Vdiq me sytë çelë, që nuk i pa para drejtësisë kriminelët që ia vranë djalin!

Opinione

Vdiq me sytë çelë, që nuk i pa para drejtësisë kriminelët që ia vranë djalin!

Nga: Faton Mehmeti Më: 15 maj 2022 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Mjaft priti, malli për të takuar të birin e mundi pritjen për drejtësi, andaj, nëna Nexharije iku nga padrejtësia për të takuar të birin. Për 17 vjet me radhë çdo ditë zgjohet me shpresën se ata që urdhëruan dhe ata që e vranë Bardhylin do të dalin para drejtësisë, me zemrën e pikëlluar në pritje të freskisë, e cila nuk erdhi asnjëherë.

I vranë djalin, gazetarin e “ Bota Sot”, Bardhyl Ajetin, jo se i kishte borxh dikujt, jo se i hyri në hak dikujt, jo se i beri keq ndokujt, e vranë për të vërtetën, fjalën e lirë. Bardhyl Ajeti është sinonim i gazetarit trim, njeriut që nuk kurseu as jetën për fjalën e lirë. Bardhyli duhet të kujtohet dhe nderohet, të jetë frymëzim për gazetarët e rinj se si duhet mbrohet e vërteta. Kjo gjë e ngushëllonte nënë Nexharijen, jo e mjaftueshme për të lehtësuar sado pak shpirtin e saj, në mungesë të drejtësisë ata që urdhëruan dhe vranë Bardhylin janë të lirë, gjithnjë shpresa na mban se do të dalin para drejtësisë.

Jo vetëm Bardhyli, gazetës “Bota Sot” i janë vrarë edhe Bekim Kastrati dhe Xhemail Mustafa, për të cilët drejtësia nuk e ka thënë asnjë fjalë deri sot. Si asnjë medie tjetër jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, “Bota Sot” e ka paguar me gjak lirinë e fjalës, të vërtetën e nëpërkëmbur.

Nuk mund të ketë Kosovë të liri, as liri të medieve pa u zbardhur se kush e vrau Bardhylin dhe të tjerët, të cilët u vranë se thanë të vërtetën, e vërteta që më së shumë se kurrë i mungon shoqërisë dhe popullit të Kosovës.

Është e rëndë për një nënë të varros djalin e saj në moshën më të mirë të jetës, duke shuar ëndrrat e saja për të martuar djalin me nipat dhe mbesat e ëndërruar, e të cilat mbetën vetëm ëndrra. Kriminelet ia morën jetën Bardhylit, harruan se e vërteta nuk vdes, nuk vritet, ajo lartësohet, del në pah çdo ditë e më shumë. Vërtet Bardhyli iku nga kjo botë, vepra dhe guximi i tij janë udhërrëfyes.

Nënë Nexharije iku me sy çelë për të vërtetën e munguar, iku me mall që nuk i pa kriminelët që i vranë djalin prapa grilave. Këtu drejtësia është e kapur, mbase në Hagë do të del e vërteta për shumë vrasje të pas-luftës, ndër to edhe e Bardhylit. Derisa të del e vërteta, syri i çelur i nënë Nexharijes do i ndjek pas kudo që të jenë kriminelët që ia shuan jetën djalit të saj , gazetarit të “ Bota Sot”, heroit të fjalës së lirë, Bardhyl Ajetit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat