Komuna e Çairit ka reaguar ndaj mesazheve SMS të pakonfirmuara, përmes të cilave pretendohet se ndalohet sjellja e flamujve kombëtarë në shkolla.
Në reagimin e saj, Komuna ka dënuar përpjekjet për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit dhe nxënësit, duke i cilësuar këto mesazhe si manipulime nga qarqe të dyshimta.
“Dënojmë çdo përpjekje për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit dhe nxënësit përmes SMS-ve të pakonfirmuara, që pretendohet se ndalojnë sjelljen e flamujve kombëtarë në shkolla”, thuhet në reagim.
Komuna ka theksuar se këto përpjekje nuk do të arrijnë të prishin atmosferën festive dhe të krijojnë përçarje mes qytetarëve.
“Në Çair askush nuk mund ta cenojë flamurin kombëtar! Askush nuk duhet të guxojë t'i frikësojë fëmijët tanë për identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare”, thuhet më tej.
Në fund të reagimit, Komuna e Çairit ka ritheksuar rëndësinë e flamurit kombëtar, duke e cilësuar atë si simbol të krenarisë, identitetit dhe dinjitetit.
“Festat tona do t'i kremtojmë me krenari, pa frikë dhe pa manipulime!”, përfundon reagimi.