Franca dënoi krimin kolonial, a do i kërkojë “Ballkani i Kapur” Serbisë të njëjtën gjë?

Opinione

Franca dënoi krimin kolonial, a do i kërkojë “Ballkani i Kapur” Serbisë të njëjtën gjë?

Nga: Shaban Murati Më: 18 tetor 2021 Në ora: 11:03
Shaban Murati

Për herë të parë në 60 vjet presidenti i Francës, Emanuel Makron, në 16 tetor dënoi masakrën e policisë franceze ndaj protestuesve algjerianë në Paris në 17 tetor 1961, duke e cilësuar “një krim të pafalshëm”.

60 vjet më parë, protesta paqësore e rreth 30 mijë algjerianëve në Paris kundër ndalim-qarkullimit të vendosur nga policia vetëm për algjerianët, u shtyp në mënyrë mizore nga policia franceze, duke vrarë 200 algjerianë, duke plagosur 11 mijë algerianë dhe duke arrestuar 12 mijë algjerianë.

Autoritetet franceze gjithmonë e kanë mohuar dhe nuk e kanë pranuar masakrën. Presidenti Makron pati kurajon shtetërore dhe e hapi tani dollapin e skeleteve franceze, duke dënuar “krimin e pafalshëm” të Francës në kohën e kolonisë algjeriane.

Është një akt, që meriton vlerësim, sepse e historia e hidhur e një shteti kolonial duhet dekolonizuar.

Presidenti i Francës në 16 tetor mori pjesë në ceremoninë përkujtimore, vendosi një kurorë me lule në urën Bezons të Parisit, ku nisi protesta algjeriane 60 vjet më parë, dënoi “krimin e pafalshëm“ të Francës së asaj kohe, dhe u jep një mësim të madh udhëheqësve të shteteve koloniale si Serbia, që të pranojnë të vërtetat e hidhura historike dhe të dënojnë krimet e shtetit kolonial serb.

Serbia zhvilloi katër luftra të përgjakëshme kundër popujve joserbë në fundin e shekullit të kaluar, dhe megjithë masakrat e përbindëshme serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, udhëheqja e saj ende nuk i ka dënuar dhe nuk ka kërkuar falje për to.

Akti i presidentit Macron duhet të shërbejë si mësim i madh edhe për “Ballkanin e kapur”, i cili në mënyrë idiote bën thirrje të harrohen krimet e pafalshme të Serbisë si shtet kolonial.

Franca i mëson “Ballkanit të kapur” se krimet dhe masakrat serbe nuk duhen harruar dhe duhen dënuar nga vetë autorët e tyre. Franca e dënoi më vonë prefektin e Parisit, që urdhëroi masakrën, me akuzën “për krime kundër njerëzimit”.

Presidenti serb Vuçiç, babai i “Ballkanit të kapur”, po i nderon dhe po i darovit me poste dhe me glorifikime kriminelët serbë të luftës, që masakruan popullin e Bosnjës dhe të Kosovës. Presim që “Ballkani i kapur” t’i thotë presidentit serb Vuçiç që të ndjekë shembulin e presidentit francez dhe të dënojë krimet koloniale të Serbisë, e cila në vitin 1999 vrau rreth 20 mijë shqiptarë në Kosovë, përdhunoi 20 mijë vajza dhe gra dhe dëboi me dhunë një milion shqiptarë nga shtëpiat dhe tokat e tyre.

Të paktën njëherë në jetë “Ballkani i kapur” të dëshmojë se vërtet e don Francën./DITA/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat