Neo-komunisti i thekur, ish ministër i jashtëm i Shqipërissë, Paskal Milo, e paska shkrepur broçkullën e radhës për Dr. Ibrahim Rugovën, siç shkruante dje “Koha Ditore” online, i cili në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, paskësh thënë se: “Me Ibrahim Rugovën, pavarësia e Kosovës zor se do të realizohej..”, një konstatim ky i rremë nga një profesor dallkauk, siç po tregohet të jetë z. P. Milo, dhe krejtësisht i paqëndrueshëm politikisht, faktikisht dhe historikisht, sidomos kur bëhet fjalë për kontributin e jashtëzakonshëm që lideri historik i shqiptarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e ka dhënë për pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi barbarë i Serbisë..!?
Se ky vlerësim i P. Milos është një falsifikim i historisë së përpjekjeve shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi, në veçanti kur bëhet fjalë për rolin dhe aktivitetin intelektual, politik, diplomatik dhe kombëtar të Dr. Ibrahim Rugovës në periudhën kohore 1988 – 2006, si kundër fakte mund t’ia sjellim me dhjetëra dëshmi të cilat flasin qartë, se pa rolin, punën, angazhimin, aktivitetin politik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare të Ibrahim Rugovës, shumë zor se pavarësia e Kosovës do të ishte bërë realitet, pra e kundërta e asaj që e thotë P. Milo. Po shkojmë radhasi;
Së pari,
ishte pikërisht Ibrahim Rugova i pari intelektual shqiptar i Kosovës, i cili në takimin e poetëve shqiptaro-serb i mbajtur në Novi Sad në vitin 1988, që e shtroi hapur dhe me guxim kërkesën e dy milion shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi nga shteti i ish Jugosllavisë, duke marrë aty për aty përkrahjen edhe të disa poetëve kroatë dhe slloven, gjë që askush nga politikanët dhe udhëheqësit shtetëror shqiptar të asaj kohe, nuk kishte guxim që çështjen e pavarësisë (shkëputjen) e Kosovës nga ish Jugosllavia komuniste ta shtronte hapur si kërkesë e 2 milion shqiptarëve pranë institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë.
Së dyti;
me rastin e themelimit të partisë së parë pluraliste në Kosovë, të LDK-së me 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë, asnjëri nga intelektualët e asaj kohe, përfshirë Prof. Rexhep Qosjen, Jusuf Buxhovin, Bujar Bukoshin dhe disa të tjerë, nuk e kishin guximin që ta pranojnë postin e kryetarit të saj në rrethanat e një aparthejdi të rënd nën regjimin kriminal të Serbisë, përveç Dr. Ibrahim Rugovës, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, ku në Kuvendin themelues të LDK-së me aklamacion do zgjidhet kryetar i saj.
Po ashtu, ishin 80 deputetët e ish Kuvendit të Kosovës në krye me z. Iljaz Ramajli, ata të cilët me 7 shtator 1990, ku gati të gjithë ishin anëtarë të LDK-së, në Kaçanik e shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, meqë rast e aprovuan edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila edhe sot njihet me emrin; Kushtetuta e Kaçanikut, si akti i parë i pavarësisë së Kosovës.
Së treti;
Ibrahim Rugova, në qershor të vitit 1991 do të zgjidhet prapë me aklamacion, kryetar i Forumit te të gjitha partive politike shqiptare në ish Jugosllavi, meqë rast do aprovohet edhe Programi i veprimit politik gjithë-shqiptar si dhe vendimet për mënyrat e rezistencës kundër masave pushtuese dhe terrorit shtetëror të Serbisë në Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare në ish Jugosllavi. Janë të njohura vendimet historike për themelimin e Mbrojtjes territoriale (popullore) në gjithë Kosovën në krye me ushtarakun, Mehmet Hajzerin, siç u formua me pëlqimin e Ibrahim Rugovës edhe Sindikata e policisë së Kosovës, në fakt, Ministria e punëve të brendshme, në krye me Jonuz Terstenën, pastaj organizimi i pavarur i arsimit në të gjitha nivelet shkollore i ndarë nga sistemi arsimor ish jugosllav, shëndetësia, administrata lokale, kur gjatë vitit 1991 do merret vendimi historik nga LDK-ja dhe kryetari i saj, Dr. Ibrahim Rugova, për themelimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, me seli në Gjermani, për shkak të rrethanave okupuese në Kosovë. Po ashtu do të themelohen degët e saja në të gjitha komunat e Kosovës si dhe degët në të gjitha shtetet perëndimore dhe tej-oqeanike e deri në Australi dhe Zelandën e Re. Pra, të gjitha këto akte dhe veprime të ndërmarra në mënyrë të pavarur nga regjimi okupues i Serbisë fashiste, të njohura si organe paralele të Republikës së Kosovës, madje të cilën në vitin 1991 Parlamenti i Shqipërisë e kishte njohur si shtet të pavarur, fakte këto që i injoron sot qëllimisht, mbase as nuk i interesojnë fare “historianit” Paskal Milo, meqenëse është fakt se socialistëve neo-komunist të Tiranës, fama dhe emri i Dr. Ibrahim Rugovës edhe nga varri, ua zënë frymën bashkë me diellin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila nuk do bëhej kurrë pa kontributin dhe filozofinë e tij çlirimtare, kur thoshte, se “pragun e shtëpisë shqiptarët duhet ta mbrojnë sa herë që rrezikohet jeta e tyre..”!?
Së katërti,
dhe jo e fundit; është kaptinë në vete, dhe këtë e dinë mirë e gjithë bota perëndimore, me përjashtim të anti-rugovistëve, se aktiviteti dhe angazhimi i Dr. Ibrahim Rugovës në planin diplomatik dhe arenën ndërkombëtare, në veçanti me vizitat e panumërta dhe bisedimet e tij me liderët e vendeve më të fuqishme të botës siç janë SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Kanada, etj., me mençurinë dhe urtësinë e tij prej lideri të madh nacional, ka bërë që dikur armiqtë e kombit shqiptar si në Kongresin e Berlinit (1878) dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), përveç Amerikës, t’ia del me shumë sukses që katër fuqitë e mëdha evropiane të cekura më lartë, t’i kthej në miq të vërtetë të Kosovës, gjegjësisht në favor të kauzës së Kosovës, dhe kjo kthesë e madhe është parë me rastin e pjesëmarrjes së tyre aktive në bombardimin e Serbisë kriminale në kuadër të aleancës së NATO-s. Ishte po ashtu asokohe, presidenti Ibrahim Rugova, i pari lider shqiptar i cili ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO si dhe vendosjen e saj nën protektoratin ndërkombëtar të OKB-së.
Pra, të gjitha këto veprime dhe suksese politike dhe diplomatike të liderit dhe presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova në planin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, pa asnjë dyshim, se i kanë paraprirë dhe përgatitur terrenin për fillimin e luftës sonë të armatosur, në fillim e udhëhequr nga heroi Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Sali Çekaj, etj., të cilët qysh në kohën e ushtrimeve ushtarake në Shqipëri me 1991, i kishin filluar aksionet e para ushtarake kundër regjimit barbarë të Serbisë në Kosovë, që në fakt ishte fillimi i luftës sonë çlirimtare, e cila me mençuri të presidentit Ibrahim Rugova u shty derisa përfunduan luftërat e përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje, duke e shpëtuar Kosovën dhe shqiptarët nga zhbërja e tyre fizike dhe etnike!
Pra, të deklarosh sot me kaq injorancë dhe herezi, siç paska tentuar prapë Paskal Milo që t’i ndryshojë faktet e historisë së luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja gjatë vitit 1998/99, përveç se është pafytyrësi politike dhe morale, në fakt, tregon edhe njëherë në mënyrë të qartë, se politikanët e Shqipërisë, në veçanti kasta socialiste, neo-komuniste në krye me Edvin K. Ramën, përveç se nuk i kanë njohur kurrë si duhet rrethanat politike dhe vuajtjet e kosovarëve nën okupimin e rënd të Serbisë, por as heroizmin e vërtetë të kosovarëve, siç na quajnë edhe sot, duke i shtrembëruar gati gjithmonë faktet e historisë së Kosovës si dhe të luftës mbi dy shekullore të kosovarëve për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar..!?