Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi ka uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke kujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908.
Përmes një postimi, Ademi ka theksuar se njësimi i alfabetit shënoi një kthesë të rëndësishme për identitetin, arsimin dhe kulturën shqiptare.
“22 Nëntori është ditë krenarie dhe kujtese kombëtare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 i dha gjuhës shqipe alfabetin e njësuar, duke shënuar një kthesë historike për identitetin, arsimin dhe kulturën tonë”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë thirrje për ruajtjen dhe afirmimin e gjuhës shqipe, duke nderuar rilindësit dhe të gjithë kontribuuesit në këtë ngjarje historike.
“Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta afirmojmë gjuhën shqipe si vlerë të shenjtë të identitetit tonë kombëtar”, ka theksuar Ademi.
Në fund, ai ka uruar të gjithë shqiptarët për këtë ditë: “Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”
Legjenda për foto: Arbër Ademi ka uruar 22 Nëntorin, duke kujtuar rëndësinë e Kongresit të Manastirit për gjuhën dhe identitetin shqiptar.