Debati i gabueshëm mbi gjenocidin serb në Kosovë

Opinione

Debati i gabueshëm mbi gjenocidin serb në Kosovë

Nga: Emin Azemi Më: 14 maj 2021 Në ora: 13:56
Emin Azemi

Kur turli hajgarexhie merret me gazetari dhe me, demek, analiza, ka shkuar në theqafje ajo shoqëri…..

Në Kosovë aktualisht po zhvillohet një debat shumë i gabueshëm dhe i dëmshëm mbi gjenocidin serb në Kosovë.

20 vjet institucionet e Kosovës kanë qenë të përgjumura dhe këtë përgjumje tani po mundohet ta justifikojë një debat sherp dhe tepër i dëmshëm mbi gjenocidin serb në Kosovë, i kryer gjatë viteve 1998/99.

Në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë padi mund të ngrenë jo vetëm shtetet, por edhe individët, shoqatat dhe institucionet e ndryshme që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Nga Kosova, bie fjala, askush nuk e ka penguar KMLDNJ (Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) të ngrejë jo një, por disa padi, në emër të të dëmtuarve, kundër Serbisë, apo kundër oficerëve dhe keqbërësve të caktuar serbë, për veprimet gjenocidale të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.

Padi ka mundur të ngrejë edhe një grup avokatësh, apo ndoshta disa prej tyre ende janë duke i numruar lekët që kanë marrë duke e mbrojtur prono-mafinë.

Padi ka mundur të ngrejë një grup grashë të mbetura pa burra dhe pa fëmijë, si pasojë e krimeve e masakrave të kryera nga pushtuesit serbë në Kosovë.

Pra, jo vetëm shteti, por padi ka mundur të ngrejë edhe cilido qytetar i Kosovës, i cili në bazë të dëshmive dhe provave materiale do të përpilonte një dosje të madhe mbi krimet e kryera serbe në Kosovë.

Krejt këto, madje, kanë mundur të bëhen pa e përmendur askund fjalën gjenocid, (sepse ky nocion qenka problematik sipas debatit shterp në Kosovë), por duke shtuar terme, të cilat jo vetëm që janë ekuivalentë të fjalës gjenocid, por ato si të tilla janë të mjaftueshme për të inicuar procedura penale kundër harambashëve serbë, paçka se Enver Hoxhaj u mundua të përdorë një eufemizëm duke e zëvendësuar gjenocidin serb me gjenocidin në tentativë.

Në vend se debati të orientohej mbi këto pika që mund të formojnë një plan konkret veprimi, nëpër studiot tona të pastudiume televizive fliten marri e broçkulla që më tepër i shkojnë për shtati Serbisë se sa që qartësohet ndonjë gjë e hajrit.

Nëpër studiot e pastudiume më tepër flitet se si Kosova nuk paska të drejtë ta padisë Serbinë për gjenocid, se sa që flitet për një frymë dhe një aksion të gjerë shoqëror i cili do të mobilizonte shumë faktorë që jodomosdoshmërisht duhet të jenë institucione shtetërore, me ç’rast do të procesoheshin rast për rast, masakër për masakër, dhunim për dhunimi, dhe për rrjedhojë drejtësia ngadalë por sigurt do të kapte për fyti të gjithë autorët e krimeve e masakrave të kryera në Kosovë.

Të bësh gjumë ariu të plagosur 20 vjet dhe të zgjohesh vetëm atëherë kur Albin Kurti i bie ndonjë kambanë alarmi, nuk është vetëm hipokrizi, por edhe djallëzi e llojit të vet, që edhe më shumë rëndon gjendjen e atyre që kërkojnë drejtësi.

Ja pse bëhet kjo?

Që nesër mos të thuhet se Kurti e bëri këtë e atë, por të thuhet , jo – Kurti nuk mundi të bëjë asgjë!

Shikojeni sa thellë, fatekqësisht, ka hy dreqi dhe të bijtë e dreqit në mendjet dhe shpirtrat tanë?!

Mësohuni o njerëz ta ndani shapin nga sheqeri.

Mësohuni të bëheni bashkë, për interesa të përbashkëta, edhe atëherë kur nuk duheni, edhe atëherë kur vishni fanella të ndryshme partiake e ideologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat