Shkëmbime tokash në Graçanicë, përkundër protestave

Lajme

Shkëmbime tokash në Graçanicë, përkundër protestave

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 16:21
Sipas një pasqyre në Geoportal - portal për informacione gjeografike i Agjencisë së Kadastrës së Kosovës - shihet se parcela e dhënë nga Komuna e Graçanicës, në fakt, gjendet në afërsi të Liqenit të Badovcit. Foto:Geoportal, Kosovska agencija za katastar. (©)

Për Stanisha Petroviqin nuk ka asnjë fjalë tjetër që mund ta përshkruajë vendimin për shkëmbim të një prone mes Komunës së Graçanicës dhe një biznesmeni, përveçse “i turpshëm”.

Për të ngritur zërin kundër këtij shkëmbimi, i cili, siç thotë, është vetëm një karakteristikë e korrupsionit që “mbretëron në këtë komunë” jo larg Prishtinës, Petroviq nënshkroi një peticion qytetarësh.

Ai është njëri nga dhjetëra nënshkruesit, me të cilët u takua para ndërtesës së Komunës së Graçanicës.

Image
Stanisha Petroviq

Cila është arsyeja e daljes së tyre në rrugë?

Biznesmeni Rexhë Shoshi do t’i ofrojë Komunës së Graçanicës një rrugë në pronësi të tij, në 18 ari tokë, që kalon nëpër një vendbanim në fshatin Çagllavicë.

Image
Rruga në pronësi të biznesmenit Rexhë Shoshi që kalon nëpër një vendbanim në fshatin Çagllavicë.

Në këmbim, ai do të fitojë një copë toke prej 17 hektarësh, e cila gjendet përgjatë bregut të Liqenit të Badovcit.

Ky vendim u miratua njëzëri më 28 shtator në seancën e Kuvendit Komunal të Graçanicës.

Toka që do të kalojë në pronësinë e Shoshit, është aktualisht në pronësi të komunës.

Ligji i Kosovës e lejon këtë lloj shkëmbimi, por, në këtë rast, është e paqartë se përse autoritetet lokale nuk i kanë shpjeguar arsyet përse toka, në të cilën rruga është në pronësi të një personi privat, është etiketuar si tokë “strategjike”.

Autoritetet lokale, ndërkohë, e kanë shënuar si “të papërdorshme” parcelën buzë liqenit, që do t’i jepet Shoshit. Pavarësisht kësaj, parcela gjendet në një zonë, ku ndërtimi është i ndaluar me vendim të komunës.

Kundërshtarët e vendimit të tillë besojnë se kompania e Shoshit, së shpejti, do të fillojë të ndërtojë diçka në atë vend.

Kush udhëheq Graçanicën?

Graçanica është një komunë me shumicë serbe, e cila ndodhet rreth shtatë kilometra larg Prishtinës.

Në krye të kësaj komune që nga viti 2013 është Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Branisllav Markoviq nënshkroi po ashtu peticionin, të cilit, gjatë muajit të ardhshëm, do të mund t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë që janë dakord me të.

Markoviq është një nga të paktët pjesëtarë të komunitetit serb që janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta dhe të shprehin publikisht pakënaqësinë e tyre me disa vendime të autoriteteve.

Image
Branisllav Markoviq: Ne po bëhemi një masë e hipnotizuar...

“Ne po bëhemi një masë e hipnotizuar, që i ndihmon disa njerëz të arrijnë përfitime personale. Në vend që këta njerëz të punojnë për popullin. Duket se ne të gjithë duhet të heshtim, në mënyrë që ata të gëzojnë”, thotë Markoviq për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë jep dhe çfarë merr komuna?

REL iu drejtua Komunës së Graçanicës me kërkesën për të shpjeguar se përse rruga në pronësi të Rexhë Shoshit ka “rëndësi publike”, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, më 29 shtator, pas lajmit se komuna po bën shkëmbim të pronës me një person privat, publikut iu drejtua vetë kryetarja Lilana Shubariq.

Ajo sqaroi se komuna ka fituar 18 ari tokë në kategorinë e infrastrukturës rrugore, “në të cilën ndodhet një rrugë e rëndësishme strategjike lokale, brenda një zone të banimit”, dhe se pronari i asaj rruge, si kompensim, do të marrë një pjesë të parcelës prej 17 hektarësh në “periferinë e Graçanicës, jo më shumë se 1/6 e parcelës së përmendur”.

Image
Në nënshkrimin e peticionit kundër këtij shkëmbimi më 3 tetor në Graçanicë, është vendosur një gur, si simbol se prona që jep komuna nuk është tokë gurore.

Sipas një pasqyre në Geoportal - portal për informacione gjeografike i Agjencisë së Kadastrës së Kosovës - shihet se parcela e dhënë nga Komuna e Graçanicës, në fakt, gjendet në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Shubariq e përshkroi këtë parcelë të komunës si “një tokë të papërdorshme gurore, pa rrymë, ujë apo ndonjë infrastrukturë mbështetëse” dhe tha se në të nuk mund të ndërtohet ndonjë vendbanim apo objekt tjetër.

Kush është Rexhë Shoshi?

Rexhë Shoshi, me të cilin Komuna e Graçanicës shkëmbeu parcela, sipas informacioneve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, është pronar i dy kompanive.

Në të njëjtën faqe thuhet se kompania AMF COMPANY është një kompani pasive, pra nuk operon, por se, për këtë arsye, TCT SH.P.K. është shumë aktive, përkatësisht merret me punë që variojnë nga transporti i produkteve të ndryshme deri te ndërtimi i objekteve të banimit, rrugëve, autostradave etj.

REL kontaktoi Shoshin për ta pyetur se çfarë planifikon të bëjë me pronën që do të marrë nga Komuna e Graçanicës dhe nëse është e vërtetë se kjo pronë është “e papërdorshme”, siç pretendon kryetarja e Komunës së Graçanicës.

Shoshi tha se po udhëtonte jashtë vendit dhe se do të përgjigjet sapo të dalë nga aeroporti. Megjithatë, deri në përfundimin e këtij artikulli, ai nuk u përgjigj.

Image
Nënshkrimi i peticionit kundër shkëmbimit të tokës nga Komuna e Graçanicës.

Shkëmbimet e mëparshme mes Shoshit dhe Komunës së Prishtinës

REL konstatoi se, vitin e kaluar, edhe Komuna e Prishtinës ka shkëmbyer prona me Shoshin. Autoritetet lokale kanë dhënë disa nga parcelat e tyre në vendbanimin “Prishtina e Re” dhe, në këmbim, kanë marrë parcela, në të cilat “është ndërtuar një rrugë që përdoret për interes publik”.

Në mars të këtij viti, ndërkaq, Shoshi ka kërkuar nga autoritetet lokale në Prishtinë leje për të filluar ndërtimin e një objekti banesor dhe komercial në parcelat që i ka marrë në këmbim.

Bashkë me kërkesën, ai ka dorëzuar edhe një projekt-propozim për ndërtim. REL nuk ka arritur të marrë vesh nëse autoritetet lokale në Prishtinë e kanë miratuar ose jo kërkesën e tillë.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për vetëqeverisjen lokale thotë se komuna, në emër të interesit publik, ka të drejtë të shkëmbejë pronë të paluajtshme me persona fizikë dhe juridikë, me institucionet qendrore dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Neni 24 i këtij ligji përcakton kushtet me të cilat mund të bëhet shkëmbimi ndërmjet një komune dhe një personi privat.

Sipas ligjit, pasuria e paluajtshme e komunës mund të shkëmbehet vetëm për sigurimin e pronës që është me interes publik, “në përputhje me kompetencat ligjore në nivel të vetëqeverisjes lokale”.

Ligji, ndër të tjera, thotë se për fillimin e procedurave për shkëmbimin e pronës komunale, kryetari është i obliguar që të paraqesë një raport zyrtar të vlerësimit, se nuk ka pronë tjetër komunale të përshtatshme për këtë qëllim.

Kush e nis dhe kush e përfundon procesin e shkëmbimit të pronave?

Vendimin përfundimtar për shkëmbimin e pronës, pas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e merr Autoriteti i Vlerësimit Financiar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ministria thotë se vlerësimi në rastin e shkëmbimit të parcelave në mes të Komunës së Prishtinës dhe personit privat, Rexhë Shoshi, ka përfunduar, përkatësisht komuna ka marrë pëlqimin për kryerjen e këtij shkëmbimi.

Ministria thotë se Komuna e Graçanicës nuk ka dërguar ndonjë kërkesë të ngjashme për vlerësim.

Iniciativa për shkëmbimin e pronës me Shoshin është ndërmarrë fillimisht më 15 qershor të vitit 2021 nga kryetari i atëhershëm i Graçanicës, Sërgjan Popoviq, pasi një vendim i tillë është miratuar në Kuvendin Komunal.

Arsyetim i Popoviqit ka qenë se shkëmbimi do të bëhet për “interesin publik”, pra “për lidhjen e 32 parcelave me një rrugë publike”.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burime të mirinformuara se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka refuzuar ta vlerësojë atë vendim si të ligjshëm, pasi Kuvendi Komunal ka qenë me mandat teknik, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.

Burimi i njëjtë shpjegon se autoritetet aktuale lokale në Graçanicë nuk kanë qenë të obliguara që sërish të iniciojnë shkëmbimin e tokës. Nga ministria kompetente nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Image
Ndërtesa e Komunës së Graçanicës.

Kush i publikoi i pari informacionet për shkëmbimin e pronave?

Ish-kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, ka qenë, në fakt, i pari që ka publikuar informacionin se Komuna e Graçanicës po bën shkëmbimin e pronës me një person privat, duke pretenduar se bëhet fjalë për “tradhti”.

“Sapo janë dhuruar 17 hektarë tokë komunale për 18 ari. Kjo është tradhti ndaj popullatës sonë që jeton këtu”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Më 3 tetor, edhe Stojanoviq mori pjesë në një protestë kundër këtij shkëmbimi dhe tha se do t’ia raportojë këtë çështje komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve në Beograd, sepse mendon se ka dyshime për korrupsion.

“Nuk ka asnjë interes publik që mund ta arsyetojë këtë vendim, përveç ndonjë interesi personal, korruptiv”, tha Stojanoviq.

Image
Ish-kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, gjatë protestës kundër shkëmbimit të pronave.

Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të dy iniciativave qytetare, të cilat veprojnë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: “Mbijetesa serbe” dhe Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun.

Më herët, përmes një deklarate të përbashkët, ato kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të vendimit të Kuvendit Komunal të Graçanicës për shkëmbimin e parcelave me një person privat.

Ato e kanë krahasuar këtë vendim të Komunës së Graçanicës me dhënien e lejeve të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, për të cilat dhjetëra zyrtarë nga niveli lokal dhe qendror janë në paraburgim, nën dyshimet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre për përfitime personale.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet se ka ushtruar presion mbi zyrtarët për dhënien e lejeve të ndërtimit në Sharr. Dyshohet se vetëm ai ka fituar mbi një milion euro përmes dhënies së lejeve të paligjshme për ndërtimin e vilave. Prokuroria në Ferizaj është duke bërë ende hetime për këtë rast./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat