Aspekti planimetrik dhe aspekti stereometrik i këmbimit të territoreve

Opinione

Aspekti planimetrik dhe aspekti stereometrik i këmbimit të territoreve

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 26 janar 2022 Në ora: 17:07
Prof. Dr. Zija Lleshi

Këmbimi territoreve në mes dy shteteve nuk është një lloj këmbimi i “fushave të futbollit”. Ai këmbim në gjeometrinë e vetë nuk duhet të shikohet në aspektin planimetrik (rrafshor) por në aspektin stereometrik (hapësirës trodimensionale) dhe në dimensionin e tretë. Ky dimension i tretë në Kosovë çon deri te pasuritë e mëdha xeheroresh. Por para së gjithash këmbimi i territoreve duhet shikuar në aspektin politik dhe sociologjik. Në atë këmbim bashkë me sipërfaqen shkon edhe popullata.

Problemi iniciohet në mes shteteve si rrjedhojë e mostolerancës ndëretnike reciproke në mes etnive apo të vetë shtetit shovenist e racist ndaj pakicës etnike në atë shtet. Në të gjitha shtetet e botës ekzistojnë pakicat etnike si rezultat e zhvillimeve historike në ato shtete. Prandaj këso lloj këmbime territoriale në botë në aspektin stereometrik të ekuivalencës së pasurive për këmbim do të shkaktonin çrregullime marramendëse në tërë botën dhe do të sjellin destabilizim total në botë.

Për më tepër pakicat etnike duhet shikuar në kuptimin pozitiv. Ato nuk janë aspak të dëmshme, por përkundrazi janë ura lidhëse dhe ura miqësie e bashkëpunimi në mes shteteve fqinjë. Kështu që pakicat etnike nuk janë disavantazhë. Pakicat etnike janë pasuri dhe përparësi e shteteve fqinjë. Ato japin frymëzim pozitiv. Për këtë arsye janë shkruar Ligje Ndërkombëtare në mbrojtje dhe ndihmë pakicave etnike dhe të drejtave të tyre në shtetet fqinjë dhe paqes e stabilitetit botëror. Ata të cilët këtë nuk e kuptojnë duhet të revidojnë botëkuptimet dekadente të tyre. Këmbim të pakicave kërkojnë vetëm shtetet dhe qeveritë shoveno-etnonacionaliste, dhe shprehin mosgadishmërinë dhe kundërshtinë e tyre për respektimin e Ligjeve Ndërkombëtare për pakicat.

Serbia e din shumë mirë këtë. Serbia e din poashtu se pakica etnike serbe në Kosovë ka të drejta shumë më tepër se çdo pakicë tjetër në botë. Prandaj Serbia nuk e ka hallin e pakicës serbe në Kosovë. Serbia e ka hallin, etjen dhe lakminë e pasurive xeherore të Kosovës. Pakicën etnike serbe e ka vetëm si pretekst. Serbia e ka konsideruar Kosovën ca. një shekull si koloni të vetën dhe si “Afrikë e Bardhë” dhe i ka shfrytëzuar pasuritë xeherore të Kosovës. Çlirimi i Kosovës në vitin 2000 është edhe fundi i kolonizimit të Kosovës nga Serbia, kolonizim ky i përshkruar jo vetëm në literaturën e historiografisë shqiptare por edhe në atë të historiografisë serbe (Gjorgje Kërstiq, Kryetar i  Gjykatës Supreme të Serbisë, 1928, “Kolonizimi i Serbisë së jugut”).

Prandaj Serbia  e sotme, dikur, “Pashalluk i Beogradit”,  përpiqet kolonizimin ta zëvendësoj me këmbim të territoreve dhe prap të depërton në Kosovë dhe të ketë në pronësi të vetën pasuritë xeherore të Kosovës, që i kishte marr gjatë viteve 1912-13 me gjenocid ndaj shqiptarëve. Dr. Mijo Milas: “Gjenocidi i parë në Europë është gjenocidi që Serbia gjatë viteve 1912-1913 ka kryer ndaj shqiptarëve”. Kosova është dekolonizuar, por prapë me gjenocid. Ky është gjenocidi i dytë. Këmbimi i territoreve që Serbia kërkon ndaj Kosovës ka pikënisje botëkuptimin dhe mentalitetin kolonialist të Serbisë e gjendur në një situatë të re dekolonizimi. Serbia nuk kërkon këmbim të territoreve me Republikën e Maqedonisë Veriore, me Rumaninë ose me ndonjë fqinjë tjetër, që është shpjegimi më i mirë i motivit të Serbisë në raport me Kosovën dhe pasuritë xeherore të Kosovës.

Larg nga ne, atje në veri të Evropës, në Skandinavi, në pjesën më veriore të Suedisë, në kufi me Finlandën, Suedia disponon me pasuri të mëdha xeherore të hekurit, si dhe në të dy anët e kufirit Suedezo-Finlandez ka pakica etnike. Por Finlanda kurrë nuk e ka kolonizuar Suedinë, nuk ka krye gjenocid për grabitje, nuk ka vra burra, gra, pleq, fëmijë për qëllime grabitëçare dhe nuk shtron kërkesa për këmbim të territoreve, sepse ato i konsideron të pa drejta, absurde si dhe nuk vuan nga mentaliteti kolonialist.

Pakicat etnike në sistemin e vlerave që mbretërojnë në EU janë si kopshte me lule të ndryshme. Të gjitha shtetet e EU kanë pakica etnike ndërkufitare, tretmani ndaj të cilave është pasqyrë e EU dhe nuk bëjnë këmbime të territoreve.

Edhe Serbia duhet t´i zbatojë Ligjet Ndërkombëtare mbi pakicat etnike sikurse që i zbaton Kosova dhe të respektojë reciprocitetin e mbrojtjes dhe të drejtave të pakicave etnike, dhe në atë mënyrë të arrihet stabiliteti, paqe, siguria dhe bashkëpunimi në mes dy shteteve fqinjë. Ekzistojnë Ligjet Ndërkombëtare mbi pakicat etnike. Nuk ka Ligj Ndërkombëtar për këmbim të territoreve që të mos ekzistojnë pakicat etnike! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat