Reciprociteti si provokim i durimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Opinione

Reciprociteti si provokim i durimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 23 shtator 2021 Në ora: 10:32
Nexhmedin Saqipi

Reciprociteti për tagrat e automjeteve, a është vendim i drejtë i Kosovës, karshi Serbisë?! Kjo pyetje sjell një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të prerë: Po!

“Për” janë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët më shumë se sa bashkëkombësit e tjerë të viseve etnike, e ndjejnë mbi supe peshën e këtyre kufijve shtetërorë, duke paguar haraçin e reciprociteteve, të cilat si po duket nuk do të jenë të fundit me tagrat e automjeteve.

Një shqiptar i Luginës së Preshevës, për të marrë rrugë transit nga Serbia për në Kosovë e Shqipëri, në kohë pandemie të orës policore dënohet me 100 euro, nëse nuk e bën pagesën me kohë i dyfishohet gjoba. Tani pas këtij vendimi mbi aplikimin e reciprocitetit për 60 ditë duhet të paguaj 5 euro, e për të vazhduar drejt Atdheut (Shqipërisë) plus 10 ero ditore. Më tregoni ju lutem, këto pagesa a i bënë shqiptari i Maqedonisë së Veriut, apo ai i Malit të Zi? Jo!

Nuk është problemi i tagrave prej 5 euro për dy muaj, ky është një nga çmimet më të vogla, që ka bërë shqiptari i Luginës së Preshevës për Shqipërinë etnike, Republikën e Kosovës dhe në luftërat e tjera në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës me armë në dorë e ndihma humanitare, kujtoni tre për qindëshin. Por, e gjithë kjo nxjerr një tjetër pyetje më shumë se logjike: Pse reciprociteti na qenka akt kombëtar e shkëmbimi e korrigjimi i kufijve tradhtar?!

Marrëveshja për lëvizjen e lirë, e nënshkruar në Bruksel, gjatë vitit 2016 mes Kosovës dhe Serbisë, “ishte arritur pajtimi që me etiketa apo letra ngjitëse të mbulohen pjesët relevante të targave në automjete, siç janë simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, gjatë qarkullimit në territorin e dy shteteve”.

Deklaratat e shteteve të Kosovës se do t’i kompensojnë dëmet e vëllezërve të tyre, tingëllon më shumë se sa naive. Po sikur të bëhen bashkë Shqipëria me Kosovë, borxhin që kanë ndaj Luginës së Preshevë, nuk do të mund ta kryenin për shumë vjet.

Simbolet e kontestuara

Simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën mbulohen për hatër të lëvizjes së lirë, por që të gjithë qytetarët çmimet e tyre nuk i paguajnë njësoj.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të vetmit në hapësirat etnike, që nuk e kanë të rregulluar me ligj t’i përdorin simbolet kombëtare të Shqipërisë e as ato shtetërore të Kosovës. Nëse i përdorin jashtëligjshëm i pret dënimi me masa ligjore.

Duke i pasur parasysh edhe ndalesat e tjera veç simboleve, nostrifikimit të diplomave, integrimeve etj, pastaj presioneve ekonomike dhe politike me të cilat përballen çdo ditë, tani edhe me kufizimin e lëvizjes së lirë me shtetin amë, mbrojtja e identitetit të bërthamës kombëtare është më shumë se e rrezikuar. Kujtoni vetëm pak Medvegjën e sikur të kemi, që nesër edhe një Medvegjë të dytë në Bujanoc e Preshevë?!

Pse heshtin politikanët nga Lugina?!

Politikanët e Luginës së Preshevës, sidomos ajo klasë politike në pushtetin lokal dhe qendror, nuk themi se heshtin, ata flasin sa herë të vijnë zgjedhjet, apo manifestimet kombëtare.

Kur themi kështu, kemi parasysh se këta politikanë, tani janë mirë, ata kanë nga dy banesa në Luginë dhe Kosovë, fëmijët e tyre nuk banojnë nëpër konvikte studentësh dhe kur të diplomojnë nuk presin punë. Edhe ndihmat kur vijnë nga Kosova përfundojnë në buxhetet komunal dhe nacionale, të cilat nuk arrijnë te qytetari i zakonshëm, i cili me orë të tëra pret nëpër kufij për të fituar bukën e gojës me djersën e ballit. Ndihmat nga Kosova, gjithashtu, përfundojnë në shlyerjen e borxheve që kanë pushtet lokale dhe në blerjen e makinave për Ambulanca e polici, meremetimin e ndonjë shkolle, apo rruge, që janë obligim i shtetit ku jetojnë.

Pavarësisht këtyre dukurive të rënda për xhepat e shqiptarit të Luginës së Preshevës, ndjenja e dashurisë dhe vëllazërisë, nuk ka munguar kurrë, në asnjë periudhë historike e as tani.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë optimist se këto presione të ngritura, këto ditë, në kufijtë e Kosovës, për shkak aplikimit të tagrave në emër të reciprocitetit do të tejkalohen dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do të vazhdojë, ngase kështu e kërkon e drejta e tyre e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. E gjithë kjo tollovi, qoftë e kaluar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat