, si dhe e kishte goditur me shuplakë në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Lëndimet janë konfirmuar përmes ekspertizës mjekoligjore të datës 31 gusht 2026.
Gjykata Themelore në Ferizaj, me gjyqtaren Mimoza Maloku Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, e ka shpallur fajtor të pandehurin për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, duke i shqiptuar dënim me 1 vit burgim efektiv.
Përveç dënimit, gjykata ka vendosur që i dënuari të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.
Sipas gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të të pandehurit, karakteristikat personale dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa mund të paraqitet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.