Me Lutfi Hazirin në piedestal, Lidhja demokratike e Kosovës nuk do të fillojë ringritjen,përkundrazi mund të prek fundin e saj!

Opinione

Me Lutfi Hazirin në piedestal, Lidhja demokratike e Kosovës nuk do të fillojë ringritjen,përkundrazi mund të prek fundin e saj!

Nga: Dibran Demaku Më: 11 mars 2021 Në ora: 12:14
Lutfi Haziri

Për Lidhjen demokratike të Kosovës kanë të drejtë të brengosen të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës dhe jo vetëm. Si parti e parë autoktone shqiptare e lindur atëherë kur shqiptarët ishin në prag të shuarjes së tyre si komb dhe ta humbnin atdheun e tyre, ajo pra Lidhja demokratike e Kosovës ishte më shumë se parti, më shumë se ëndërr, më shumë se shpresë.

E formuar nga elita intelektuale e kohës, ajo do të mblidhte rreth vetës kokat më të zgjuara e kombit dhe si një grusht i vetëm do të kundërshtonte makinerinë shkatërruese serbe, e cila synonte të shkulte me rrënjë e gjethe një komb të tërë.

Me strategjinë e saj largpamëse Lidhja demokratike e Kosovës në fillimet e saj kishte si synim kryesor që të fitonte miq të shumtë të demokracive perëndimore dhe atyre të ua bënte me dije se në Ballkan dhe në të ashtuquajturën Jugosllavi ishte një copë tokë me emrin Kosovë dhe një gjysmë kombi shqiptar që rrezikonte të zhdukej nga faqja e dheut nga makineria e të të vetëquajturës Jugosllavi e dominuar nga serbët, armiq tradicional i shqiptarëve.
Meqë shqiptarët e Kosovës si shpëtim të vetëm në ato vite të vështira e shihnin Lidhjen demokratike të Kosovës, ajo pra Lidhja demokratike e Kosovës u shndërrua në një Lëvizje gjithëpopullore dhe Lideri i saj dr.Ibrahim Rugova u shndërrua në një prijës, me emrin e të cilit identifikoheshin të gjitha ëndrrat e shpresat e një gjysmë kombi të shtypur me shekuj.

Jo kot serbët nën aureolën e jugosllavizmit nëpër kancelaritë e vendeve të ndryshme ankoheshin se si dr.Ibrahim Rugova po ua shkatërronte imazhin e ngritur me vite.

Vite të tëra Lidhja demokratike e Kosovës ishte strumbullari i vetëm nga ku kërkohej liria për një gjysmë kombi me emrin shqiptarë dhe një copë toke me emrin Kosovë. Dhe kërkesa si e tillë u pranua në kancelaritë më të fuqishme të demokracive botërore.

Sikur mos të sigurohej një njohje e tillë nga kancelaritë e vendeve të fuqishme të demokracive botërore, vështirë se do të ishim këtu ku jemi. Andaj, unë personalisht mendoj se Lidhja demokratike e Kosovës dhe Lideri i saj dr.Ibrahim Rugova kanë siguruar një vend nderi në historinë e kombit shqiptarë në përgjithësi dhe jo vetëm.

Por jeta i ka ato ngritjet dhe uljet e veta. Kush është në fund një ditë do të ngritet në kulm dhe e kundërta.

Lidhja demokratike e Kosovës në historinë e saj tridhjetë vjeçare, si parti politike nuk ka qenë asnjëherë në pozicion më të ulët se në momentin e pikërishëm. A ka ndodhë kjo për fajin e vetë partisë dhe të udhëheqjes së saj apo për ndonjë arsye tjetër nuk është as koha dhe as vendi për debat. Lidhja demokratike e saj në momentin e pikërishëm është në kërkimin e një Lideri që do të ishte në gjendje të fillonte të ngriste emrin dhe namin e saj. Mbase nuk është momenti i duhur për përkrahjen apo mohimin e ndonjë kandidati të mundshëm si lider i partisë në fjalë, por si i tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë Lutfi Haziri. Nëse ndodhë që Lutfi Haziri të ngritet në piedestalin e partisë në fjalë, Lidhja demokratike e Kosovës nuk do të fillojë ringritjen, përkundrazi mund të prek fundin e saj!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat