Si Enver Hoxha e “shiti” Kosovën dhe pastaj si ia “fali” edhe Shqipërinë Jugosllavisë

Opinione

Si Enver Hoxha e “shiti” Kosovën dhe pastaj si ia “fali” edhe Shqipërinë Jugosllavisë

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 15:35
Prof. Dr. Elmas Leci

“Çështjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që në 8 nëntorin e 41-shit”, -ka shkruar Vladimir Dedejeri, ish-biografi i Titos në “Kujtimet” e botuara në vitin 1949 në Beograd. Për ta zgjeruar më tej pohimin e Dedejerit, ai në “Jugoslavensko Albanski adnosi”, po për mos zënien në gojë të çështjes së Kosovës në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, përsëri ka shkruar se: “në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila u bë nën drejtimin e dy emisarëve komunistë jugosllavë, Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, çështja e Kosovës as që u përmend fare. Për këtë çështje (të Kosovës), pllakosi po ashtu heshtja e plotë edhe në Konferencën Kombëtare të Partisë në marsin e vitit 1943”.

Siç flasin dokumentet, jugosllavët ngarkojnë me faj direkt e të drejtpërdrejtë udhëheqjen komuniste shqiptare se Kosovën ia lanë vetë Jugosllavisë. Kjo lënie ka rrënjë të thell shkruan Profesori kosovar Ukshin Hoti, i cili në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, na jep një fakt interesant se që “në Kongresin e 5-të të Partisë Komuniste të Jugosllavisë të vitit 1941, ishte vendosur që Shqipëria t’i bashkohej Kosovës për zgjerimin e Jugosllavisë dhe jo Kosova Shqipërisë”. Ky fakt hedh dritë më shumë se pikërisht në atë kohë që “ dy jugosllavët” krijonin në Tiranë Partinë Komuniste shqiptare, në dokumentin e saj programatik, ata (dy jugosllavët)sipas asaj direktive nuk lejuan as të përmendej çështja e Kosovës. Ndërsa nga jugosllavët, pikërisht po në atë perudhë, viti 1941, merrej vendim jo vetëm për fatin e Kosovës së ardhshme por edhe të shtetit shqiptar, që sipas tyre do t’i bashkohej Jugosllavisë. I vetmi nga udhëheqësit komunistë shqiptarë, i cili ankohet se partia komuniste shqiptare nuk e kishte në axhentën e vet e as në program e saj çështjen e Kosovës, ishte Koço Tashko. Për këtë çështje, në fund të vitit 1942, ai i shkruan Moskës se “për Kosovën, Partia Komuniste Shqiptare ka heshtur vazhdimisht, duke thënë se kjo çështje është e Partisë Komuniste të Jugosllavisë”.

Le të vazhdojmë më tej me veprimtaritë e tjera politike për të ardhmen e Shqipërisë, si me Konferencën e Pezës, e cila edhe kjo e anashkaloi Kosovën nga çështja shqiptare. Për qartësim të kësaj situata të disfavorshme kombëtare shqiptare, një shërbim të madh i ka bërë çështjes studiuesi Kastriot Dervishi, i cili ka publikuar shkrimin e Dr. Halim Begesë, ish eksponent i “Ballit Kombëtar”, ish edhe pjesëmarrës i asaj mbledhje që është quajtur “Konferenca e Pezës”. Shkrimi i Dr. Begesë u është drejtuar të gjithë shqiptarëve të Amerikës më 6 janar të vitit 1948. “Duke pas parasysh-shprehet Dr. Begeja- se motrat dhe vëllezërit e Amerikës kanë qenë larg intrigave komuniste që zhvilloheshin në Shqipëri, po marr mundimin t’i shkruaj ekzaktësisht zhvillimet e Konferencës së Pezës, në të cilën përgatitej varri i Shqipërisë dhe terrori kundra shqiptarëve... Kur po flisja në mbledhjen në Pezë për Shqipërinë Etnike një zë nga dëgjuesit (komunistë) pëshpëriste: "Ç’do të thotë Shqipëri etnike”?! Dua të them, -i thash në fjalën time,- atë Shqipëri etnike që nuk doni ju me ia dëgjuar zërin. Sikur ju të kishit dasht Kosovën, këtu do të shihnim së paku një kosovar nominal siç jemi ne, por padroni i juaj nuk ju lejon që ta shkoni në hatër emrin e Kosovës. Ju flitni në emrin e popullit shqiptar, duke mos llogarit aspak Kosovën. Atë natë, Kryetari i mbledhjes, Kamber Qafmolla lajmëron të mbyllim bisedimin për arsye se gjakrat janë të tronditur... Të nesërmen më 17 shtator 1942, pas vijimit të debateve, një nga dëgjuesit komunistë flet nga vendi se: “Tito është aleati ynë”. Ismaili (Petrela) po nga vendi ja kthen: "Po, është aleat për të na marrë Kosovën. Ai që ka këtë mendim, është tradhtar dhe ne s'kemi të bëjmë me të shitur. Dallaveret që mundeni të bëni kundra nacionalizmit, ne nuk i hamë"... Jemi në mbledhjen e pasdrekës. Enver Hoxha me letra përpara ekspozon formimin e KANÇl, qëllimi i të cilit ishte vetëm lufta kundra fashizmit, por që fshihte hapur luftën kundër nacionalizmit shqiptar...KANÇl administronte sipas Enverit, Shqipërinë e 1913 -s! Për sa u përket tokave që fashizmi i ka aneksuar Shqipërisë, ne nuk i pranojmë. Këto vende bëjnë pjesë në juridiksionin e Partisë Komuniste në Jugosllavi, e cila do të na i japë më vonë me një traktat (oh ironi e fatit! Qysh atëherë Enveri e kishte shit Shqipërinë, shumë me keq seç e shitën fashistët shqiptarë). Ne nuk e pranojmë që Mustafa Kruja të na e japi Kosovën me anën e italianëve... 18 shtator. Flas unë (Halim Begeja) sërish. Qëllimi i ardhjes sonë këtu, së paku për pjesën tonë, kjo për të bërë një bashkim për hir të interesit kombëtar, me duket se nuk po merret parasysh...Ne këtu kemi ardhur për të bërë një front të përbashkët për shpëtimin e Shqipërisë. Njoh fare mirë se ç'është komunizmi dhe e di se s'ka të bëjë aspak me ndjesitë kombëtare, por bazohem në shprehjen tuaj që thoni se duam të shpëtojmë Shqipërinë...E di fare mire se për ju Kosova është e serbëve dhe se ju punoni për t'i përforcuar aspiratat e grabitjes së Kosovës shqiptare nga serbët. Qysh vallë Kosova bën pjesë në juridiksionin e Partisë Komuniste jugosllave?! A nuk ju dhimbet ndopak populli shqiptar, i cili qysh prej 1878-s torturohet, vritet e çnderohet nga serbët?! Kërkoni akoma ta vritni dhe torturoni po nga serbët?! Për të gjitha arsyet që shfaqa, deklarohem kundërshtar i të gjitha propozimeve tuaja dhe jo vetëm që nuk jap votë, por as që pranoj të votoj...

Në gusht të vitit 1943 në Shqipëri u zhvillua një veprimtari tjetër e madhe politike, Mbledhja e Mukjes, ku përfaqësuesi kryesor i komunistëve të Enver Hoxhës ishte doktor Ymer Dishnica, ka shkruar se në atë konferencë “Çështja e Shqipërisë Etnike, që do përfshinte edhe Kosovën, ishte një ndër dy gurët e kufirit, që me formulimin që bëmë, e kapërcyem”. Me ta marrë vesh këtë vendim Miladin Popoviçi, që ishte pranë Enver Hoxhës, sapo e pa Proklamatën e Mukjes, thirri i inatosur duke ja flakur letrat në fytyrë Enver Hoxhës se “ju keni shpallur luftë kundër fashizmit dhe jo... pavarësinë”3) Enver Hoxha edhe me ndërhyrjen e Vukmanoviç Tempos, që edhe ai ishte dërguar nga J.B.Tito po pranë Enver Hoxhës, menjëherë urdhëroi anulimin e Marrëveshjes së Mukjes dhe shkak i saj ishte çështja e Kosovës”. Ndërsa aty për aty edhe Dushan Mugosha do t’i hakërrehej Enver Hoxhës se “ata që e firmosën atë (Marrëveshjen e Mukjes), do të mbajnë përgjegjësi”.

E vërteta është se në bisedimet për marrëveshjen e Mukjes, se përsëri pas Pezës u ngrit dhe u trajtua problemi i Kosovës. Por meq nga Vendimet e Pezës nuk ka asgjë të shkruar për çështjen e Kosovës përveç asaj që kemi përmendur për Këshillat Nacionalçlirimtare, kjo mbledhje konsiderohet e para ku forcat politike shqiptare takohen në një kuvend për të diskutuar çështjen kombëtare. Dy ishin qëllimet e mbledhjes apo Konferencës së Mukjes: Krijimi i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar dhe ai i vendimit për Shqipërinë Etnike. Për këto dy vendime, Enver Hoxha në emër të Komitetit Qendror të partisë, e denoncoi Marrëveshjen e Mukjes si tradhëti kombëtare. Dy nënshkruesit e marrëveshjes, Doktor Ymer Dishnicën dhe Mustafa Gjinishin, Enver Hoxha në mbledhjen e Vidhkuqit i dënoi me vdekje. Për Mukjen, Dushan Mugosha do të shprehej: “Ne kurrë nuk do t’i lejojmë të bashkohen (shqiptarët) në Shqipëri Etnike! Le të përpiqen dhe ta bëjnë nëse ua mban”.6)

Pas denoncimit komunist të vendimeve të Mukjes, udhëheqja e Ballit Kombëtar botoi një Manifest me titullin “Rruga e drejtë dhe rruga e gabuar”. Në atë manifest për popullin shqiptar thuhej se “është e qartë për popullin se kjo parti që udhëhiqet nga Sala (Dushan Mugosha) dhe Miladini me shokët e tyre, po përgatit një diktaturë dhe terror, në vend të lirisë së premtuar dhe do të na japë shkatërrim, në vend të progresit...”.

Një veprimtari tjetër politike me objeksion çështjen kombëtare që ndjek Mukjen është Konferenca e Bujanit, e cila nis më 31 dhjetor të vitit 1943 deri në 2 janar të vitit 1944. Në të u vendos që të ngriheshin strukturat që do të çonin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me të marrë informacionin, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë nuk ishte aspak dakord me atë pjesë të Rezolutës së Bujanit ku bëhej fjalë apo ishte marrë vendimi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkëpunëtori i ngushtë i Titos, Milan Gjilas, në një letër që i dërgonte Komitetit Rajonal për Kosovë-Metohinë, urdhëronte anullimin e menjëhershëm të vendimit të Bujanit.Në unision me jugosllavët edhe Enver Hoxha e dënoi Marrveshjen e Bujanit.

Le të ecim më tej me dokumentet se si Enver Hoxha e “shiti” çështjen e Kosovës. Vetë ai pranon në ato që shkruan se “në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, ne edhe një herë pranuam se nuk është koha për ta shtruar çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”.

Në prill të vitit 1945 jugosllavët organizuan Masakrën e Tivarit, vepër makabre ndaj shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Për të Enver Hoxha heshti, jo vetëm atëhre por gjithë jetën. Jo vetëm kaq, por në një mbledhje të Byronë Politike do të deklaronte e kërcënonte se “disa anëtarë partie duan të filozofojnë se, mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën... Ne do t’ua shpjegojmë, kush nuk na kupton, ne do ta luftojmë”.

Në korrik të vitit 1945 serbët e aneksuan Kosovën në Serbinë Federale.Përfaqësues në kuvendin e Serbisë ishin Dushan Mugosha, tashmë i larguar nga Shqipëria dhe Mehmet Hoxha. Aty u miratua “Projektrezoluta për aneksimin e Kosovës në Serbinë Federale”.13) Jo shumë larg kësaj ngjarjeje, Enver Hoxha në gusht të vitit 1946 do të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris dhe atje do të deklaronte se: “ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj aleatit tonë Jugosllavi”.14)

Duke i marrë dhe analizuar këto dokumente një e nga një, që nga themelimi i partisë e veçanërisht pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha dhe deri në Konferencën e Paqes, natyrshëm shtrohet pyetja: Ka antikombëtarizim më të madh se sa qëndrimi i dokumentuar antishqiptar i Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës?! “A është në interesin tonë që ne ta kërkojmë Kosovën?!” – i pyeti Enver Hoxha në një mënyrë retorike anëtarët e Komitetit Qendror në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në dhjetor të vitit 1946.Dhe në vijim, po vetë Enver Hoxha përgjigjet se “kjo nuk është punë progresive për t’u bërë... përkundrazi, ne duhet të sigurojmë që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët”. Këto deklarata të vetë Enver Hoxhës nuk kanë nevojë për komente! Çdo mendim pro Kosovë, Enver Hoxha sipas dokumentave ja raportonte Titos. Këtë ja bën edhe Fadil Hoxhës, ish një nga udhëheqësit kryesor të Kosovës, i cili në vitin 1946 erdhi te Enver Hoxha pa dijeninë e Titos, për t’i “qarë hallet” e Kosovës. Bisedën ende pa u kthyer Fadil Hoxha në Beograd, Enver Hoxha ja raportoi Titos. Ky ishte deklarimii vetë Fadil Hoxhës, i cili tregonte në vitet e pas çlirimit të Kosovës, as më shumë e as më pak, por se si e kishte pësuar nga Enver Hoxha kur ishte kthyer në Beograd dhe e kishte thirrur e dënuar Titua. Ja dhe deklarimiqë na ka dhënë vetë Fadil Hoxha: “Aty nga viti 1946, erdha një herë inkonjito në Tiranë dhe i shkova Enverit në zyrë e i fola si shqiptari shqiptarit për trajtimin serb të kosovarëve dhe për çështjen e Kosovës se si do të bëhej për të ardhmen. Më dëgjoi dhe nuk më tha asgjë. Mirëpo ndodhi ajo e pa parishikuara. Kur u ktheva në Beograd me thirri Tito dhe mi tha fije e për pe ato që i kisha thënë Enverit në Tiranë. U habita, por edhe u zura ngushtë. Nejse, kaloi por mbeti ajo se gjithçka i kisha thënë unë Enver Hoxhës në Tiranë, Enveri ja kish raportuar Titos në Beograd”.

Është krijuar ideja se Enver Hoxha, veçanërisht pas çlirimit e ka mbrojtur Kosovën përballë shovinizmit serb! Të pranosh këtë, mbrojtjen e Kosovës nga Enver Hoxha, do të thotë që për këtë çështje ai apo partia e tij të kishin një program, të ekzistonte një platformë apo një strategji! Të tilla nuk ka. Veçanërisht, ajo që e varrosi çështjen shqiptare të Kosovës, është periudha e “dashurisë” së Enver Hoxhës me Beogradin dhe me Josif Broz Titon, që për pushtetin e tij personal ja la Kosovën Jugosllavisë. Po thuhet se pas vitit 1981 ai bëri disa artikuj në mbrojtje të Kosovës!Vërtet u bënë. Po ç’kishte ngjarë vallë?! Përse Enver Hoxha u kujtua pas afro 40 vjetësh për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve”? Përgjigjja ishte dhe është: Ai kërkonte të dilte i larë për krimin që kishte bërë se nuk e kishte shitur Kosovën. Ku ishte ai Enver Hoxha në vitin 1945? Po përmendim vetë pikat kulmore të represionit mbi kosovarët. Po në vitin 1948? Po në vitin 1965? Apo në vitin 1979? Vetëm në vitin 1981 Enver Hoxha “shpërthen”, i kthehet Kosovës, “mbron” Kosovën, “i digjet” zemra për vuajtjet e shqiptarëve në Jugosllavi. Pse -ja është e qartë: Tito, si dëshmitari kryesor dhe që kishte mbetur i vetmi dijetues i shitjes së Kosovës, në vitin 1980 kishte vdekur.

Siç shihet nga dokumentacionet që cituam dhe argumentimet që dhamë, asgjë nuk tregon për strategji mbrojtjeje të Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës, por për mbrojtje të “principatës” së tij, ku të rrethuar në tela me gjemba punonin më se dy milionë skllevër për një oligarki që njihej si Byroja Politike. Aq e vërtetë është kjo, saqë mjafton të përmendim deklarimin e Vasil Katit, ish -zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme i Enver Hoxhës, i cili nga burgu i Ballshit ku e kishte futur Enver Hoxha, do të depononte se “... për çdo vit ne e kishin në plan të padiskutueshëm dhe të detyrueshëm të importonin 18 mijë ton tela me gjemba për të rrethuar klonin (kufirin) shqiptar”.

Enver Hoxha, jo vetëm që me veprimtarinë e tij e shiti Kosovën, por sikur të mos mjaftonte kjo edhe kosovarët që ishin në shtetin shqiptar apo largoheshin nga represioni serb nga Kosova e vinin në shtetin shqiptar, i “vinte në provë”, i dënonte, i internonte apo burgoste e pushkatonte më me pa droje se sa vetë Tito. Më se 1.226 kosovarë ose më mirë të shprehemi shqiptarë, Enver Hoxha i ka dënuar gjatë regjimit të tij me 8 e 12 vjet burg, ndërsa 4.561 të tjerë i ka internuar në zonën e Myzeqesë dhe në zona të ndryshme në thellësi të vendit, sepse ashtu ishte marrëveshja me J.B.Titon. Shqiptarë të tjerë të Kosovës, që iknin nga Kosova për t’i shpëtuar dënimit të regjimit serb, Enver Hoxha më të shumtët i dënonte si agjentë, apo i kthente në Jugosllavi sipas marrëveshjes së fshehtë e të detyrueshme Tiranë – Beograd.

Edhe propaganda e Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës ishte nul. Në çfarë organizmash ndërkombëtare e mbrojti gjatë gjithë jetës së tij Enver Hoxha çështjen e Kosovës?! Në asnjë. Kjo është e trishtë, e dhimbëshe, e çfardo tjetër mund t’i thuash është pak. Ajo është turp.Le të bëjmë edhe një pyetje tjetër: Për më se 100 mijë shqiptarët e përzënë nga Kosova në periudhën 1953-1966 nga Tito, për to, për represionin e egër që ushtrohej ndaj tyre a e ngriti ndonjëherë zërin Enver Hoxha,?! A e ngritën diplomatët e tij ndonjëherë zërin në organizatat ndërkombëtare si në OKB ose në ndonjë organizëm tjetër?! Për çfarë nuk kanë folur diplomatët e Enver Hoxhës, për nëpërkëmbjen e njerëzve të Afrikës së Zezë, për martirizimin e palestinezëve etj etj, veçse për shqiptarët e Kosovës jo, nuk është folur kurrë.

Edhe për ngjarjet e mëdha të viteve ‘70-’80 në Kosovë, kur nga ato kundërshti e pësuan afro 700 mijë shqiptarë, që u torturuan nga organet e policisë serbe dhe mbi 10 mijë të tjerë u dënuan, edhe për to Enver Hoxha përsëri heshti. Edhe kur Kongresi Amerikan mblidhej e diktonte zgjidhje, përsëri Enver Hoxha në Tiranë heshtëte. Pa diskutim kishte frikë se jugosllavët do t’i nxirrnin dokumentet e “shitjes” së Kosovës. Me faktet e ngjarjet që parashtruam, me dokumentet historike e ato të përditësuara, tregohet se Enver Hoxha për interesat e sundimit e të pushtetit të tij absolut, e “shiti” Kosovën. Kjo tashmë është e mirvërtetuar, madje që me themelimin e partisë ku Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha nuk i lejuan diskutimet për Kosovën. Peza, në ndikimin e nacionalistëve “vendosi” edhe për pushtetin në Kosovë por që “dy jugosllavët” nuk lanë të bëhej. Mukja, ku u deklarua lufta për Shqipërinë që u silurua sapo e mori vesh vendimin Miladini në Labinot, ja hodhi letrat në fytyrë Enver Hoxhës. Bujani, ku u vu në evidencë Kosova dhe zgjidhja e çështjes së saj, bashkimi me Shqipërinë, Tito dhe beniamini i tij Enver Hoxha e dënuan urgjentisht e unanimisht atë Konferencë.

Veprimi që e varrosi përfundimisht çështjen e Kosovës, ishte marrëveshja e Enver Hoxhës për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. “Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë...”, -urdhëronte Enver Hoxha në fillim të vitit 1947. Enver Hoxha jo vetëm i “shiti” Jugosllavisë Kosovën, por me dokumenta (pavarësisht se nga gjeopolitika nuk u realizua) i “fali” Jugosllavisë edhe Shqipërinë. Disponojmë plot dokumente se si p.sh. në vitin 1946 Enver Hoxha në një letër për Titon i shkruante se “në rast se do të bëhet një hap tjetër në lidhje me bashkimin, na lajmëroni”.15) Bëhet fjalë jo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Jemi në periudhën e “dashurisë së zjarrtë me jugosllavët”, që rrok vitet 1945-1948 dhe që është edhe periudha që Enver Hoxha bëhet një tregëtar i sovranitetit të Shqipërisë për pushtetin e tij personal. Me miratimin e Enver Hoxhës, Tito ndërhyri në të gjitha anët e skutat e Shqipërisë. Më konkretisht, kjo ndërhyrje u bë me nënshkrimin e Traktatit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Jugosllavi, ku edhe “de fakto” edhe “de jure” regjimi jugosllav depërtoi në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare. Ishte koha kur Marrëveshjet me Jugosllavinë u propaganduan si “shpëtimtare” për Shqipërinë, por që në fakt e vunë ekonominë shqiptare nën Jugosllavinë. Ky “bashkëpunim” në të gjitha drejtimet përbënte suprimimin e kufijve, heqjen e doganave apo shkëmbimin e mallrave me pabarazi. Dhe pikërisht ky bashkëpunim ogurzi edhe ekonomik, nisi që më 20 shkurt 1945 me nënshkrimin e Traktatit të parë “të sigurisë” nga ish zëvendëskryeministri Myslym Peza. Në të njëjtën kohë u nënshkrua nga Nako Spiru edhe një dokument tjetër famëkeq, Akordi për Bashkëpunimin Ekonomik. Mbi këtë bazë pabarazie me Jugosllavinë, u krijuan shoqëritë e përbashkëta si për Fabrikimin e Naftës, për Lundrimin Detar, për Bankën e Përbashkët etj.,etj. Dhe pas Akordit të Parë, “erdhi” edhe Akordi i dytë, ai për kredinë, sipas të cilit pasuritë e mëdha të nëntokës shqiptare, viheshin plotësisht në dispozicion të Jugosllavisë. Këto u propoganduan atëhere me të madhe si shpëtimtare për Shqipërinë. Mirpo kur u bë bilanci i shkëmbimit tregtar të pas një viti, “specialistët” jugosllavë nxorën debi Shqipërinë, pra borxh ndaj Jugosllavisë me 1 milion e 794 mijë dinarë. Sipas marrëveshjes së shtatorit të vitit 1946, këtë bilanc të debisë, Shqipëria do t’ia plotësonte Jugosllavisë me mallra. Kjo masë dënuese çoi në boshatisjen e tregut shqiptar, ku çdo gjë e lëvizshme mall, u ngarkua në makina e vaporë jugosllavë dhe u nisën për në Jugosllavi, duke u a marrë të gjitha shqiptarëve, të gjitha prodhimet e mallrat e tyre, mallra që regjimi i Enver Hoxhës u a kishte grabitur tregtarëve dhe ato masivisht iu “dhuruan” Titos. Edhe për këto Enver Hoxha e ka manipuluar historinë duke bërë “të paditurin”, mirëpo dokumentet janë kokëfortë dhe ato “bërtasin” se asgjë nuk është bërë pa dijeninë dhe pa vendimin e Enver Hoxhës. Që të gjitha ishin rezultatet i shumë marrëveshjeve që vetë Enver Hoxha i kishte miratuar madje edhe i kishte nënshkruar me jugosllavët.

Me vizitën në Beograd korrik 1946, Enver Hoxha nënshkroi Traktati për “Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën Reciproke”. Po në atë vit, u nënshkrua edhe Traktati për “Për Shkëmbimin e Mallrave dhe Pagesave” dhe më tej ai për “Bashkëpunim në Fushën e Kulturës dhe të Arsimit”etj. Në total, gjatë vitit 1946 u lidhën 21 Marrëveshje me Jugosllavinë, ndërsa në vitin pasardhës 1947 u pasua nga marrëveshje të tjera që nuk rezultojnë pak por plot 33 marrëveshje, të cilat ishin nënshtruese e rrënuese për ekonominë shqiptare, ishin marrëveshje skllavëruese. Se ç’far bënë Marrveshjet me Beogradin dhe përse ishin rrënim i ekonomisë shqiptare, mjafton të shohim thelbësoren që ekonomitë ishin në kushte të pa barabarta. Ku ekonomia jugosllave, e cila prodhonte aeroplanë që para Luftës së Dytë Botërore dhe ku ekonomia shqiptare, që bazë kishte parmendën në bujqësi!!! Milovan Gjilas, ish udhëheqës komunist jugosllav, në kujtimet e tij ka shkruar se “kur e mori vesh Titua vrasjen apo vetvrasjen e Nako Spiros, u bë shumë i nevrikosur dhe filloi të nxitonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në rrethe të ngushta ai shprehte frikën e tij kur thoshte se rusët mund t’i a rrëmbenin Shqipërinë. Në dhjetor (1947) të dërguarit jugosllavë në Shqipëri, vendosën krijimin e një Komisioni të përbashkët shqiptaro-jugosllav, që do të përgadiste integrimin e plotë të dy ekonomive. Një strukturë e ngjashme u planifikua për të drejtuar bashkimin...”. Studimi i Marrveshjeve shqiptare-jugosllave, që patjetër ishin prelud i të ardhmes, tregon apo shpreh tendencën e qartë të politikës jugosllave për të gllabëruar gradualisht ekonominë e dobët të Shtetit shqiptar e për ta bërë atë ingranazh të ekonomisë së Jugosllavisë. Kështu, unifikimi i plotë i doganave, liberalizimi i plotë i tregëtisë, këmbyeshmëria e monedhave, ndërmarrjet e përbashkëta etj., bënë të mundur që deri në mesvitin 1948, Jugosllavia të shfrytëzonte rezervat pasurore të mbitokës e nëntokës shqiptare me mënyra të pamëshirshme dhe vetëm të përfitonte vlera marramendëse nga hapja e tregut monetar, ai doganor dhe tregëtar. Ndaj siç e vrente me të drejtë studiuesi amerikan i pas Luftës së Dytë Botërore Byrnes, ku ai konkludonte se “për të gjitha arsyet praktike, ekonomia Shqiptare e dobësuar dhe e shfrytëzuar keqas u bë pjesë dhe parcelë e ekomomisë jugosllave”m një nga faktet se si Enver Hoxha e “fali Shqipërinë” deri në sakrifikimin e sovranitetit.

Dokumentet e arkivave tregojnë se jugosllavët me pasuritë e vendit tonë e administratën shqiptare, bënë çfarë u deshi qejfi. Përpiqet mjerisht ai pas prishjes me jugosllavët se na paskesh qenë “i mënjanuar” nga partia e pushteti. Firmat e tij në vendimet si Kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si Ministër i Mbrojtjes e si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, tregojnë se ai ishte pro jugosllavi më i madh që kishte firmosur për gjithçka shqiptare që ja jepte Jugosllavisë deri edhe sovranitetin e Shqipërisë. Letra e Enver Hoxhës drejtuar Marshallit Tito që miratonte okupimin nga Divizionet të Korçës e pastaj më gjërë dhe e gjithë praktika e cila eleminonte Komandën e Ushtisë shqiptare(e unifikonte me atë jugosllave), duke e vënë atë plotësisht nën atë jugosllave, është veprimtari e Enver Hoxhës, që tregon pa mëdyshje se si ai ja fali Shqipërinë Jugosllavisë. Dhe ajo që u ve vulën e plotë kësaj çështje madhore, është Letra që Enver Hoxha i drejtoi Titos në mars e vitit 1948, ku i theksonte dhe i kërkonte Beogradit se na thoni (datën e shpalljes) se “kur do bashkohemi” që donte të thoshte se kur Jugosllavia do ta gllabëronte Shqipërinë. Me 33 Marrveshjet ekonomike,kulturore etj., Enver Hoxha i kishte hapur të gjitha portat shqiptare Jugosllavisë, madje pa kufi. Pastaj suprimimi i Ushtrisë dhe miratimi përfundimtar për Bashkimin me Letrën Enver Hoxhës për Josif Broz Titon se “na thuaj kur do bashkohemi” (dmth ne Shqipëria me Jugosllavinë) flet qartë se Enveri jo vetëm e kishte miratuar Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë por ajo që kërkonte ishte “të dinte Enveri datën e Bashkimit që të përgadiste ceremonialin”.

Pra për “faljen” e Shqipërisë Jugosllavisë kemi dy akte të pakonstetuar të Enver Hoxhës, një legal që është Traktati i Miqësisë me anekset e tij 33 Marrveshjet, dhe një akt ilegal tashmë i dekonspiruar nga arkivat, Letra e marsit të viti 1948 po e vetë Enver Hoxhës, e cila përshkruan hollësisht qëllimin, që ishte Bashkimi i Shqipërisë me Jugosllavinë. Këtë pra e zbulon qartë Letra e Enver Hoxhës, që “ka mbetur” inkonjito në Arkivë, e cila ashiqare ashiqare planin ogurzi të Enver Hoxhës, i cili bën fjalë për ta kthyer Shqipërinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë, akt që nuk u realizua plotësisht jo se “qëndroi” Enver Hoxha por për një nga arsyet gjeopolitike të kohës, nga rivaliteti individual Tito-Stalin. Këto nuk e bëjnë as më shumë as më pak, që nga Letra e Bashkimit apo të tjerat e Enver Hoxhës si për për suprimimin e Ushtrisë apo pushtimin e Korçës e të Shqipërisë me Divizionet ushtarake jugosllave, ato ishin një akt i lartë tradhëtie i Enver Hoxhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat