Xhavit Haliti, bosi i sherreve konspirative në Kosovë, po flet kulufe kundër kryeministrit Albin Kurti dhe LVV-së!?

Opinione

Xhavit Haliti, bosi i sherreve konspirative në Kosovë, po flet kulufe kundër kryeministrit Albin Kurti dhe LVV-së!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 21 qershor 2021 Në ora: 11:49
Xhavit Haliti

Thënë të vërtetën, Xhavit Haliti, dhe disa oligarkë të opozitës e kanë lodhë popullin me kulufe koti, me vlerësime hileqare, konspirative, manipuluese, përçarëse si dhe nxitëse të konflikteve dhe polemikave të dëmshme brenda popullit shqiptar në Kosovë. Popull, të njeh mirë, o Xhavit, qysh nga koha kur bëje voe në kafen e çetnikëve serbo-malazez, Peres, e njohur si kafe “Moraça” në Vitomiricë (1980-1999), bile aty të kanë pas therë me thikë Sahit Barani e Metë Vranovci, të cilëve në kohën e demonstratave të 81-shës ua ke falë “gjakun” para njerëzve të sigurimit, dhe nga ku muzika serbo-çetnike gjithë natën nuk na linte me bërë gjumë të qetë në fushën e Pejës..!?

Unë nuk do merrem shumë me ty, sepse historia e popullit shqiptar në Kosovë, dhe jo vetëm, ka me të/ju vlerësuar më së miri, ty dhe secilin prej nesh, por mbase duket se populli veç ta ka dhënë notën për të “mirat” që ia ka sjellë në kohën e ish Jugosllavisë dhe Serbisë fashiste në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me theks të veçantë e dinë rolin tënd mjaft të diskutueshëm dhe të dyshimtë, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare..!?

Mirëpo, ata të cilët e kanë përcjellë orientimin dhe aktivitetin tënd politik karshi kauzës sonë kombëtare, në veçanti ndaj çështjes së Kosovës nën regjimin 54 vjeçar serbo-sllavo-komunist (1945-1999), ende i mbajnë mend miqësitë tua të forta me “vëllezërit” serbë dhe malazezë në Pejë, Istog e Deçan. Mbase moshatarët tu nuk kanë harruar se ke qenë mjaft i afërt me regjimin komunist jugosllav, ndonëse nuk dihet nga frika apo nga interesi yt personal, meqë dihet se nuk ke bërë ndonjë veprim të dobishëm, i cili asokohe mund të konsiderohej i mirë për popullin shqiptar dhe Kosovën!

As demonstratat e vitit 1968, kur populli u ngritë në këmbë për Flamur kundër diskriminimit të regjimit kriminal të xhelatit të Ballkanit, Aleksandar Rankoviçit, i cili gati sa nuk e pati zhbërë Kosovën nga harta gjeografike, e njohur si periudha më famëkeqe për shqiptarët dhe Kosovën, 1956-66, nuk mbahet mend t’i kesh përkrahur, qoftë edhe më vonë. Ndërsa, sa i përket demonstratave studentore të vitit 1981, jo që nuk i ke përkrahur, por siç më ka rrëfyer personalisht djali i dajës tim, Ibrahim Sylë Nikçi (i burgosur politik mbi 8 vite) dhe i vrarë mizorisht në muajin gusht 1999 në Shqipëri, duke ardhur në Kosovën e çliruar pas 10 viteve, siç e dinë ti fort mirë, për të cilën kishte dhënë çdo gjë nga vetja e tij për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, sepse ke qenë shumë i afërt me Ibrahimin derisa ke qëndruar në Zvicër, mbase një kohë edhe ke banuar tek ai në Zyrih. Pra, kur të ka parë në mes të turmës së demonstruesve tek domi i studentëve, ai të ka përzënë me grushta kresë nga aty, i sigurt se aty ishe i dërguar nga UDB-ja serbe!

Ibrahimi nuk është më fizikisht në mesin tonë, por atë vit kur ai u vra bashkë me të vëllain Rexhepin, gjeodet, i cili i kishte krye studimet në Zagreb me notën 10, shumica e njerëzve në Pejë dhe rrethinë flisnin se porositësi i kësaj vrasjeje makabër mund të ishte dikush nga shokët e tij..!?

Xhavit, derisa ke ikur në Zvicër në fillim të vitit 1990, me sa dihet, kurrë deri atëherë nuk ke qenë anëtar i ndonjë partie ose organizate ilegale politike në Kosovë, por vetëm pasi që ke shkuar në Zvicër iu ke bashkuar LPK-së, kur edhe fillon “karriera” jote politike, gjegjësisht veprimtaria jote krejtësisht e ekstremit të majtë politik, për të cilën ideologji ti asnjëherë nuk ke folur hapur para opinionit shqiptar për programin e saj.

Sido që të jetë, e vërteta e kauzës sonë kombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për bartësit real të saj, qofshin ata heronj apo tradhtarë, nuk mundet askush ta ndryshojë atë histori, sado që ju disa “filozofë” të PDK-së pasi që populli iu ka dërguar në opozitë pas 20 viteve sundim të Kosovës me 14 shkurt 2021, kuptohet pse ju muajve të fundit, pranë gjitha gabimeve dhe dëmeve që ia keni sjellë Kosovës gjatë qeverisjes tuaj për gati dy dekada, siç ishte procesi i privatizimit, formimi i “Zajednicës” serbe, falja Malit të Zi mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës, formimi i Gjykatës speciale për UÇK-në etj.,  po i vazhdoni përpjekjet që ta mbani të monopolizuar shtetin e Kosovës me qëllim për ta kamufluar veprimtarinë tuaj të dëmshme për Kosovën!

Prandaj, me sulmet dhe akuzat që jeni duke ia bërë çdo ditë kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij nga inatet dhe xhelozitë tuaja kronike, ende pa i mbushë mirë 100 ditë të qeverisjes, me shpifje sikur kjo deklarata jote, kur thua, “Se e paske zbuluar planin e fshehtë të Kurtit: se ai e paska marrë rolin e zyrtarizmit të tradhtarëve të Kosovës..” etj., që është ky  një paragjykim i juaj puro konspirativ, por edhe shumë i ultë, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

Kryeministri Albin Kurti, si politikani më i votuar në historinë e re të Kosovës (14 shkurt 2021) i cili aktualisht udhëheq me vendin, pa asnjë faj dhe përgjegjësi politike, meqë para 3 muajve ka ardhë në pushtet, mjerisht po ballafaqohet me akuzat tuaja agresive, të cilat vetëm sa do e forcojnë edhe më shumë qeverisjen e tij në rrugën drejt realizimit të synimeve kombëtare të popullit martir shqiptar në Kosovë dhe më gjerë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat