Çka kishte thënë z. Joe Biden para 18 viteve për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan...!

Opinione

Çka kishte thënë z. Joe Biden para 18 viteve për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan...!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 15:42
Kopertina e gazetës

Sot, duke e shfletuar arkivin tim hasa në numrin e gazetës "Bota Sot", të datës 17 shtator 2002, ku në faqen e parë të saj në anën e djathtë, shkruante me germa më të mëdha, shihe foton:

Deklarata e z. Joe Biden para 18 viteve për Kosovën dhe shqiptarët.

BAJDEN: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E PASHMANGSHME", ndërsa nën foto qëndron citati nga deklarata e tij në atë kohë lidhur me pavarësinë e Kosovës, po e citoj;

"Pas rezymesë së gjerë që u bëri lëvizjeve politike në rajonin e Ballkanit, demokrati Bajden, tha se, sikur deri më tash edhe më tej do të angazhohet MAKSIMALISHT për përshpejtimin e procesit të pavarësisë së Kosovës, demokratizimit të Shqipërisë, prezencës së gjatë ushtarake dhe diplomatike të SHBA-ve në Kosovë, realizimit te të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.."!

Shkaku që më shtyri ta sjellë për lexuesit Deklaratën e z. Biden të para 18 viteve, pra të mikut më të madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, ish senatorit amerikan i cili vetëm para pak ditësh u zgjodh president i 46-të i SHBA-ve, është fakti mjaft neveritës, se si është e mundur që gati gjysma e Lobit shqiptar në Amerikë ishte pro-fitores së kandidatit republikan, z. D. Trump, duke injoruar kandidatin demokrat, z. Joe Biden, biografia, veprimtaria dhe angazhimi i të cilit, qysh se kur në skenën ndërkombëtare doli çështja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës që kërkonin një zgjidhje të drejtë, menjëherë pas rrëzimit të Murit të Berlinit (1989) si dhe rënies së komunizmit, ishte pikërisht senatori Joe Biden, ai i cili kudo dhe kurdoherë hapur e shfaqi qëndrim e tij në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar në Ballkan, sidomos rreth çështjes së Kosovës dhe të drejtave të 2 milion shqiptarëve nën okupimin e regjimit kriminal të Millosheviçit, mbase siç ka deklaruar vetë z. Biden gjatë fushatës zgjedhore, ishte pikërisht ai i cili e kishte marrë vendimin për bombardimin e Serbisë fashiste, dhe kështu me radhë..!?

Është naive të besosh se udhëheqësit e Lobit shqiptar në SHBA, të mos i dinin këto qëndrime të tij pro-shqiptare, ose mos ta njihnin mirë figurën, aktivitetin dhe kontributin e z. Biden për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, e që krahasuar me presidentin ende në detyrë, D. Trump, i cili pothuajse gjatë mandatit të tij katërvjeçar nuk bëri asgjë për Kosovën, hiç këto farë marrëveshjet e fundit qesharake për hekurudha, vija ajrore, autostradën deri në Durrës, etj., të cilat i përdori për fushatën e tij zgjedhore, etj., pra, ta mbanin anën e këtij të fundit, duke harruar faktin historik, se po mos të ishin Klintonët, senatorët Dom Lantosh, Eliot Engel dhe Joe Biden dhe shumë të tjerë, Republikanët amerikan kurrë nuk do merrnin vendim për ta bombarduar Serbisë dhe as për ta çliruar Kosovës nga barbaria serbe, sepse tradicionalisht kanë raporte miqësore me Serbinë !

Qëndrimit pro-D. Trump në zgjedhjet e 4 Nëntorit në Amerikë, të një pjese të madhe të Lobit shqiptar, duhet bashkëngjitur edhe krerët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, sidomos miqtë e R. Grenellit, siç është port-parolli i qeverisë “Hoti”, z. Skënder Hyseni, i cili duke bërë pazare me armikun e “antiamerikanit A. Kurti”si dhe duke dalë në mbështetje të Republikanëve mu në prag të fillimit të fushatës zgjedhore në Amerikë, etj., do shkaktojnë rrëmujë politike në Kosovë, duke e rrëzuar qeverinë legjitime “Kurti”, e dalë nga vota e popullit me 6 tetor 2019, për ta sjellë në mënyrë klandestine LDK-në e tij/tyre në pushtet. Mirëpo, pas fitores së mikut të madh të kombit shqiptar, z. J. Biden për president të ri të SHBA-ve, e gjitha kjo sallamadi bashkë me dëmet që klani i Isa Mustafës ia solli Kosovës në këto 6 – 7 muajt e fundit, do rezulton qartë, se gjitha llogaritë dhe kalkulimet e tyre politike dolën t’i kenë bërë pa hanxhiun, siç e dëshmoi këtë edhe humbja e rëndë e LDK-së në zgjedhjet e të dielës në Podujevë..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat