Zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se në vendkalimin kufitar Qafë Thanë është promovuar sistemi “One Stop” për kontroll të përbashkët kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Iseni ka bërë të ditur se promovimi u realizua në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka theksuar se pas zbatimit të këtij sistemi me Kosovën, tashmë edhe Shqipëria i bashkohet kësaj praktike të bashkëpunimit kufitar.
“Pesë vendkalime kufitare, një ndalesë, një kontroll! Eliminojmë procedurat e dyfishta, shkurtojmë pritjet dhe lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve”, ka shkruar Iseni.
Ai ka ndërlidhur këtë zhvillim edhe me festat e Nëntorit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe afrimit ndërmjet shqiptarëve.
“Gjuha na bashkon, veprat na afrojnë!”, ka përfunduar Iseni.