Lidhjen Demokratike e shkatërroi SHIK dhe njerëzit e saj në këtë parti nuk mund ta rikthejnë atë!

Opinione

Lidhjen Demokratike e shkatërroi SHIK dhe njerëzit e saj në këtë parti nuk mund ta rikthejnë atë!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 11 mars 2021 Në ora: 12:05
LDK

Të dielën Lidhja Demokratike e Kosovës do të zgjedhë kryesinë dhe kryetarin e ri të saj. Ne do të shohim nëse të zgjedhurit dhe kryetari do të jenë të rinj apo të vjetër. Por LDK ka nevojë emergjente për një lidership të ri. Është si nevoja e një të sëmuri me leukemi, të cilit i duhet ndërruar 100 për qind e gjakut që ka në trup. Ndryshe sëmundja nuk del, ajo rishfaqet. E njëjta gjë do të ndodhë me LDK-në, nëse nuk do të ketë një përmbysje në ide, emra, vizione dhe program.

Shoh që ka anëtarë dhe simpatizantë, të cilët gjithashtu e duan LDK-në, por që besojnë se "kishte një komplot" kundër partisë së tyre e madje edhe kundër Isa Mustafës. E për këtë arsye fajësojnë analistët, ironizojnë kundërshtarët brenda partisë dhe nuk e pranojnë ndryshimin e madh. Ka të tjerë që ndjehen të frikësuar nga një ndryshim radikal dhe pranojnë arnime në lidership, d.m.th predikojnë bashkekzistencën e fajtorëve me ata që nuk janë fajtorë për dështimet e mëdha të kësaj partie.

Por Lidhja Demokratike e ka nevojë të domosdoshme transformimin e saj. Asnjë lloj korrekture nuk i bën asaj dobi, nuk e kthen në frymën e Ibrahim Rugovës dhe nuk e bën atë më të besueshme për elektoratin. Nëse dikush më thotë se LDK mund të rikthehet p.sh me Lutfi Hazirin, atëherë duhet të besojmë edhe se "halla ka k..e"! Nëse besojmë se kjo parti politike e vlerave të mëdha për Kosovën mund të reformohet dhe mund të rikthehet me dikë që e projekton Isa Mustafa si kryetar të saj, atëherë është më mirë që të jetë vetë Isa kryetar i saj. Sepse kjo gjë së paku do ta përshpejtojë ose shpërbërjen e saj, ose vetëdijesimin për ta reformuar rrënjësisht atë. Pra nuk do të zgjasë aq shumë përpëlitja e kësaj partie në shtratin me tuba oksigjeni. Pra, agonia apo ringjallja e LDK-së nuk do të zgjasnin ma limit.

Përzgjedhja e fotografisë së Isës si kryetar, ose në kryesi, vetëm se e zgjat lëngimin në reaminicion të LDK-së. Duhet ta pranojmë se ajo po lëngon dhe është në reaminiacion. Kush beson të kundërtën, gabohet shumë dhe nuk i bën dobi as nder LDK-së! Nga më shumë se 50 deputetë në kohën e saj më të mirë pas luftës, ajo sot ka vetëm 15 deputetë. Më pak se një të tretën. Fillimisht u përgjysmua, krahasuar me kohën e artë të Ibrahim Rugovës. Tash me Isa Mustafën u bë çerek ose qyryk.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të reformohet dhe ringrihet nga politikanë të saj, të cilët nuk kanë vizion tjetër, veç mbijetesës duke flirtuar dhe bashkëpunuar me kundërshtarë politikë të lidhur me Beogradin. Ajo nuk mund të plotësojë nevojat politike të qytetarëve të Kosovës, nëse do të ketë në drejtimin e saj veglat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe eksponentëve të SHIK-ut të Kosovës! Është e pamundur të pajtohen dhe të rrinë bashkë edhe shikasit e LDK-së, edhe viktimat e tyre. Shikasit dhe bashkëpunëtorët e Hashimit kanë qenë, janë e do të mbeten gjithë jetën e tyre anti-rugovist dhe pro-projekteve serbe të Thaçit, Ramës e Baton Haxhiut për Kosovën.

Që LDK të reformohet plotësisht duhet fillimisht të zgjedhë një kryetar të ri, në kuptimin që t'i japë asaj një vizion tjetër, një program dhe alternativë tjetër, nga ajo që i dha Isa Mustafa. Në kuptimin që ta bashkojë atë dhe ta bëjë demokratike, siç ka emrin. Duhet një LDK, e cila votat për kryetarë të komunave nuk i merr me ndihmën e kundërshtarit politik, por me aftësitë dhe alternativën e vet politike. Duhet një lidership i ri, i cili nuk pyet Hashimin ose shokët e Hashimit kur bën listën e deputetëve ose kur merr vendime. Duhet një lider kundërshtar i deklaruar i vijës politike të kompromiseve anti-Kosovë të Isa Mustafës. A është ky Besian Mustafa apo Ludmir Abdixhiku, është ky Andon Çuni apo Prof. Fatmir Sejdiu, këtë mund ta vlerësojnë ata që votojnë kryetarin e ri. Por kurrë nuk mund të jetë ndonjëri prej atyre, i cili është përgjegjës për dështimin e Lidhjes Demokratike për shkak të mbështetjes që i ka dhënë Isa Mustafës.

Pasi të zgjidhet një kryetar i ri, me vizion, energji dhe ide të reja, atëherë duhet filluar analiza dhe nxjerrja e përgjegjësisë nga njësia bazë e LDK-së, deri te Këshilli i Përgjithshëm. Sipas përgjegjësisë duhen mbajtur qëndrimet politike ndaj tyre. Sigurisht pa linçime e përjashtime, por duke rifreskuar partinë nga seksioni e deri te Këshilli i Përgjithshëm dhe kryesia. Askush prej atyre që janë përgjegjës për këtë situatë të krijuar në LDK nuk mund të përfitoje benefite prej saj, së paku për një periudhë të caktuar, derisa ta riprovojë veten. Parimi se gjithkujt i duhet dhënë një shans i dytë është parim human. Por shansi jepet për ta rifituar besimin. Kjo duhet të ndodhë në LDK.

Ndërkohë gjithkush që ka paralajmëruar dhe kritikuar politikat intriguese, përçarëse dhe shkatërruese në këtë parti, i duhet dhënë përgjegjësi për reformimin e saj. Ndërsa kryetarit në ikje, Isa Mustafës, nuk i duhet lënë akses në asnjë formë, as në formën honorifike, të jetë prezent në vendimmarrje. Nuk duhet të lejohet asnjëherë të japë mendime rreth politikave të kësaj partie. Ai e dëshmoi veten si rrënimtari më i madh i partisë më të madhe dhe më me autoritet të Kosovës! Kaq mjafton për t'i thënë se deri këtu është mjaft për të!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat