Politikanët tanë autistë, nuk shohin rreth vetes se një epokë e re po lindë

Opinione

Politikanët tanë autistë, nuk shohin rreth vetes se një epokë e re po lindë

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 1 dhjetor 2020 Në ora: 17:30
Ilustrim

Do të duhej të ishte ndonjëri prej më të mirëve prej nesh, të përfaqësonte më të mirat tona - të jetë i ditur, i matur, elokuent. Meqë posti i kryetarit të shtetit është më shumë ceremonial, secili që e pretendon, qoftë burrë a grua, do të duhej të jetë njeri me kulturë të gjerë, të ketë stil në sjellje, në të folur, në gjithçka.

Ndonëse bota e sodit nuk mund të lëvdohet për shumë "burra shtetesh" (personalisht më së shumti e çmoj një "zonjë shteti"), megjithatë kryetari ynë, si i një shteti të ri, i cili e ka fituar me shumë sakrifica lirinë, në takim me homologët nga bota do të duhej të rrezatojë sinqeritet e dinjitet.

Le të themi edhe se do të duhej të jetë frymëzues e motivues tek flet para ushtarëve të rreshtuar të vendit, por edhe para fëmijëve që ushtrojnë flautin në një shkollë muzike. Në teatër apo në sallën e koncerteve do të duhej të shkojë si gjithë të tjerët, pa aureolin e ceremonitë e postit të lartë.

Dhe, më përmbajtësorja, meqë përfaqëson unitetin e popullit, e meqë uniteti nuk mund të jetë diçka abstrakte dhe nuk duhet të kuptohet se duhet të bëhemi bashkë rreth një personi, si në pushtetet totalitare e autoritare, atëherë duhet bashkuar rreth synimeve apo problemeve më parësore të këtij vendi. Kryetari do të duhej të ishte frymëzues e nismëtar për arritjen apo për zgjidhjen e tyre.

Meqë fjala "zhvillim" kaherë është hequr nga përdorimi në shoqërinë tonë dhe, në rrethanat aktuale edhe mund të duket ironike po ta përmendë kush, atëherë mbase prioritet i parë do të ishte luftimi i kriminalitetit, korrupsionit, klientelizimit e nepotizmit, si dhe vendosja e demokracisë dhe e rendit e ligjit. Lëre pastaj emërimet që duhet t'i bëjë me ndershmëri e mençuri.

Për cilin prej liderëve partiakë, të cilët po e pretendojnë këtë post, mund të thuhet se i ka këto tipare, shprehi, zotësi e virtyte?

Mos, ndoshta, Ramushi, i cili më me ngulm po e pretendon postin e të parit të vendit?

Le të merremi me ato, me çka po e lavdojnë këto ditë njerëzit përreth tij. Thonë se, më vënien e taksës doganore Serbisë, e ka ndaluar ndarjen e Kosovës. Mirë, ndoshta kjo edhe mund të jetë e vërtetë dhe në politikë, edhe në kohë paqeje, nevojitet guxim e vendosmëri për vendime të mëdha. Megjithatë, rastet që politika të bëhet kështu me një "të rame" janë shumë të rralla. Të shumën është fasule që hapet kokërr për kokërr. Paramendojeni se si mund të përmbushen, me "nji të rame" kriteret për anëtarësim në BE?! Por, të mos harrojmë edhe se në fund mbajtja e taksës kishte kuptim vetëm për aq prej saj i mvarej edhe ruajtja e pushtetit të tij. Sigurisht, i mbajmë mend edhe do veprime me "nji të rame", në kohën sa ishte kryeministër, në buxhetin e Kosovës!

T'i lëmë llafet. Ramushi e ka krijuar një parti për vete, për shokë e të afërm, e cila është rritur për aq sa është rritur aftësia klienteliste e saj. Këso raportesh, dominuese kryesisht edhe në partitë tjera, kanë bërë që në Kosovë të pozita të rëndësishme të mbajnë kuadra mesatare e të dëgjueshme. Si për shembull Pal Lekaj dikur i famshëm, apo tash zonja Melisa Haradinaj Stublla e shumë të tjerë nga parti tjera, deri në krijimin e një shteti privat, por të trajtuar edhe më zi se një pronë private.

Apo është "burrë shteti", siç e tha, kush tjetër pos i vëllai, apo mos janë burra shteti edhe pretendentët tjerë?!

E para që na kujtohet kur e përmendim këtë shprehje, është thënia e famshme e Winston Churchillit: "Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme". Çfarë burrë-zinjësh të shtetit, çfarë të menduarit për brezat e ardhshëm, deri sa sa për një çështje për të cilën do të duhej të merreshin vesh për njëzet minuta - si kjo e zgjedhjes së kryetarit të shtetit - ka ditë të tëra që bisedojnë, me shumë gjasa që të mos mund të merren vesh fare!

Më interesantja është se, liderët tanë, të zhytur në autizmin e tyre politik e të ngujuar në të kaluarën, po e vazhdojnë të vetmen lojë që e dinë - të pazareve politike, dhe nuk po kanë shqisë për ta ndjerë erën e ndryshimeve!

E ndjenë a s'e ndjenë, e deshën a s'e deshën - një epokë e re po lindë!

Ndryshimi i parë i madh është Gjykata speciale, i cila, në një rast të pashembullt në epokën moderne, që përgjasim mund t'i gjejmë vetëm në kohët e sulltanëve të tërbuar, i mblodhi e i vuri në bankën e të akuzuarve tërë "pashallarët" e vendit! Nuk është kjo gjë e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, do të ndjehemi të skuqur të gjithë me ato që do të dëgjohen atje dhe nga gojëkëqinjtë përreth, të cilëve do t'u hapet goja. Por, nuk mund të mos e shohim edhe anën tjetër të medaljes - se kanë shkuar ata më të "fortit", të cilët e mbanin të kapur këtë shtet! Do të përpiqen ta vazhdojnë këtë edhe gjithë ata që i lanë prapa vetes. Dhe po përpiqen, por, nuk do të mund ta bëjnë!

Sepse, e dyta, e ndoshta më kryesorja është se, në qoftë gjallë e shëndosh Joe Bideni, bashkë me Antony Blinkenin shpirtbardhë - nuk do të lenë më prijës bashibozukë në Ballkan! As në Kosovë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat