Me Donika Gërvallën për herë të parë Shtetet shqiptare me një diplomaci të mirëfilltë kombëtare

Opinione

Me Donika Gërvallën për herë të parë Shtetet shqiptare me një diplomaci të mirëfilltë kombëtare

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 15 prill 2021 Në ora: 14:16
Skënder Sadri Kapiti

Këtë shkrim po e filloj me një përshëndetje dhe mirënjhohje votuesve në Kosovë që me 14 Shkurt 2021 bënë ndryshimin e madh kombëtar, ndëshkuan  krimin dhe korrupsionin e lartë shtetëror, ndëshkuan politikën e papërgjegjshme dhe të interesave personale mbi ato kombëtare dhe sollën në pushtet një elitë me të vërtetë kombëtare , me misionin dhe vizionin   “Kombi dhe Kosova mbi politikën dhe mbi interesat personale”. Kam rreth 4 vite që kam mbështetur fort me dhjetra shkrime e opinione  ardhjen në pushtet të VETEVENDOSJES , pra, të  Albin Kurtit dhe të  Vjosa Osmanit , të cilët që në vitin 2018 i pata parashikuar si Kryeministër KURTIN dhe si Presidente OSMANIN. Ndjehem shumë mirë që ky parashikim dhe dëshirë e imja  u realizua me 14 Shkurt 2021.

Por sot në këtë shkrim dua të përqëndrohem shkurtimisht  në faktin se Donika Gërvalla si Ministre e Jashtme e Kosovës, ajo është me meritë  Ministrja e Duhur në  Ministrinë e Duhur, në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.

Ndjehem shumë mirë për faktin se ajo e meriton këtë detyrë me përgjergjësi të lartë kombëtare, dhe se cdo shqiptar është edhe i bindur se Znj. Gërvalla është më se e duhura dhe më se e merituara në atë ministri, për faktet se ajo është bija e Heroit të Kombit  Jusuf Gërvallla , pra ajo së pari  ka një trashëgimi patriotike e kombëtare,  rritur dhe  edukuar me patriotizëm dhe kombëtarizëm të lartë, gjë e cila përben tiparin kryesor dhe më të duhurin që duhet të ketë një politikan e politikane.

Me këtë rast dua të përshendes Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin të cilët ia besuan diplomacinë shqiptare Znj. Gërvalla, pra diplomacia shqiptare për herë të parë si ajo në Shqipëri ashtu edhe ajo në Kosovë ka në krye të saj personalitetin e duhur patriot, të përgjegjshëm kombëtarisht dhe të aftë, te guximshme dhe të përgatitur intelektualisht e profesionalisht për t’u përballur dhe për të sfiduar diplomacitë serbo-ruse por edhe ato serbofile në Europë dhe botë.

Duke e njohur mirë diplomacinë e shtetit 100 vjecar në Shqipëri dhe atë të këtyre viteve në Kosovë, them se diplomacisë shqiptare  nuk i ka interesuar shumë politika dhe interesi kombëtar gjithëshqiptar por  më shumë interesi politik dhe ai ideologjik i pushtetit dhe i politikës personale, partiake dhe te regjimeve që kanë sunduar në Shqipëri si dhe as diplomacisë së këtyre viteve të shtetit të Kosovës..

Ministritë e Jashtme, ambasadat e konsullatat shqiptare kanë qenë mbushur  me individë që as kuptimin nuk ia dinë termit diplomaci; mbushur me individë  me lidhje politiko-klanore, familjare dhe më shumë Ministria e Jashtme dhe ambasadat e konsullatat kanë qenë dhe kanë shërbyer si streha militantësh e injorantësh, duke i  parë dhe shfrytëzuar ato  si mundësi e shanse biznesi e  punësimi, dhe që asnjëherë nuk e kanë kryer si duhet misionin diplomatik, atë të përfaqësimit dhe të promovimit të interesave kombëtare të shteteve shqiptare.      

Pra diplomacia e Shqipërisë por edhe ajo e Kosovës ka qenë reflektim dhe pasqyrim i vetë politikës së qeverive dhe të interesave qeveritare e të pushtetit se sa të interesave të shtetit e të kombit. Dhe jam i sigurtë se Znj. Gërvalla do të bëjë VETING-un në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme , në ambasadat dhe në konsullatat e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat