Paraja, një helm “i ëmbël” për hajnat, matrapazët dhe politikanët që i shesin interesat shtetërore..!?

Opinione

Paraja, një helm “i ëmbël” për hajnat, matrapazët dhe politikanët që i shesin interesat shtetërore..!?

Nga: Ali Kelmendi Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 19:45
Autori

Pse njerëzit nuk jetojnë në mënyrë paqësore, njëri pranë tjetrit, posaçërisht kur bëhet fjalë për përkatësinë e njëjtë etnike, apo më mirë më thënë, që i takojnë të njëjtit komb, siç jemi ne shqiptarët, ndër popujt më të vjetër në Ballkan, më gjuhë dhe kulturë antike mijëra vjeçare!!!

Praktika e gjertanishme po tregon së përgjigja është shumë e thjeshtë:

«Pasi që njerëzit besojnë së pasuria materiale i bënë të lumtur», ata nuk mendojnë tjetër përveç si me grumbulluar pasuri të pafund, që për ta është kulmi i lumturisë. Pra, kjo në një masë është edhe e kuptueshme, që posedimi i një pasurie të madhe është dëshirë biologjike e njeriut, duke filluar nga ai më i varfëri e gjer tek kapitalistët..!

Nëse pasuria të bën vërtetë të lumtur, mbase ndoshta përkohësisht, është diçka e natyrshme, mirëpo çka të bën të palumtur, është fakti se në shoqëri ka shumë njerëz të privilegjuar, por edhe më shumë të diskriminuar, ky dallim shkakton tensione dhe pakënaqësi tek njerëzit, kur në raste ekstreme kjo dukuri shkakton revolucione dhe luftë civile.

Kur njerëzit saktësisht posedojnë të drejta, obligime dhe mundësi të barabarta për zhvillim dhe përparim, atëherë nuk do të kishte arsye as për tensione dhe as për pakënaqësi.

Më tutje, nëse çdo njeri i shëndosh, me pre-supozimin që punon dhe i kryen obligimet e veta ashtu siç duhet, posedon të ardhura materiale të mjaftueshme për një jetë normale, atëherë shikuar nga aspekti ekonomik, nuk ekzistojnë më argumente për të shkaktuar luftë klasash dhe as diskriminim te të drejtave individuale.

Ndërsa, sot ka njerëz, sidomos të rinj që mendojnë dhe duan të ndërmarrin aksione për të bërë ndryshime në shoqërinë tonë, por mungesa e kushteve për studim të mirëfilltë, për planifikim të së ardhmes për një jetë normale, siç ballafaqohen sot të rinjtë tanë në Kosovë, e bënë shoqërinë dhe fëmijët tanë të pa shpresë, madje të rënduar psiqikisht.

Si do duhej të veprohej më tutje; së pari duhet të ndërmerret një ndryshim i politikave partiake, pasi që të gjitha sistemet janë produkte të ideologjive dhe qëndrimeve partiake, nga të cilat kushtëzohen veprimet dhe vendimet politike. Nga një qëndrim i keq politik nuk mund të prodhohet kurrë një vendim i mirë, kurse një vendim i drejtë ndikon në pajtueshmëri për t’i çrrënjosur padrejtësitë siç ndodhin në fushën e trashëgimisë, në pasurimin e paligjshëm, në diskriminimin e punëtorëve, ndarjen e vendeve të punës, grabitjen e privilegjeve shtetërore, etj. Paraja është futur në përdorim si mjet për këmbim të kapitaleve e cila është bërë faktor i fuqishëm për oligarkët të cilët përmes saj e sundojnë sot botën.

E, njeriu ynë çuditët me ta se si bëjnë tregti skrupulloze dhe me para të pista, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare; siç bëri ish kasta jonë politike duke vjedhur dhe plaçkitur vendin gjatë 20 viteve të shkuara, të cilët bënë pasuri marramendëse pa punuar asnjë ditë, dhe ku shumica e shtresave të varfra popullore edhe sot vuajnë nga uria e skajshme!!!

Shtrohet pyetja, kush është përgjegjës për gjitha këto çrregullime dhe shkelje ligjesh dhe normash kushtetuese, sistemi ynë i parasë, apo keqpërdorimi i posteve shtetërore nga klane dhe grupe mafioze, alla klani PRONTO, kur gjate qeverisjes së tyre u vodhën drejtpërdrejt me miliona euro nga arka dhe pronat shtetërore!!!??? U vodhën jo vetëm paratë! Së fundit në pikë dite u vodhën 2 milionë e 200 mijë euro nga rezervat e shtetit, po nga zyrtarët e këtij sektori, ndoshta më urdhra nga lartë..!?

Andaj edhe drejtësia e kapur nga shteti s`po guxon t`i dënojë kryerësit e veprave penale dhe vjedhjeve. U vodh edhe pasuria e patundshme e shtetit; njëra si pronë e grabitur për nevoja private, nga njëra anë, dhe ajo e tjetërsuara dhe e shitura, alias e falura fqinjëve tanë – armiqve shekullor sllavo-ortodoks, rreth e përqark etnitetit dhe tokave tona – pronësi kjo denbabaden e jona, e trashëguar nga të parët tanë.

Me suprimimin e autonomisë së Kosovës me 1989 nga Serbia e Millosheviçit, Kosova u varfërua skajshmërisht, filluam me një sistem paralel të mbijetesës, me ndihma nga brenda dhe nga mërgata, presidenti Dr. Rugova i ndjerë, nxori jashtë gjoja dy njerëz të besueshëm për popullin dhe shtetin: Bujar Bukoshin, kryeministër në ekzil dhe Isa Mustafën, ministër për financa, që t`i drejtojnë dhe ta sigurojnë mbarëvajtjen e parave të tre ( 3 %) përqindëshit nga diaspora shqiptare nëpër botë.

Ishte gjë shumë befasuese kur këta të dy na dolën hajna dhe matrapaz në funksione më të larta, pas funksionit të presidentit, duke lakmuar së paraja për t’u vjedhur qenka, e jo për nevoja të popullit, që të dytë e shpërdoruan dhe abuzuan paranë e diasporës që ishte e dedikuar për popullin e varfër në mënyrë që të mbijetojë dhe kapërcejë krizën e rëndë ekonomike që mbretëronte asokohe në Kosovë, por edhe për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe!

Me miliona ua shpërndanë liderëve të shpallur të partive nëpër diasporë, vodhën sa mundën për vete, sa që edhe presidentit Dr. Rugova ia lanë hotelin pa ia paguar, por diaspora i doli si gjithnjë në ndihmë dhe ia pagojë shpenzimet e tij!!!

Të njëjtit e formuan e Bankën Dardania në Tiranë, në mënyrë që ta vjedhin më lehtë paranë e mërgatës, siç edhe vepruan me tre përqindëshin (3%)!!! Njëjtë u veprua edhe më paratë e grumbulluara nga Vendlindja thërret. Edhe ato para më shumë ngelën nëpër xhepat e bosave të Rognerit, si ato të tre përqindëshit.

Si duket disa udhëheqës të shtabit të UҪK-së me banim të përkohshëm – me azil në Zvicër, pasi u kthyen në Kosovë e grabitën edhe pushtetin pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugova, liderit tonë historik, duke e marrë pushtetin ashtu siç i vodhën paratë. Pra, vazhduan të vjedhin më shumë së njëzetë ( 20) vite, duke mbjellë virusin e hajnisë në strukturat administrative të shtetit dhe më gjerë, dhe ç’ është më e keqja në gjithë këtë zallamahi, askush dhe asnjëri nuk është dënuar deri më sot nga hajnat e shtetit, thua se në Kosovë kanë sunduar engjëjt..e jo hajnat ordinerë..!?

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat