Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke vlerësuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe kontributin e rilindësve shqiptarë në unifikimin e alfabetit.
Në mesazhin e tij, Gashi theksoi se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një kthesë vendimtare për gjuhën, arsimin dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Ai vlerësoi se vendimi i rilindësve shqiptarë ishte më shumë se një arritje gjuhësore, pasi përfaqësonte një akt uniteti dhe përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm.
“Gjuha e mishëron identitetin e një populli. Për shqiptarët, mbetet gjithmonë nyjë unifikimi, bartëse e historisë dhe shprehje e pandashme e dinjitetit të popullit”, ka shkruar Gashi.
Duke folur për rëndësinë e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ai u shpreh se ajo përfaqëson edhe një urë komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëjetese ndërmjet qytetarëve.
Gashi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, theksoi gjithashtu përgjegjësinë për garantimin e barazisë, respektimin e identitetit gjuhësor e kulturor dhe përfaqësimin e drejtë.
“Këto janë vlera themelore për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, theksoi ai.
Në fund, Gashi uroi të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.