Gazeta “Bota Sot” në gjirin dhe faqet e saj ruan pjesën më të dhimbshme dhe më krenare të popullit shqiptar në Kosovë

Opinione

Gazeta “Bota Sot” në gjirin dhe faqet e saj ruan pjesën më të dhimbshme dhe më krenare të popullit shqiptar në Kosovë

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 26 qershor 2021 Në ora: 20:25
Rexhep Elezaj bashkë me botuesin e gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, Zürich, 1997.

Daljen dhe botimin e parë të gazetës ditore, “Bota Sot” me 26 qershor të vitit 1995 në Zürich të Zvicrës, e kam përjetuar si një lindje dielli në një mëngjes të zymtë të jetës së mërgimtarit, të cilit përveç atdheut, i mungonte mendimi dhe fjala e lirë, i mungonte lidhja e drejtpërdrejt dhe shpirtërore me popullin e tij të robëruar nga regjimi kriminal i Serbisë fashiste, e cila nga viti 1989 deri me 10 qershor 1999 Kosovën e kishte shndërruar në geto, ku e pa penguar kryente krime dhe masakra monstruoze mbi popullin e pambrojtur shqiptar..!?

Edhe pse në kushte të vështira dhe rrethana specifike në një shtet të huaj, ideatorët dhe themeluesit e të përditshmes, “Bota Sot”, z. Xhevdet Mazrekaj me ca miq të tij, ia dolën ta nxjerrin këtë gazetë ditore e cila mërgatës tonë i mungonte si buka, dalja e saj ishte një gëzim për mërgimtarët tanë kudo, të cilët më nuk do mbeteshin të painformuar mbi fatin e familjeve të tyre si dhe për ngjarjet tragjike që çdo ditë ndodhnin në Kosovën e robëruar!

Me botimin dhe shpërndarjen e gazetës “Bota Sot” në krejt Evropën si dhe vendet tej-oqeanike, SHBA, Kanadë, Australi etj., përveç se mërgimtarëve tanë vendlindjen ua solli më afër, ajo në fakt shumë shpejt u bë zëri i tyre më i fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në botë, siç ishte bërë edhe motivuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës pranë qarqeve politike dhe diplomatike në botë.

Gazeta “Bota Sot”, shumë shpejt tuboi rreth vetes elitën më të shquar të intelektualëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj., si dhe pjesën më patriotike të intelektualëve nga radhët e Mërgatës shqiptare, duke u bërë Tribunë e rrahjes dhe e shqyrtimit të pikëpamjeve, se si dhe me çfarë mjeteve duhej çliruar Kosova nga pushtuesit hegjemonë serbë. Por, edhe opinioni ndërkombëtar dinte shumë pak për Apart-hejdin e ri që po ndodhte në jug të Evropës për të cilin shumë pak mjete të informimit në Perëndim shkruanin për masakrat e tmerrshme që po ndodhnin ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë!

Pra, me daljen dhe botimin e të përditshmes “Bota Sot” në kryeqytetin e shtetit më të lirë dhe më demokratik në zëmër të Evropës, siç ishte Zürichu i Zvicrës, ishte akti më i duhur për thyerjen e bllokadës dhe territ informativ të cilin mbi Kosovën e okupuar e kishte instaluar regjimi kriminal i Serbisë, i udhëhequr nga kasapi i Ballkanit, S. Millosheviçi..!?

Gazeta “Bota Sot” bënte informimin më të shpejt dhe më të drejt në radhët e mërgatës tonë zulmëmadhe, duke i publikuar të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet e mërgimtarëve, siç ishin takimet, tubimet, protestat, punën e shoqatave dhe klubeve si dhe programet e subjekteve politike, siç ishin asokohe degët e LDK-së në Evropë dhe botë me liderin i saj në krye, Dr. Ibrahim Rugovën, ku tjetër përveç se në “Bota Sot”, të cilat lexoheshin anë kënd botës në faqet e saj plotë me shkrime, analiza dhe informata, ku pa asnjë dilemë, ishte bërë Informatori numër Një në raportet Mërgatë-Kosovë dhe anasjelltas.

Pra, roli i saj ishte bërë gati sa historik, në veçanti në nxitjen e mobilizimit të mërgatës shqiptare për t’i dalë në mbrojtje atdheut, mërgatë e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Gazeta “Bota Sot”, po ashtu i ka qëndruar shumë afër dhe besnike idealeve dhe filozofisë politike dhe kombëtare të figurës dhe liderit historik të Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova.

Se, e përditshmja “Bota Sot” ishte dhe mbështeste fuqishëm orientimin e të djathtës nacional-shqiptare përmes politikës së pavarur redaksionale me premisa kombëtare, këtë eveniment më së miri e ka dëshmuar moslejimi i botimit dhe shpërndarjes së saj në Kosovë gjatë viteve 1995-99, pengesë të cilën e kishte bërë regjimi kriminal serb i instaluar me dhunë në Kosovë.

Unë si njëri ndër bashkëpunëtorët e saj të rregullt qysh nga dita e parë e daljes së saj në Zvicër, asnjëherë nuk kam hezituar ta blej, lexoj si dhe ta mbështes me shkrime, kolumne, reportazhe si dhe njoftime nga qindra tubime, protesta, takime, akademi kulturore, për shkollën shqipe dhe aktivitete të shumta sportive të mërgatës tonë në Gjermani, të cilat janë organizuar dhe mbajtur në gati tri dekadat e fundit, madje pranë shumë kërcënimeve që më janë bërë nga elementë antikombëtar dhe ogurzi të cilët gazetën më të madhe ditore në trojet shqiptare dhe diasporë, ende vazhdojnë ta shajnë, fyejnë dhe etiketojnë me epitetet më të ulëta njerëzore dhe morale.

Por, rrugëtimin e saj të suksesshëm në skenën mediale të Kosovës e më gjerë, nuk mund ta ndalë më askush, ndaj lexues të nderuar, urime përvjetori i saj i 26-të i saj..!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat