Pse nuk ka njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, a po çalon MPJD në misionin e saj kushtetues...!

Opinione

Pse nuk ka njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, a po çalon MPJD në misionin e saj kushtetues...!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 11:20
Rexhep Elezaj

Një gjë është e sigurt, se emërimi i ministrave të paaftë dhe të pa përvojë në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme në krye të MPJD-së, qëkur Kosova u pavarësua me 17 shkurt 2008 e deri më sot, është, pa dyshim, njëri ndër shkaktarët kryesorë të ngecjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga vendet e shumta në pesë kontinentet e botës!

Madje, ish ministrat të cilët kanë udhëhequr me MPJD-së, si dhe ata që kanë ushtruar poste të larta në këtë dikaster (MPJ), si njëri ndër katër shtyllat kryesore të godinës që quhet shtet, ka qenë e qartë se dështimet e tyre në politikën e jashtme të Kosovës kanë ardhur si rezultat i mos njohurisë së tyre, se procesi i pavarësisë së Kosovës është realizuar dhe vazhdon të jetësohet si varianti “B”, nga dy solucionet e KS të OKB-së, sepse po ta kuptonin këtë variant rezultatet në planin e lobimit për rritjen e numrit të shteteve që do e njihnin pavarësinë e Kosovës do ishin shumë më të mëdha. Mirëpo, varianti “B” as që iu ka interesuar, meqë po ta kishin kuptuar këtë fakt, atëherë 70%-ind të punës dhe angazhimit të tyre do t’ia kishin kushtuar lobimit dhe punës për faktorizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjegjësisht në mungesë të strategjisë shtetërore si dhe të ndërtimit të platformës nacionale në planin e politikës së jashtme, si pasojë kanë ndodhur shumë gabime dhe mossuksese në vazhdimësi, duke u marrë madje me akomodime të shtrenjta personale dhe lukse të tepruara!

Bile, ata gjithnjë sipas logjikës makiaveliste, se “qëllimi arsyeton mjetin”, thoshin se ka kush të merret me lobimin dhe rritjen e numrit të njohjeve, ne i kemi amerikanët, Turqinë, Shqipërinë, etj., që na i rrisin njohjet, shto kësaj se në përfaqësitë tona diplomatike dërgonin sipas linjës partiake konsuj dhe ambasadorë të paaftë dhe të papërgatitur fare, të cilët siç dihet, (ambasadorët) nuk kanë arritur kurrë që Kosovës t’ia sjellin së paku një njohje nga vendet që nuk e njihnin pavarësinë e Kosovës, por që kanë qenë të akredituar që t’i mbulojnë ato shtete, siç është rasti me vendet arabe, të Afrikës, Azisë, Amerikës latine dhe Lindjes së Mesme, etj..!?

Po ashtu, ata kishin harruar se varianti “A” i KS të OKB-së ka qenë propozim dhe angazhim i miqve tanë amerikanë, që njohja e pavarësisë së Kosovës fillimisht të vulosej në Këshillin e Sigurimit (KS) me votë dhe Rezolutë të veçantë, por ky akt ishte i pamundur për shkak të vetos së Kinës dhe Rusisë. Prandaj, është vendosur që të kalohet në variantin “B”, ku secili shtet në botë veç e veç mund ta njoh Kosovën si shtet të pavarur konform vullnetit dhe interesave të tyre vetanake, që siç e mbajmë mend të gjithë, ditën kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008, menjëherë vërshuan njohjet njëra pas tjetrës, në rend të parë nga shtetet e mëdha mike perëndimore, aleate të SHBA-ve, që pa hezitim e njohën pavarësinë e Kosovës, numri i të cilave sot arrin diku mbi 100 vende, por që ky numër nuk mjafton që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

Pra, MPJD-së do duhej të lobonte ditë e natë si dhe të punonte me tërë kapacitetin e saj me të gjitha shtetet e botës për t’i bindë ato që të na njohin shtetin e Kosovës, ngase në momentin kur numri i njohjeve do arrinte mbi 2/3-tat (143) e shteteve anëtare të OKB-së, Kosova menjëherë do aplikonte për t’u anëtarësuar në këtë organizatë botërore, meqë kështu do e kishte siguruar numrin e mjaftueshëm të votave për anëtarësim.

Pra, shtrohet pyetja; a e kanë ditur ish ministrat e MPJ-së, faktin, se në çastin kur Kosova bëhet anëtare e OKB-së, nga ai moment njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do bëhej krejtësisht e parëndësishme. Kjo, sepse Kosova duke u bërë anëtare e OKB-së, ajo do e merrte statusin e shtetit të barabartë me të gjitha vendet e botës, ku ajo pastaj me automatizëm do bëhej anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare, e ku ndikimi i Serbisë për ta penguar anëtarësimin e saj në këto organizata do ishte barazi me Zero.

Mjerisht, këtë fakt duket se nuk e dinin asnjëri nga ish ministrat e jashtëm, dhe për të qenë çudia edhe më e madhe biznesmeni kontraverz, por i etur për pushtet, pranë gjithë atyre miliona eurove që i posedon, provonte t’i blejë disa njohje me të holla në Afrikën e varfër, gjë që kjo fliste qartë se zanatin e diplomatit e njihte aq sa i njeh ekuacionet e kimisë një nxënës i shkollës fillore..!?

Ndërsa, kur është fjala për ministren aktuale për punë të jashtme, në postin e saj të dhuruar, herë duket si hënë e vjetër, herë si hëna e re, herë fshihet pas “reve” për dy-tri javë, por e cila njëjtë sikur ish koleget e saj, nuk ia ka haberin se çfarë peshe ka lobimi në arenën ndërkombëtare për t’i sjellë Kosovës njohje të reja, sidomos nga 5 vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Kjo fiasko e saj në fushën e lobimit, pa dyshim, se qeverinë “Kurti-2” e bënë jo serioze para miqve tanë ndërkombëtarë, por edhe para Serbisë fashiste, të cilës mjerisht nuk ka kush t’i kundërvihet propagandës së saj histerike nëpër botë për ç’ njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e njohjeve të reja..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat