Lidhja Shqiptare ka mbajtur mbrëmë Kuvendin Zgjedhor në Degën e Gazi Babës, ku u diskutuan zhvillimet aktuale politike, sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këtë komunë dhe angazhimi i mëtejmë politik i subjektit.
Kryetari i Degës së Gazi Babës, Adnan Alija, në fjalën e tij para bashkëpartiakëve tha se kjo komunë është njëra ndër zonat ku shqiptarët përballen me sfida serioze, por theksoi se rezistenca kombëtare është më e fuqishme se kurrë.
Ai falënderoi bashkëveprimtarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke i ftuar për angazhim edhe më të madh në periudhën në vijim. Sipas njoftimit, radhët e Lidhjes Shqiptare në këtë komunë janë shtuar vazhdimisht, duke e bërë subjektin më të fuqishëm në nivel lokal.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në fjalimin e tij u ndal te zhvillimet aktuale politike dhe, siç tha, goditjet e vazhdueshme që Qeveria po u bën të drejtave dhe pozitës juridiko-kushtetuese të shqiptarëve.
Sela theksoi se nuk mund të ketë shtet unitar pa dygjuhësi në të gjithë territorin e vendit.
Vëmendje të veçantë ai i kushtoi edhe problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Komunën e Gazi Babës, duke përmendur mohimin e së drejtës për arsim në gjuhën shqipe në Idrizovë.
Kreu i Lidhjes Shqiptare tha se ky subjekt kundërshton ashpër, siç e cilësoi ai, fenomenin e rrezikshëm të shitjes së interesave kombëtare dhe të drejtave të fëmijëve e brezave të ardhshëm për interesa personale dhe grupore të politikanëve dhe partive të tjera.
Në Kuvendin Zgjedhor me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore, të cilët shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen në këto vendbanime, ku sipas tyre, Lidhja Shqiptare ka korrur vazhdimisht fitore.