Kolë Berisha, veprimtar dhe kontribues i çmuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë

Opinione

Kolë Berisha, veprimtar dhe kontribues i çmuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 2 shtator 2021 Në ora: 10:12
Kolë Berisha

Me dhembje dhe pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të politikanit të mençur dhe të matur dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berishës. Vdekja e kësaj figure të shquar politike dhe aktivisti të palodhur në shërbim të çështjes kombëtare është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt e nderim. Ky personalitet i dalluar i historisë më të re të Kosovës ishte krahu i djathtë, mik dhe bashkëpunëtor i afërt nga më besnikët të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe këshilltar i tij. Gjatë karrierës së tij të suksesshme politike më se 3o vjeçare dha kontribut maksimal në të gjitha fazat e përpjekjeve të paepura të popullit të Kosovës për liri dhe çlirim nga regjimi serbo-jugosllav dhe për krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në ngritjen e institucioneve të saj. Këtë politikan model, këtë burrë të ditur e paqedashës dhe këtë atdhetar të devotshëm nuk e ndalën as burgjet dhe torturat e regjimit serb , por në çdo moment të jetës së tij u angazhua dhe punoi me përkushtim për Kosovën. Si rrallë ndonjë personalitet tjetër tregoi rezistencë të fortë me përballjen kundrejt pushtuesve nga Serbia e Sllobodan Milosheviqit për rreth 10 vite ( 1900-1999) , dekadë kjo e cila vlerësohet ndër dekadat vendimtare për Kosovën, e cila përshpejtoi rrethanat politike, historike dhe kombëtare. Kishte një besim të palëkundur në të ardhmen e Kosovës. Besonte se një ditë do të vinte që Kosova do të ishte shtet më vete. Madje shkonte edhe më tej. Besonte tek kauza e Rugovës si të vetmen mundësi për të arritur qëllimet e tyre. Fliste me maturi por ishte emocional dhe nuk “lëshonte kurrë pe” në aspiratën e vet të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Natyrisht ai nuk u bë asnjëherë një triumfues i veprimeve të tij. Nuk u mburr asnjëherë. Përkundrazi ai vazhdoi të punonte me zell, energji e dashuri për Kosovën.

Kolë Berisha u lind më 26 tetor 1947 në fshatin Dobërdol të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmirë. Pas kryerjes së shkollës normale në Gjakovë, dy vjet punoi mësues në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës, kurse nga tetë marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Ka të kryer edhe Fakultetin Juridik në Prishtinë. Më 28 mars të vitit 1989, arrestohet dhe dërgohet në burgjet serbe në Leskovc, Beograd dhe në Pejë. Pas tre muajve lirohet, por përjashtohet nga puna. Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berisha u anëtarësua dhe për dy mandate me radhë ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komisionit për Pajtimin e Familjeve të Hasmëruara. Më pas ishte edhe nënkryetar në LDK, derisa dha dorëheqje në vitin 2010, për siç kishte thënë, për shkaqe personale dhe për t’u hapur rrugë forcave të reja. Pas luftës shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga PSSP Søren Jessen-Petersen. Ishte anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Po ashtu ishte deputet i disa legjislaturave të Kuvendit të Kosovës.

përveç veprimtarisë politike ka lënë gjurmë edhe në fushën e arsimit dhe të letërsisë shqipe, duke shkruar edhe prozë e poezi. Në vitin 1983, në konkursin letrar të revistës letrare "Koha" të Podgoricës, iu nda shpërblimi i dytë për tregimin "Rrëfimi i thjeshtë". Herë pas herë është paraqitur me shkrime edhe nga aktualiteti politik. Ka të botuar dy libra: "Ditari i një izolanti" dhe "Kosova plagë që pikon".

Kolë Berishën e kam njohur para shumë vitesh. Jemi takuar në Prishtinë dhe Ulqin. Kemi pas disa korrespondenca me njëri-tjetrin. Kisha respekt të posaçëm ndaj tij. Kujtimet e mia nga ajo kohë për këtë atdhetar që të frymëzonte, politikan shumë realist, autor tekstesh letrare, punonjës të arsimit, pajtues gjaqesh, burrë të ndershëm e të guximshëm, njeri me integritet e vizion , personalitet i cili e mbylli me faqe të bardhë gjithë veprimtarinë e tij të bujshme e të vështirë jetësore, janë të shumta.

të gjitha takimet e mia që kam pasur me mikun tim bacën Kolë Berishën me rastin e varrimit të ish-presidentit të Kosovës në Prishtinë në janar të vitit 2006 dhe ato në banesën time në Ulqin pas daljes së tij në pension, kam mësuar shumë nga rrëfimet e tij të përmalluara e rrëqethëse për ngjarjet tragjike në epokën më të rëndë dhe më kritike për Kosovën, për vuajtjet e tij tremujore në burgjet e Serbisë , për terrorin serb që vuanin shqiptarët e Kosovës dhe për vrasjet e pasluftës. Ndjehem i nderuar dhe krenar që e njoha. Aq më tepër që e pata mik të veçantë e të çmuar të familjes, i cili më jepte shtytje në shkrimet e mia modeste.

Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë përgjithmonë veprimtarinë dhe kontributin e çmuar të Kolë Berishës për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat