Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka uruar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqiptar, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm të historisë kombëtare, që simbolizon unitetin, identitetin dhe përkushtimin për ruajtjen e gjuhës shqipe.
Në mesazhin e tij, Thaçi theksoi rëndësinë e gjuhës si themel të identitetit kombëtar dhe vlerë që duhet të ruhet, kultivohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.
“Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, 22 Nëntori është një simbol i gjuhës, identitetit dhe krenarisë kombëtare, por edhe i përpjekjeve për afirmimin e tyre institucional”, thuhet në urimin e tij.
Thaçi rikujtoi gjithashtu se në vitin 2007, gjatë qeverisjes së PDSH-së, 22 Nëntori u bë festë zyrtare për shqiptarët në vend, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm në njohjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare.
Në fund, kreu i PDSH-së shprehu respekt për Kongresin e Manastirit dhe për të gjithë ata që kontribuuan në unifikimin e alfabetit shqip.
“Gëzuar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqiptar!”, përfundoi urimin Menduh Thaçi.