A duhet ta shpallë Shqipëria festë zyrtare ditën e pavarësisë së Kosovës?

Opinione

A duhet ta shpallë Shqipëria festë zyrtare ditën e pavarësisë së Kosovës?

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 18 shkurt 2021 Në ora: 13:54
Ngritja e flamurit, 17 Shkurt 2021

Shpëtim Idrizi i ka bërë një letër "urimi" kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me të cilën në mënyrën e një sarkazme i kërkon ta njohë 17 shkurtin si festë zyrtare për Shqipërinë. Theksoj se kjo letër ishte një sarkazmë e tij, sepse nga njëra anë, më të drejtë, e quan Edi Ramën si vëllain e Aleksandër Vuçiç dhe nga ana tjëtër vëllait të presidentit serb i kërkon respekt për Kosovën dhe datën historike të shpalljes së pavarësisë së saj. Natyrisht që kjo letër është një provokim i Idrizit ndaj Ramës! Por të njëjtën kërkesë ka bërë diplomati i shquar Shaban Murati, nisur natyrisht nga një ndjenjë sinqeriteti dhe jo populizmi.

Lidhur me këto kërkesa për shpalljen e ditës së pavarësisë së Kosovës si festë zyrtare të Shqipërisë do të doja të ndalesha në disa momente, për të provuar se një akt i tillë është ose jo në dobi të momentit. Sigurisht që të shpallësh si festë zyrtare 17 shkurtin nuk ka asnjë vështirësi. Nuk duhet referendum. Nuk duhen as parapërgatitje që kanë kosto. Mjafton një projekt - vendim, i cili mund të shndërrohet në vendim brenda pak minutash nga ana e Këshillit të Ministrave. Në rastin e qeverisjes së Edi Ramës është akoma më e thjeshtë. Nuk ka nevojë për vendim të Këshillit të Ministrave, mjafton një status me një fjali në Tëitër-in e kryeministrit tonë, përmes të cilit merren të gjitha vendimet për fatin e Shqipërisë!

Megjithatë do të ndalesha në dy aspekte të çeshtjes:

Së pari, Edi Rama nuk mund ta shpallë ditën e pavarësisë së Kosovës si festë zyrtare të Shqipërisë për disa arsye. Arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin se ai duhet të heqë dorë nga zhbërja e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, një projekt ky i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Të gjitha iniciativat serbe të përkrahura nga Edi Rama e madje me përpjekje për t'i imponuar te lidershipi i Kosovës janë në funksion të zhbërjes së shtetit dhe institucioneve të tij. Si projekti për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve dhe iniciativa për krijimin e asaj që quhet minishengen janë mjete për të penguar dhe shuar pavarësinë e Kosovës.

Në këto rrethana ai Tëiter-I i Edi Ramës për shpalljen e 17 shkurtit si festë zyrtare të Shqipërisë do të mungojë. Do të mungojë, sepse konsiderohet "njohje de facto e shtetësisë së Kosovës. Do të mungojë, sepse rrezikon marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me të cilin është identifikuar si një vëlla siamez i tij. Në këtë pikë nuk e luan topi atë që shkruan Shpëtim Idrizi. Çdo vendim i kryeministrit të Shqipërisë për Kosovën duhet të ketë kundërfirmën e presidentit të Serbisë. Pa miratimin e Beogradit nuk mund të vendoset asgjë në Tiranë sa i përket Kosovës. Këtë realitet nuk e ndryshojmë dot. E kemi parë këtë realitet në promovimin e librit "Kurbani" të zotit Rama në Beograd. E kemi parë në takimet e tij me presidetin Vuçiç në Nish e kudo gjetkë. Por edhe në samitet e minishengenit në Novi-Sad, Shkup dhe Tiranë.

Megjithatë, çfarë vendi do të zinte ky akt, pra njohja si festë zyrtare e 17 shkurtit nga ana e Shqipërisë, në historinë e Shqipërisë dhe a do të ishte në këtë moment i dobishëm për Kosovën?! Mendoj se nuk do të sillte dobi, përkundrazi do ta pështjellonte në opinioin ndërkombëtar edhe më shumë situatën për e rreth Kosovës. Ajo që duhet të bëjë Edi Rama dhe çdo kryeministër tjetër me e për Kosovën do të ishte respektimi i vullnetit të liderëve dhe institucioneve të saj, pa paternalizëm dhe pa imponime në funksion të realizimit të interesave të Serbisë në Kosovë. Kjo do të mjaftonte që pavarësia e shtetësia e Kosovës të jetësohej pa pengesa.

Së dyti: Sigurisht që shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja e dytë më e madhe në historinë e kombit shqiptar dhe data 17 shkurt do të duhej të ishte e dyta në radhën e festave tona kombëtare! Por nëse kjo ndodh sot, atëherë Serbia do të kishte një armë më shumë në akuzat që do t'i bëjë Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të asaj propagande që ajo ka bërë për "mundësinë e pritshme që shteti i Kosovës të mos ekzistojë". Në këtë rast kjo propagandë nuk merr kuptim për faktin e shpalljes si festë zyrtare të 17 shkurtit, sepse ky akt do të dëshmonte që Shqipëria respekton shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por në Beograd do të përdorej si "argument" për ngjizjen midis dy shteteve dhe do kërkohej që në Ballkan nuk mund të ketë dy shtete shqiptare.

Ka kohë që Serbia lufton për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mundësisht para se Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Me këtë akt ajo realizon ndarjen përfundimtare të Kosovës dhe synon të marrë jo vetëm veriun e saj. Kësisoj mendoj se një akt i tillë për njohjen si festë zyrtare të 17 shkurtit do t'i shërbente forcimit të pozitave serbe në raport me Kosovën në dialogin që zhvillohet midis të dy vendeve. Prandaj do të thoja se gjithçka duhet bërë në kohën e vet. Koha, pra rrethanat, përcaktojnë fatin pozitiv ose negativ të vendimeve të mëdha, po ashtu edhe të vendimeve të vogla. Emocionet, populizmat dhe dëshirat janë diçka tjetër dhe dobitë janë po ashtu tjetër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat