​Vrasja e Sylë Dakajt në Suharekë, kërkohet paraburgim për Rrahman Hotin

Kronikë

​Vrasja e Sylë Dakajt në Suharekë, kërkohet paraburgim për Rrahman Hotin

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 16:59
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit kundër Rrahman Hotit për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Rrahman Hoti dyshohet se më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta Sylë Dakajn, dhe ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur.

I pandehuri ka shtënë disa herë me armën e zjarrit të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij.

Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë.

I pandehuri rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat