“Kosova, në NATO brenda 6 muajve”(!?) Deklarata e Putinit të vogël serb dhe strategjia ruse e shtrirjes së konfliktit në Ballkan pas Ukrainës

Opinione

“Kosova, në NATO brenda 6 muajve”(!?) Deklarata e Putinit të vogël serb dhe strategjia ruse e shtrirjes së konfliktit në Ballkan pas Ukrainës

Nga: Shaban Murati Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 08:10
Shaban Murati

Të gjitha mediat qeveritare dhe proqeveritare ruse në datat 20 dhe 21 shkurt u mbushën me alarmin e ri, që ngriti presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në një mbledhje publike në 19 shkurt se Kosovën sëshpejti do ta fusin në NATO.

“Unë pres që brenda gjashtë muajve Kosova të pranohet në NATO dhe të detyrojnë katër shtete, Greqi, Rumania, Sllovaki dhe Spanjë ta njohin Kosovën”- deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb nuk e shjegoi konkretisht se si do të ndodhë profecia e tij e “brenda gjashtë muajve” dhe si me Kosovën do të bëhet përjashtimi, që nuk është bërë për asnjë shtete anëtar të ri, që të pranpohet për gjashtë muaj, kur vetëm ratifikimi i dokumentave të pranimit nga parlamentet e 30 shteteve anëtare kërkon më shumë se një vit.

Presidenti serb nuk mund ta shpjegojë vërtetësinë dhe as burimet e alarmit të tij për Kosovën në NATO sepse ai ka vetëm qëllimin të nxisë Rusinë që të dalë kundër zgjerimit të NATO-s në Kosovë. Vetë Serbia nuk ka këllqe as të dalë kundër dhe as ta ndalojë procesin e natyrshëm të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Por ai po shpik çeshtje nga hiçi dhe në kulmin e histerise antiatlatike të Rusisë i çon asaj alarmin e rrezikut të zgjerimit të NATO-s në Kosovë.

Me këtë veprim të alarmit të rremë Beogradi ka dy objektiva: edhe të nxisë Rusinë të dalë zyrtarisht kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO, edhe t’i japë pretekst Rusisë të ndërhyjë në Ballkan.

Presidenti serb e ngriti alarmin për anëtarësimin “brenda gjashtë muajve” të Kosovës në NATO në përshtatje dhe në përputhje me interesat aktuale diplomatike dhe gjeopolitike të Rusisë.

Jemi në rrethanat ndërkombëtare të një krize të rëndë dhe të një konflikti të armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës, kur presidenti rus Putin urdhëroi në 21 shkurt pushtimin e dy krahinave lindore të Ukrainës dhe shpalli njohjen e dy krahinave separatiste si shtete të pavarura.

Një nga pretekstet, që përdori presidenti rus për të përligjur agresionin e dytë të Rusisë kundër Ukrainës është se NATO synon të anëtarësojë Ukrainën dhe Moska nuk mund ta lejojë këtë gjë.

Ka disa muaj që në qendër të konfliktit diplomatik dhe gjeopolitik midis Rusisë dhe NATO-s është çeshtja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe kjo është kërkesa e parë e planit ultimativ, që Rusia i drejtoi NATO-s dhe SHBA në 17 dhjetor 2021 për të ashtuquajturat garanci të sigurisë ruse.

Tani Putini i vogël serb po kërkon të imitojë Putinin e madh dhe po tenton të turbullojë ujrat në Ballkan dhe të shpikë një “casus belli” të re midis NATO-s dhe Rusisë me alarmin e tij të hyrjes së Kosovës në NATO brenda gjashtë muajve të këtij viti.

Serbia po i bën një shërbim të drejtpërdrejtë Rusisë dhe presidentit Putin, duke i ofruar “argumente të reja” në favor të kërkesave ruse për moszgjerimin e NATO-s në Lindje.

Në kohën që në tryezat diplomatike ndërkombëtare si ato NATO-Rusi dhe SHBA-Rusi në muajin janar 2022 është shtruar nga Moska kerkesa e moszgjerimit te NATO-s në Lindje, presidenti i Serbisë ngrihet befas dhe akuzon NATO-n se po zgjerohet në Kosovë.

Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “Ria Novosti” organizoi në 15 shkurt në Moskë një tryezë të rrumbullakët me studjues rusë dhe serbë lidhur me Kosovën. Në konkluzionet e transmetuara nga kjo agjenci thuhet se “NATO po forcohet në Kosovë” dhe se “baza amerikane “Bondstil” është faktori kryesor frenues i dialogut Serbi-Kosovë”.

Bizantinizmi i presidenti serb qendron në faktin që ai vetë nuk guxon të dalë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO, sepse nuk e pyet kush, por ia adreson Rusisë që të ngrihet ajo kundër dhe të ndërhyje në Ballkan kundër anëtarësimit atlantik të Kosovës dhe zgjerimit të NATO-s në Ballkan.

Dalja e presidentit serb me alarmin se Kosova do të futet në NATO brenda gjashtë muajve lidhet me strategjinë ruse të shtrirjes së konfliktit pas Ukrainës në Ballkan. Presidenti serb po kërkon të shtrojë terrenin diplomatik, politik dhe gjeopolitik për Rusinë që ajo të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Ballkan kundër zgjerimit të NATO-s në Kosovë.

Kjo “rrethanë e re” e paraqitur nga presidenti serb përmban justifikimin për një valë të re tensionesh ruse në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti serb po ëndërron që Rusia të zbatojë në Ballkanin Perëndimor skemën ukrainase. Rusia vërtet e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Vërtet Rusia aspiron që gjitha vendet ish-komuniste të Ballkanit të jenë sferë e influencës ruse.

Vërtet Rusia ka nënshkruar me Serbinë Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit, të cilin Serbia do të dëshironte që të përdorej nga Moska si pretekst për ndalimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Por presidenti serb harron që për Rusinë Ukraina është një gjë dhe Kosova është gjë tjetër.

Keshtu që endrra e tij që të provokojë Rusinë të përdorë skemën ukrainase në Ballkan për Kosovën mbetet një ëndërr në diell, e cila thjesht dëshmon recidivizmin e pashëruar shovinist të presidentit Vuçiç.

Putini i vogël i Beogradit po ëndërron skemën ukrainase të Putinit të madh të Kremlinit. Ëndrra është që skema ukrainase e Kremlinit t’i kthejë Serbisë ish-koloninë e saj, Kosovën. Është naive të besosh se Rusia mund të ndërmarrë gabimin e palejueshëm tragjik të një skeme ukrainase në Ballkanin Perëndimor.

Askujt në Moskë nuk mund t’i shkojë nëpër mend se Rusia mund të fusë trupat në Ballkanin Perëndimor për hatër të Serbisë për të ndaluar zgjerimin e NATO-s. Presidentit serb dhe ndokujt që e sheh Putinin si idhull i pathyeshëm i duhet kujtuar se ishte presidenti Putin, i cili në vitin 2003 largoi forcat ruse nga Kosova.

Lojrat e vogla ballkanike, që luan presidenti serb, mbeten në ligen e tretë diplomatike të Ballanit Perëndimor. Ai po çfaqet hapur si ushtar lokal antiatlantik i Rusisë, duke qenë në rezonancë me histerinë antiatlantike të Moskës.

Kaq përunjëse është politika dhe profili i presidentit serb, sa që edhe tani që Rusia pushtoi territoret lindore ukrainase, ai mbajti anën e Rusisë. Në datën 22 shkurt Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të bashkohet me sanksionet e reja që BE do të ndërmarrë ndaj Rusisë si ndëshkim për agresionin e saj të 21 shkurtit, për pushtimin e krahinave ukrainase dhe njohjen e shkëputjes së tyre.

Në mënyrë megallomane presidenti serb u lavdërua se atij i kishin ardhur telefonata dhe i ishte bërë presin nga vendet perëndimore që të bashkohej me sanksionet e reja kundër Rusisë, por ai kishte refuzuar.

Kryetari i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç në 22 shkurt shprehun hapur anësinë e Serbisë me Rusinë dhe deklaroi: “Si mund të bëhemi ne me ata, që duan ta sulmojnë Rusinë, kur Rusinë e mbështet 90 përqind e populllit serb?”. Ndërkaq deputetët e partisë së Vuçiçit në 21 shkurt nisën telegramet e urimit në adresë të separatistëve, që Kremlini i njohu si shtete të pavarura.

Është sinjifikative që presidenti serb e ka nisur fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit në Serbi me një platformë antiatlantike. Në 19 shkurt në një mbledhje publike Vuçiç deklaroi se populli i Serbisë nuk do dhe nuk do të hyjë kurrë në NATO. Ai shkoi edhe më tej, duke shtjellur fantazinë e tij antiatlanike për ngjarjet e vitit 1999.

Presidenti serb po e paraqet Serbinë me pozën e viktimës, që gjoja ka vuajtur nga agresioni i NATO-s. Vuçiç paraqet një narrativë historike të shtrembëruar në stilin millosheviçian për ato ngjarje dhe mohoi se në Kosovë ka pasur gjenocid apo katastrofë humanitare.

Sipas tij nuk kanë ekzistuar as agresioni serb dhe as krimet e përbindëshme në Kosovë të forcave ushtarako-policore të qeverisë së Millosheviçit, ku Vuçiç ka qenë ministër.

Nuk mund të pritet pohimi i së vërtetës nga ministri i Millosheviçit, i cili në vend të pendesës dhe kërkimit të faljes për krimet në Kosovë, merr guximin të shtrembërojë historinë e freskët. Apologjia e krimit nga ana e Vuçiçit arriti në 19 shkurt në atë pikë sa që sulmoi kancelarin e Gjermanisë, Oto Sholc, pse i kujtoi presidentit rus Putin gjenocidin serb të vitit 1999 në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin rus në 15 shkurt, kur Putini akuzoi NATO-n se ka ndërmarrë veprime luftarake kundër Jugosllavisë dhe ka bombarduar Beogradin, kancelari gjerman iu përgjigj aty për aty: ”Jugosllavia ishte kërcënimi dhe rreziku i gjenocidit dhe kjo ishte e nevojshme të ndalohej”.

Kjo e vërtetë historike i djeg ministrit të Millosheviçit, sot president i Serbisë, ndaj sulmoi kancelarin gjerman, pse i kujtoi botës të vërtetën e krimit shtetëror serb të vitit 1999.
Në konuikturat e tanishme të acarimit të marrëdhënive midis NATO-s dhe Rusisë për pushtimin e Ukrainës dhe në përplasjen e re të ashpër gjeopolitike Perëndim-Rusi, presidenti i Serbisë po luan rolin e ushtarit të Kremlinit në Ballkanin Perëndimor. Vuçiç po krijon vatrën e re të tensionit antiatlantik në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që të zgjerojë mundësitë e një ndërhyrje dhe të një lufte të re hibride ruse në rajon.

Ndaj Vuçiç ndërmori në 21 shkurt edhe aktin teatral të vënies në gatishmëri luftarake të të gjitha forcave të armatosura serbe, në një kohë që Serbia është aleate e Rusisë dhe nuk ka kërcënim rus për Serbinë.

Nuk eshte e rastit që presidenti serb po rakordon agresivitetin ushtarak serb me agresivitetin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Në datën 19 shkurt presidenti serb lëshoi një kërcënim të ri ushtarak në drejtim të gjithë rajonit. “ Pas disa ditësh do të shihni se sa e fuqishme është Serbia dhe do t’ju gëzojmë me disa sisteme armësh, të cilat përfaqësojnë një nga armatimet më të fuqishme sot në botë”- deklaroi Vuçiçi.

Është një kërcënim i ri, që duhet të tërheqë vëmendjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe shtetet e tjera të NATO-s në rajon. Serbia nuk po armatoset me “ armët më të fuqishme të botës sot” për sytë e bukur të “Ballkanit të hapur” dhe as për katër liritë jugosllave të tij.

Serbia po armatoset kundër NATO-s dhe shteteve të NATO-s në Ballkan. Po armatoset kundër Kosovës dhe kundër Shqipërisë. Qeveria e Tiranës duhet të ulet me këmbë në tokë dhe të shohë në sy rreziqet serbe në drejtim të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar.

Serbia dhe Rusia po bashkëpunojnë me shpejtësi për të krijuar pretekste artificiale të tensioneve dhe të ndërhyrjes. Nuk qe thjesht lajthitje informative ajo e ministrit të jashtëm rus Lavrov në 18 shkurt se në Ukrainë ka mercenarë nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Menjëherë pas tij për ta fryrë çeshtjen u ngrit presidenti serb Vuçiç në 19 shkurt dhe njoftoi se do të kërkojë në Moskë informacione për mercenarët nga Kosova në Ukrainë. Në fakt e ka më lehtë të shikojë inormacionet e publikuara në mediat botërore për qindra mercenarët serbe, që kanë tetë vjet që luftojnë përkrah forcave separatiste ruse në Ukrainën Lindore dhe janë rekrutuar nga kompania e njohur privato-shtetërore ruse e mercenarëve “Vagner”.

Për t’i dhënë një nivel më të lartë agazhimit të Serbisë në funksion të strategjisë ruse të tensioneve nga Ukraina në Ballkan, presidenti serb doli me shpalljen se Kosova brenda gjashtë muajve do të hyjë në NATO. Është një alarm gjeopolitik fals i Serbisë, e cila nuk mund të arrijë qëllimet e tij.

Kosova është shteti, i cili është gati me popull dhe me autoritete të hyjë që nesër në NATO dhe është e kuptueshme për një shtet, të cilin e çliroi NATO nga kthetrat e përgjakëshme të Serbisë.

Por anëtarësimi në NATO ka rregulla, kritere, procedura dhe procese. Natyrisht varet nga Aleanca Atlantike se kur do të vijë ai moment. E vërteta është se Kosova proatlanike dhe properëndimore nuk mund të rrijë si gropë e zezë jashtë arkitekturës atlantike të sigurisë dhe anëtarësisë në NATO.

Ajo që mund të thuhet është se ka ardhur koha që NATO të gjejë një modus vivendi lidhur me pengesën e anëtarësimit të Kosovës, që përbën mosnjohja e saj nga katër shtete anëtare. Diplomacia e vendeve kryesore perëndimore anëtarë të NATO-s ka aftësinë dhe vizionin krijues që të gjejë format që Kosova të arrijë te anëtarësimi në NATO.

Është realieti, ku Kosova do të jetë pjesë një ditë dhe sa më shpejt të jetë ajo ditë, aq më mirë është për Aleancën Atlantike. Ky është mësimi që del nga agresioni i ri rus në Ukrainë dhe nga kërcënimi i ri konkret, që i kanoset Europës dhe Perëndimit. Kosova i përket NATO-s dhe Kosova është NATO./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat