Kosova në krizë energjetike, por opozita po i shton gaz kësaj situate kritike

Opinione

Kosova në krizë energjetike, por opozita po i shton gaz kësaj situate kritike

Nga: Dedë Preqi Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 16:49
Dedë Preqi

Kosova edhe më herët ka pasur pengesa të shpeshta me furnizimin e energjisë elektrike, prandaj edhe një ndërprerje e tillë paraqet edhe llojin e vet të krizës në secilën lami dhe në secilin vend, sepse pothuaj se e tërë jeta njerëzore dhe zhvillimi i saj varet edhe nga shfrytëzimi i energjisë elektrike.

Edhe kohën e fundit në prag të festave të fundvitit Kosova, u gjend pa drita për shkak të mungesës së energjisë elektrike, me ç`rast qytetari i vendit me të drejtë i kthehet udhëheqjes dhe qeverisë së vendit, me shqetësimet dhe preokupimet e veta, të cilat janë edhe të arsyeshme, përveç tjerash, duke marrë parasysh edhe kohën e ftohtë të dimrit.

Por, përveç krizës energjetike të cilën deshtëm apo nuk deshtëm duhet ta pranojmë secili pjesën e vet të fajit, gjithnjë më kërcënuese dhe zhurmuese në këtë rast del opozita në Kuvendin e Kosovës, e cila vetë kjo opozitë që sot po bënë gjithë këtë zhurmë dhe po kritikon qeverinë aktuale, ishte ajo që e sjelli këtë krizë  me natyrën e saj të korrupsionit dhe të vjedhjeve në kohën e tyre në pushtet.

Kjo gjendje qëndron thjeshtë në një situatë mjaftë të pa përshtatshme dhe jo vetëm në kohën që jemi, por vendosja e saktë do të kishte qenë ajo e pranimit të gjendjes së dhënë nga pushtetet e mëparshme, që duhet ta vëmë në kontroll nga brenda, me ndihmën dhe përpjekjen e forcave të përgjithshme, jo vetëm nga pozita, por edhe opozita, e cila po paraqitet si e pa djallëzuar fare.

Le të kthehemi pakëz mbrapa dhe të kuptojmë se kush ia preu shiritin dështimit kësaj ndërmarrje për prodhimin e energjisë elektrike, duke ia shitur distribucionin e energjisë elektrike një pronari të Turqisë, në realitet dhëndëri të Erdoganit, për pak vlerë, poashtu në një formë të tillë jepet edhe Aeroporti  «Adem Jashari, në koncesion kompanisë turke të quajtur «Limak» për një përudhë 20 vjeçare, dhe ky ishte vizioni i pushteteve të kaluara, të cilët sot flasin dhe bërtasin në foltorën e Kuvendit, pa kurrfarë kriteri njerëzor, thua se populli i këtij vendi nuk i dallon dhe nuk i kupton se kush janë, dhe çfarë kanë vepruar në favor të këtij shteti dhe «mileti».

Qeveria e Kosovës, e mbështetur nga pushtetet e kësaj opozite të sotme, gjatë procesit të privatizimit të distribucionit të KEK-t, në vitin 2008-të, përveç asaj që e ka shitur me çmim shumë të ulët, edhe pse deri më tani askush nuk e dinë vlerën reale të saj, por më e dhimbshmja e gjithë kësaj është se, as që është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë dhe as që e ka marrë parasysh ndikimin e mundshëm që mund ta ketë edhe kriza globale për energjinë elektrike.

Në Kosovën e pasluftës, janë bërë shumë gabime të rënda me pasoja të mëdha ekonomike, në veçanti gjatë proceseve të privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore pa ndonjë analizë dhe pa ndonjë mbikëqyrje serioze të pushteteve të kaluara ndaj pasurisë së vendit tonë, dhe ky rrezik qëndron jo thjeshtë te njerëzit e një shoqërie të korruptuar, që kanë një horizont dhe vizion shkurtpamës, duke përfituar shuma marramendëse në kurriz të popullit të vet.

Është e qartë se bëhet fjalë vetëm për disa cekje të problemeve tona, që ka pësuar Kosova, nga këto forma dhe koncesione, por ti përgjigjesh në një mënyrë problemeve të tilla, do të thotë duhet të përshkosh pakëz edhe historinë e popullit tonë, i cili kishte qenë gjithherë «rob» i zënë në të kaluarën nga fuqitë e mëdha, dhe sikur ndikimi i kapitalit të tyre duhet të na bëjë rob edhe sot, thuaja se po arrin në një mënyrë edhe sot deri te kufijtë  ku ka shkelur më parë kjo kalorësi otomane, dhe kjo është një politikë e Erdoganit të sotëm, i cili po gjurmon rrënjët nga e kaluara, duke synuar përmes kapitalit të madh që ka, dhe përmes njerëzve labil në trojet shqiptare, do gjejë mbështetje që mos ta harrojnë vendin ku e kanë shkelur dhe ku e kanë djegur pa mëshirë…

Nga ana tjetër, Kosova nuk do ndjehet kurrë e vetmuar dhe as e shqetësuar për asgjë, përderisa është motër dhe vëllazëri e Shqipërisë, e cila për njëra-tjetrën nuk e kursen as jetën, prandaj në këto ditë krize të energjisë në vendin tonë, sipas kryeministrit Edi Rama, për këto ditë të festës të Vitit të Ri, do ta shërbejë me energji elektrike Kosovën, pa ndonjë kompensim dhe shërbim. Prandaj, i jemi mirënjohës popullit shqiptarë të Shqipërisë për këtë gjest vëllazëror, por edhe Edi Ramës, i japim komplimente vëllazërore, dhe në vitin 2o22, i urojmë një ndër më të mirat «shkurorëzim» me Vuçiqin,  do të ishte mesazhi më i bukur që buron nga zemra e shqiptarëve.

Prandaj, në këtë aspekt, shqetësimet për mungesën e energjisë elektrike mund të vijnë nga gjitha anët prej qytetarëve të vendit, por zhurma aq e madhe që po bëhet në drejtim të qeverisë Kurti, ka edhe diçka tjetër brenda saj, sepse këta zhurmagjinjë që po i japin aq «zor» kësaj çështje, nuk janë të pafajshëm, ose e kanë kuptuar se «grepi» i drejtësisë do i nxjerrë në lëndinë secilin mëkatar të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat