Jo, z. Edi Rama, shqiptarët e Kosovës nuk do t’ia falin kurrë Serbisë krimet e luftës dhe gjenocidin e bërë ndaj tyre, me çfarëdo çmimi qoftë..!?

Opinione

Jo, z. Edi Rama, shqiptarët e Kosovës nuk do t’ia falin kurrë Serbisë krimet e luftës dhe gjenocidin e bërë ndaj tyre, me çfarëdo çmimi qoftë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 shtator 2021 Në ora: 14:14
Rexhep Elezaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me vizitën e tij zyrtare sot në Kosovë, me ftesë të kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurtit, e, të cilit duhet t’i falënderohet përjetësisht që ia hapi dyert e mbyllura të Kosovës, shpresoj ta ketë kuptuar, se “për birë të gjylpërës” i ka shpëtuar damkës dhe mallkimit të historisë, përndryshe, pa asnjë dyshim, do të hynte si tradhtari më i madh i kombit në historinë shqiptare, për shkak të “vëllazërisë” dhe qëndrimeve të tij pro-serbe, gjegjësisht me qëndrimet e tij kundër interesave të Kosovës në këto 5 vitet e fundit!

Pra, me ardhjen e tij të sotme në Kosovë bashkë me shumë ministra të kabinetet të tij qeverisës, sidomos nga fjalimi i tij para gazetarëve në Prishtinë, linte të kuptohej qartë se e kishte “ndryshuar” mendësinë dhe retorikën e tij të gabuar politike ndaj Kosovës, duke pësuar permutacion të ngjashëm me Covidin-19, permutacioni ky politik, të cilin urojmë ta ketë bërë me vetëdije dhe për motive kombëtare e jo personale!

Ajo që Edi Rama e tha sot para gazetarëve në Prishtinë në përkrahje të Kosovës ndaj zhvillimeve të fundit në kufirin verior Kosovë-Serbi, dukej sikur e ishte bërë një kthesë pozitive ndaj Kosovës, madje të cilën ER e kishte paralajmëruar qysh me vizitën e krye-parlamentares së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla në Kosovë, por sidomos me fjalimin dhe thirrjen e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, që më rezulton, uroj të mos jem gabim, se kryeministri i Shqipërisë, më në fund e ka kuptuar se të qenurit e tij në politikë më shumë varet nga raportet e tij me vëllezërit kosovarë, se sa nga miqësia e tij “vëllazërore” me Aleksandar Vuçiçin..!?

Por, çështja e pa kapërcyeshme të cilën ka vite që Edi Rama e ka përvetësuar, sigurisht nga këshilltari i tij shumë i keq dhe pro-serbi, Baton Haxhiu, të cilën ide vazhdimisht e ka sforcuar në paraqitjet e tij publike, madje të cilën shkarazi e ceku edhe sot para gazetarëve, është ideja antihumane, kozmopolite dhe antikombëtare, ende në qarkullim, se Kosova duhet t’ia falë Serbisë gjitha krimet e luftës që ajo i ka bërë në Kosovë, si kundër çmim që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës..!?

Jo vetëm kryeministri Edi Rama, por çdo shqiptar mbi rruzullin e kësaj bote, duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë, se nuk ka dhe as kurrë nuk do gjendet shqiptar i Kosovës, i cili do të pranon që Serbisë fashiste t’i falën krimet dhe gjenocidi që ajo i ka bërë në Kosovë me vise, sepse vetëm ideja si e tillë i lëndon thellë shpirtrat e miliona shqiptarëve të Kosovës të cilëve regjimi kriminal i Serbisë ua ka masakruar, vrarë dhe torturuar më të dashurit e tyre, e lere më që kjo gjë të zbatohet në praktikë..!?

Shqiptarëve të Kosovës së mbushur me mbi 400 varreza masive plotë me familjarë, fëmijë, motra dhe vëllezër të tyre të zhdukur dhe ende të pagjetur eshtrat e tyre, të pushkatuar dhe djegur në mënyrat më barbare të ndodhura pas LDB-re, të dëbuar mizorisht nga shtëpitë e plaçkitura, pra me mbi 650 fshatra të rrafshuara me tokë, etj., nuk u duhet dhe as nuk u bënë fare përshtypje njohja e pavarësisë së Kosovës nga një shtet dhe regjim kriminal, nga një popull i tërë i kriminalizuar siç janë serbët, i cili as pas 22 viteve të pasluftës nuk e ndjeu fajësinë e tij, së paku kolektive, që shqiptarëve t’iu kërkoi falje publike për krimet që ushtria dhe policia e tyre i kanë bërë në Kosovë gjatë viteve 1989/99..!?

Prandaj, z. Edi Rama, e ke shumë më mirë sikur ta heqësh nga rendi yt i ditës çështjen “faljes” së krimeve të luftës mikës tënde, Serbisë hegjemoniste, të cilat ajo i ka kryer në Kosovë, por edhe projektin antishqiptar, “Ballkani i hapur” duhet ta largosh nga agjende jote e gabuar politike, sepse sado i mirë që ai mund të duket në shikim të parë, ky projekt do përfundon si një fontanë dëshirash, meqë pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës, çdo nismë ose projekt bashkëpunues ballkanik, quaje si të duash, do pësojë fiasko siç ka ndodhur me shumë nisma të mëparshme rajonale..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat