Edi Rama, mos jep vetëm shifra turistësh të huaj, por edhe nga ato për keqqeverisjen tuaj!

Opinione

Edi Rama, mos jep vetëm shifra turistësh të huaj, por edhe nga ato për keqqeverisjen tuaj!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 gusht 2022 Në ora: 08:22
Xhevat Mustafa

Për të mbuluar me gjethe fiku atë që shikohet vërtetë në shumicën e plazheve shqiptare, sidomos të bregdetit të Jugut, pra boshësinë e tyre, kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër detyrën apo misionin e kotë, sidomos këto ditët e fundit, "të numërojë" turistët e huaj, britanikë, spanjollë, francezë, gjermanë... Përgjithësisht e ka bërë këtë punë pa “u kujtuar” të interesohet se sa janë vërtetë të huaj e sa janë shtetas të nga këto vende, por me kombësi shqiptare, emigrantë shqiptarë të pas 1990-tës apo kanë ardhur nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia...! Nuk mund ta ndalojmë dhe kritikojmë për këtë, sepse rrallësia e pushuesve në plazhe, na dëmton buxhetin qeverinë, shtetin, xhepin..., sepse mbushen e mbijetojnë edhe nga taksat prej objekteve, resorseve apo komplekseve turistike! Por, nuk i bëhet keq, në të kundërt vetëm mirë, nëse Edi Rama gjen kohë të kërkojë e publikojë edhe disa shifra të tjera. Kështu, ai mund të interesohet për të marrë dhe publikuar shifrat e sakta të dhjetra shqiptarëve, që ikin si emigrantë për ditë nga Rinasi, nga porte e nga pikat kufitare tokësore për në Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë, Angli, Suedi, Finlandë, Kanada, SHBA...dhe se sa kanë ikur gjatë 9 vjetëve! Gjithashtu, Edi Rama mund të kërkojë të dhëna të sakta për shifrën e familjeve që jetojnë në ose nën nivelin minimal të varfërisë me paga rreth 250- 300 mijë lekë të vjetra një familjar ose burrë e grua, me nga 2 fëmijë, me rreth 500 mijë lekë të vjetra. Ose, me pensione në rreth 150- 200 mijë secili ose në rreth 300- 400 mijë si çift...Këto paga e pensione qysh nga fillimi i pandemisë së covid 19 e sidomos me fillimin e pushtimit rus të Ukrainës janë "zvogëluar" apo bërë të pamjaftueshme për jetesë normale nga rritja e çmendur e çmimeve, deri në 50- 100%,. Kjo ka ndodhur me vajërat e lulediellit apo të misrit, me mishërat, qumështin, mjaltin, djathërat e bardhë e kaçkavall, me disa zarzavate, perime, fruta, artikuj kozmetike, higjene, ilaçe...; me karburantet...

Po kështu, sa është shifra e saktë apo edhe e përafërt, allainsigçe, e familjeve varfanjake shqiptare, që mbijetojnë me lëmoshat me ushqime veshje apo financiare nga xhamitë, kishat, teqetë apo nga bamirës të tjerë...Përse jo, edhe sa është numri i kryefamiljarëve dhe individëve që jetojnë më keq se qentë dhe macet me shumën qesharake të mbështetjes sociale në rreth 75 mijë lekë të vjetra??? Gjithashtu, mund t’i kërkojë Erion Veliajt dhe kryebashkiakëve të tjerë socialisto-rilindas dhe bëjë të njohura në media edhe shifrat e atyreve që rrëmihin përditë, edhe me kokat e duart brenda nëpër koshat e plehrave, edhe afër kryeministrisë e bashkisë në qendër të Tiranës...!

Meqenëse shkrihet pas shifrave, Edi Ramës mund t’i kujtojmë që të urdhërojë vartësit e tij t’i tregojnë ndershmërisht se sa është sot, më 15 gusht 2022 shifra e saktë e borxhit publik dhe sa ishte 9 vjet më parë, më 15 gusht 2013. Po kështu, meqenëse po tretet si qiri nga dashuria për “Ballkanin e hapur”, le të pyesë të mirinformurit e shumtë që ka përreth që t’i tregojnë saktësisht se sa fish më i lartë është volumi i eksporteve nga Serbia për në Shqipëri në krahasim me atë nga Shqipëria për në Serbi...Sipas disa zërave jo qeveritarë, deri në nënëtor 2021, ka qenë rreth 8 herë më i lartë në favor të Serbisë...

Por, prej Edi Ramës priten të bëhen publike edhe shifrat e viktimave të përditshme të aksidenteve automobilistike; të vrasjeve me armë zjarri, tritol, armë të ftohta...si dhe të të vetëvrarëve, më së shumti nga depresioni i papunësisë, varfërisë, kotësisë dhe pasigurisë së jetës...! Edi Rama nuk do të bënte keq sikur të numëronte e të jepte shifra të sakta edhe për të hetuarit me vite, pa u dënuar për "akuzat e pavërtetuara" apo kaluara sa nga një prokurori tek tjetra për trafiqe drogërash Shqipërie, Ekuadori, Meksike, Kolumbie...! Apo për inceneratorë "në punë 24 orë" vetëm në letra dhe dosje!

Njëkohësisht, do t'i ishim mirënjohës edhe nëse kërkon e publikon të dhëna të sakta për "investitorët strategjikë" shqiptaro- rilindas e të huaj, që u janë falur prej qeverisë së tij qindra mijëra metra apo qindra kilometra katrorë toka, bregdet, det...Nga Edi Rama priten shifra të sakta edhe se sa familjarë, kushërinj, miq, shokë, ortakë...të drejtuesve të lartë të PS- rilindjes, të deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve...janë të punësuar në të njenjtët dikastere dhe institucione me ata ose në 3-5 bordero, pa i parë zyrat dhe karriket e tyre asnjëherë me sy!

Ohuuu..., sa shumë shifra e lista për shumë të vërteta lakuriq priten të zbulohen e publikohen nga "krahë" e zëdhënësa të tij apo nga Edi Rama dora vetë!!! Sikur të angazhohet vetëm për këto të vërteta, mund t'i humbnin shumë ditë e netë pa mundur të vrasë mendjen për t'ia lehtësuar sado pak 1001 hallet e mbijetesës së përditshme allashqiptare shumicës së popullit të shkretë!!!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat