Asociacioni një substrat politiko-juridik kuazi shtetëror

Opinione

Asociacioni një substrat politiko-juridik kuazi shtetëror

Nga: Prof.Dr.Mazllum Baraliu Më: 9 shtator 2022 Në ora: 19:00
Autori prof.Dr.Mazllum Baraliu

4.2.1.4.Një pjesë e tekstit të pikës 2 të marrëveshjes ka të bëjë me modalitetin e shpërbërjes së Asociacionit. Në të vërtetë sipas këtij formulimi: “shpërbërja a asociacionit mund të bëhet VETËM ME VENDIM TË KOMUNAVE PJESËMARRËSE”.

Duke qenë shumë problematik, ky formulim do të thotë se, nëse organet e Asociacionit tejkalojnë kompetencat e tyre që i kanë me statutin eventual ose me ligj, si bie fjala marrja dhe shpallja e ndonjë vendimi për ndonjë “autonomi territoriale” ose edhe të ndonjë “republike” eventuale, siç ekzistojnë tendencat, (së paku nga Beogradi zyrtar, por edhe nga disa qarqe vendore të indoktrinuara nga Beogradi) e planet potencialisht shumëfish të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj, organet dhe as institucionet e Republikës së Kosovës, sipas kësaj dispozite të marrëveshjes, nuk kanë të drejtë që ta shpërbëjnë asociacionin. A nuk mjafton kaq për tu bërë puna suflaq, pa dyshim që po. Madje mjafton e tepron. Mirëpo me këtë rast ka diçka tjetër shtesë, që do të duhej veneruar, shpjeguar dhe kuptuar.

E kjo është ajo e drejta e famshme e VETOSË, e cila rezulton nga formulimi që po e trajtojmë, respektivisht nga kjo marrëveshje, saktësisht metastazike – për nga dispozitat dhe përmbajtja e saj. Pra, trumbetimet e disa nga eksponentëve pjesëmarrës të kësaj e këtyre marrëveshjeve, si reagim ndaj opinionit publik, jo rrallë herë shpupurisnin duke u krekosur se: “Çfarëdo vendimi eventual që dikush mund ta marrë për ta avancuar asociacionin- pasi që ai të themelohet le të themi në një modalitet tjetër qeverisës, siç thuhej e thuhet edhe tani ndonjëherë –bie fjala shndërrimi avancues i asociacionit në një republikë eventuale të Serbëve në Kosovë, ata do ta shpallnin nul - pa vonesë atë farë lloj vendimi”. Por, nëse një herë formohet ai asociacion ashtu siç janë dakorduar me marrëveshjen në shqyrtim - të dy palët në Bruksel, duke e pasur të drejtën e vetos - që në brendi të marrëveshjes, asnjë organ a institucion – me efektivitet të plotë, nuk do të mund tua prish vendimet e tilla organeve të asociacionit.

4.2.1.5. Për më shumë së kaq, formulimi pasues i kësaj pike të marrëveshjes; në një mënyrë të pazakontë; sa konfuze po aq edhe ambiguitive, asociacionit i jep ingerenca dhe garanca, siç thuhet në tekst: “ligjore përmes ligjit aplikues dhe të drejtës kushtetuese” (përfshirë rregullën për shumicën prej dy të tretave (2/3).

Edhe kjo dispozitë fantome, si e tillë bën pjesë në numrin e atyre dispozitave a pikave të marrëveshjes, që kanë përmbajtje semantike ambiguitive, që sjellin mjegull e tym të lexuesi e sidomos të zbatuesi i tyre. Jo rrallë herë në shtyp, janë përvjedhur edhe shkrime e diskurse, të cilat ngërthenin edhe brendi, të cilat aludonin se këtu bëhet fjalë për një ligj kushtetues i cili do të mund të jetë projektuar nga dikush si një akt më i lartë juridik-rregulativ i asociacionit, por që ne ndërkohë, formulime të tilla mjegulluese dhe perfide, do të mund të shtyheshin në brendinë e tekstit të statutit eventual të asociacionit dhe më pas të manipulohej edhe shteti i Kosovës edhe qytetari ynë , se kinse kjo që po tentohet të zbatohet nuk është as më pakë dhe as më shumë se sa teksti i shkruar dhe i pranuar nga përfaqësuesit tanë në takimet, rrjedhimisht marrëveshjet e tona në BRUKSEL. Ashtu sikurse dispozitat e sipërelaboruara edhe kjo dispozitë, në tërësi është shumë e dëmshme, por edhe e papranueshme.

4.2.1.6.Në pikën tre (3) të marrëveshjes së parë të Asociacionit, rrjedhimisht të kinse parimeve të saj, thuhet se struktura e Asociacionit, do të themelohet mbi të njëjtën bazë, si edhe ajo e statutit ekzistues të Asociacionit të komunave të Kosovës. Mirëpo kjo kinse faktografi e përpiluesve të marrëveshjes nuk qëndron, sepse nga dispozitat e tjera të kësaj marrëveshje dhe të marrëveshjes së dytë të parimeve të vitit 2015., mund të konkludohet pa mundim të madh diçka krejt tjetër dhe ndryshe. Pra, të asociacioni në trajtim, në të vërtetë kemi të bëjmë me struktura autonome- vetërregullative-territorialisht dhe substancialisht vetëpërcaktuese dhe vetëvendosëse; rrjedhimisht kemi të bëjmë me një substrat politiko-juridik kuazi shtetëror me tendencë dhe plan, që në një kohë a çast të volitshëm, po ky asociacion eventual, të vetëshpallet dhe të funksionojë si republikë më vete dhe si e pavarur.

4.2.1.7. Marrëveshja në shqyrtim, në pikën 4 të saj, komunave pjesëmarrëse apo që anëtarësohen eventualisht në Asociacion, ua njeh të drejtën e bashkëpunimit të tyre reverzibil. Synimi dhe qëllimi i këtij lloj bashkëpunimi horizontal i komunave pjesëmarrëse në Asociacion, sipas përpiluesve të marrëveshjes është ushtrimi kolektiv i kompetencave të tyre - përmes asociacionit.

Sa i përket bashkëpunimit të komunave, teksti i pikës 4 të marrëveshjes, është absolutisht i panevojshëm dhe duplifikues. Përse ? sepse, kjo çështje është e rregulluar mjaft mirë mjaftueshmërisht me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen lokale në Kosovë, sipas të cilit: “komunat mund t’ju ofrojnë anëtarëve të tyre një numër shërbimesh, duke përfshirë këtu trajnimin, ngritjen e kapaciteteve, ndihmën teknike …, në pajtim me ligjin.

Dispozitat e nenit 31 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale në Kosovë , komunave të Republikës së Kosovës ua lejojnë mundësinë, rrjedhimisht të drejtën e tyre për të formuar asociacion – për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta - në pajtim me ligjin. Edhe në pikën 9.1. të Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe në pikën 10.1. të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale[1] - është paraparë një mundësi e tillë.

Kushtetuta e Kosovës, në dispozitat e saj të nenit 124.2.., të saj (Organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale). themelimi i komunave, kufijtë e komunave; mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tyre, rregullohen me ligj. Sipas paragrafit 4 të po të njëjtit nen të Kushtetutës: “Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar, kuptohet në pajtim të plotë me ligjin. Bashkëpunimi ndërkomunal (horizontal) dhe ai komunal ndërkombëtar në Republikën e Kosovës, përveç se me Kushtetutë, është rregulluar edhe me Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, si dhe me aktet e tjera sekondare për zbatimin e këtij ligji.[2]Sipas dispozitave të Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, po ky bashkëpunim, në realitet përcakton marrëdhëniet e vendosura midis dy apo më shumë komunave të Kosovës - në bazë të marrëveshjes për ushtrimin më efikas dhe më efektiv të kompetencave dhe detyrave vetanake, por edhe atyre të zgjeruara të komunave të Kosovës, të përcaktuara me ligj, si dhe për realizimin e interesave dhe qëllimeve të tyre të përbashkëta - në fushën e shërbimeve publike komunale dhe ato të zhvillimit lokal (neni 3 i Ligjit).[3] Bashkëpunim (horizontal) ndërkomunal sipas legjislacionit tonë pozitiv, mund të realizohet nëpërmjet organeve dhe institucioneve të përbashkëta- mikse, ndërmarrjeve të përbashkëta publike, partneriteteve publiko-private; si dhe formave, modaliteteve dhe mekanizmave të tjerë nga më të ndryshëm, me qellim të arritjes sa më avancuese e gjithëpërfshirëse të interesave , kërkesave dhe nevojave, parësisht të qytetarëve, por edhe të komunave të ndryshme të vendit.[4]

Prandaj, derisa bashkëpunimi horizontal efikas dhe efektiv në mes të Komuna -ve të Kosovës, në mënyrën më të mirë dhe të avancuar të mundshme, është rregulluar dhe mundësuar me ligjet dhe dokumentet e tjera relevante, përse u dashka që në mënyrë duplifikuese - dubioze dhe mbivendosëse edhe brenda një njësie a organizmi tjetër “vetëqeverisës”, fantom, jashtëkushtetues, subsumues dhe sublifikues, siç është Asciacioni në fjalë, të rirregullohet, të extrarregullohet ose edhe të plus rregullohet - dyfishimi i një bashkëpunimi i cili si i tillë është edhe i tepërt, edhe i panevojshëm edhe i çekuilibruar.

4.2.1.8. “Ushtrimi kolektiv i kompetencave” të komunave, siç thuhet në pikën 4 të marrëveshjes, për sa i përket bashkëpunimit, devijon larg substancës rregulative, por edhe të Kartës evropiane për vetëqeverisje lokale edhe – siç thuhet -ligjit të Kosovës. Pse? sepse, ushtrimi kolektiv i kompetencave, nënkupton paraprakisht pasjen apo themelimin apo edhe instalimin e një niveli të pushtetit dhe të organizimit e të qeverisjes, por që gjithsesi në praktikë, do të mund të synohet dhe tentohet, të jetë një strukturë organike kolektive – qeverisjeje e barasvlershme me një tërësi e veçorizuar; rrjedhimisht një shumësi institucionale -vetëqeverisëse– kolektive, në suaza të së cilës strukturë edhe do të mund të ushtroheshin ato që marrëveshja qartë e çiltër i quan kompetenca vetanake që nga një komunitet apo më saktë përfaqësuesit e tij minoritar etnik apo edhe me bazë etnike, ushtrohen kolektivisht dhe në mënyrë plotësisht të mëvetësishme - nga republika tjetër mbetëse në këtë rast kjo republika ekzistuese dhe funksionale e Kosovës. Kështu krijohet RES PUBLIKA tjetër fantome; metastazike morbide dhe në të vërtetë nëse është për të gjykuar sipas tekstografisë intencionale të marrëveshjes - kjo është vetë kuazi - Republika e re - me popullsi shumicë etnike serbe - brenda Republikës së tanishme - ekzistuese reale dhe zyrtare të Kosovës.

Ky organizëm para shtetëror e kuazishtetëror, gjithsesi do të kundërshtohet dhe nuk do të pranohet nga shumica demokratike – qytetare e komuniteteve të tjera - as sot as kurrë; pra asnjëherë në Kosovë.

Ndaj në këtë pikë dhe në të gjitha pikat e kësaj marrëveshje dhe marrëveshjes së dytë të ashtuquajtur të parimeve të vitit 2015 të lidhura në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, parësisht institucionet kompetente të Republikës sonë, duhet të kenë përqendrim dhe kujdes maksimal, se në brendinë e që të dy marrëveshjeve brukseliane, për fat të keq tonin, ka përmbajtje vërtetë të dëmshme, të rrezikshme dhe të papranueshme, ndaj edhe nuk duhet assesi të pranohen as dispozitat skajshmërisht diskutabile, ambiguitive, kontroverze, dubioze e të dëmshme - të të dy marrëveshjeve - tashmë të elaboruara e të shkoqitura në detale në këtë shkrim.

4.2.1.9. Sipas pasuesit të dytë të pikës së 4 (katërt) të marrëveshjes, Asociacioni do të ketë mbikëqyrje, që don të thotë edhe kontroll të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik , të arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe atij rural. Dhënia kaq e gjerë e autorizimeve dhe kompetencave – asociacionit -përmes kësaj marrëveshjeje, në të vërtetë e reprezentim asociacionin (ashtu çfarë në esencë - me qëllim të fundit përfidivisht është menduar nga përpiluesi i imagjinuar i kësaj marrëveshjeje), si një entitet specifik dhe special - të ndërmjem (në mes të pushtetit lokal dhe atij qëndror), por të barabartë në zotësi para autoriteteve qendrore dhe me autoritetet apo institucionet qendrore të Republikës ekzistuese të Kosovës. Pra, realisht dhe praktikisht, do të kemi: “Një republikë të re serbe - në republikën tonë ekzistuese - të përbashkët – të Kosovës. Gjë kjo që gjithsesi është edhe e papranueshme edhe reperkutive por edhe jofunksionale. Aq më tepër edhe tërësisht e panevojshme, sepse, po këto ingerenca dhe kompetenca mbikëqyrëse, në realitet, komunat me popullsi shumicë të komunitetit serb asimetrikisht i kanë edhe me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe me ligje të tjera në fuqi në Kosovë – aktualisht.

4.2.1.10. Në kuadër të pikës pesë (5) , marrëveshja në shqyrtim, asociacionit ia lejon a mundëson edhe të ashtuquajturat: “KOMPETENCA TJERA SHTESË

-SIÇ MUND TË DELEGOHEN NGA AUTORITETE QENDRORE”.

Nga zbërthimi teleologjik i kësaj sintagme, rezulton se ingerencat dhe autorizim -et e dhëna për asociacionin -nën pikën 4 të marrëveshjes, mund të zgjerohen edhe në fusha të tjera. Kjo në fakt mundet lehtazi të interpretohet si qëllim i sigurtë dhe i fundit i përpiluesve dhe ndërmjetësuesve të kësaj marrëveshje, pa asnjë mëdyshje ka qenë shndërrimi i asociacionit në strukturë kuazi -shtetërore apo edhe lënia e derës së hapur për asociacionin që, ashtu siç ka ndodhur edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe këtu po i njëjti asociacion të shndërrohet nga asociacioni në republikë të dytë fantome dhe antikushtetuese -sërbosllave në Kosovë.

Një synim i tillë për aq sa është i papranueshëm , po aq është edhe bizar, edhe retrograd edhe i rrezikshëm edhe antidemokratik.

Edhe formulimi marrëveshtor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, vetëm në komunat e ashtuquajtura veriore, dëshmon më së miri keqbesimin dhe qëllimin e fundit destruktiv të Serbisë dhe qëndrimin injorant të BE-së dhe përfaqësuesve të kohës të Kosovës, për pasojat e jashtëzakonshme dhe të pallogaritshme, të cilat do të mund t’i shkaktonte dhe i ka shkaktuar tashmë, një dispozitë e tillë e marrëveshjes. Shtrohet pyetja pse? sepse si rezultat fatkeq i marrëveshjeve sikur është kjo që kemi në trajtim, në ndërkohë u instalua: lista e ashtuquajtur serbe, si një subjekt po ashtu fantom politik e cila si e tillë e dirigjuar dhe e teledirigjuar nga Beogradi, vazhdimisht bën pengesa dhe obstruksione ndaj shtetit dhe republikës sonë.

4.2.1.11.Në pikën 6 gjashtë të marrëveshjes, asociacionit i është destinuar ROLI PËRFAQËSUES NË OSE TË AUTORITETËT QËNDRORE.

Kjo formë e përfaqësimit është paraparë respektivisht lejuar , jo vetëm në Presidencë -në Këshillin konsultativ të komuniteteve, por edhe më gjerë edhe në Kuvend, edhe në Qeveri dhe gjithandej - në të gjitha organet dhe institucionet e shtetit. Kjo është edhe e pavend edhe në shpërputhje me Kushtetutën dhe në të njëjtën kohë edhe tejet diskriminuese, në raport me qytetarët e tjerë dhe komunitetet e tyre, sepse ato komunitete, në Presidencën e shtetit për shembull, përfaqësohen në Këshillin konsultativ për komunitete por jo edhe në organet dhe institucionet e tjera – në këtë mënyrë dhe përmes këtij mekanizmi, i cili është paraparë për asociacionin e komunave me shumicë popullsie serbe. Pra kërkohet dhe parashihet përfaqësim: “an zheneral” –në të gjitha organet e shtetit. Në këtë mënyrë asociacionin përpiluesit e kanë reprezentuar në aspektin projektabil, si një njësi vetëqeverisëse dhe administrativo-politike si të barabartë me organet qendrore të Kosovës.

Kjo që u tha më sipër, për këtë çështje, ka të bëjë edhe me dispozitën e marrëveshjes së dytë të vitit 2015, më saktësisht me pikën 8 dhe 9 të parimeve të saj, të cilat edhe sipas konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës - në aktgjykimin e saj - në rastin KO130/15 , ku parashtruese e kërkesës për shqyrtim ishte ish-presidentja Atifete Jahjaga, e ku nenet 8 dhe 9 të parimeve të përgjithshme të po kësaj marrëveshjeje le të themi të dytë për asociacionin, nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën tonë, rrjedhimisht as me dispozitat e saj.

Roli dhe funksioni monitorues që i përshkruhet edhe nga përpiluesit e marrëveshjes i lejon asociacionit - ndaj organeve qendrore të shtetit, në të vërtetë e mbivendosë atje një mekanizëm kuazishtetror apo më mirë le të thuhet - mbishtetëror), jo vetëm të karakterit vëzhgues, por edhe kontrollues dhe qortues - në relacion me të gjitha institucionet, organet dhe mekanizmat e tjerë shtetëror– qëndror. Vetë lexuesi ynë le të rezonoj dhe konkludojë se çka do të thotë një dispozitë e tillë për Kosovën dhe ardhmërinë e qytetarëve të saj - pa dallim.

4.2.1.12. PIKA E 9 NËNTË e Marrëveshjes është një tregues dhe fakt tjetër i pakontestueshëm, që tregon më së miri - në vepër - diskriminimin në baza etni -ke dhe njëkohësisht derregullimin kushtetues - juridik të Policisë së Kosovës dhe shkarjeve nga kushtetuta dhe ligji, si zgjidhje e pranueshme dhe kinse e aplikueshme për palët marrëveshtore dhe ndërmjetësin e tyre - në Bruksel.

të vërtetë, derisa sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, komandantet e stacioneve policore caktohen nga Drejtori i përgjithshëm i policisë, bazuar në procedurat e brendshme të policisë (neni 41) i Ligjit, në komunat e Kosovës, ku komuniteti serb është komunitet më i madh etnik, komandantët e stacioneve të policisë dhe komandantët e nënstacioneve të policisë i emëron Ministria e Punëve të Brendshme me propozimin e Kuvendit Komunal dhe të Drejtorit të përgjithshëm të policisë, në pajtim me dispozitat e këtij neni (neni 42 I Ligjit) ndërsa, marrëveshja e vitit 2019., në pikën nëntë të saj, ndër të tjera thotë se: “për 4 komunat me shumicë serbe në veri (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi –Albaniku), komandant i këtij regjioni do të jetë (gjithnjë) një serb i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme- nga lista e ofruar nga të katër 4 kryetarët e komunave serbe - në emër të asociacionit. Do të ketë një komandant tjetër për komunat e Mitrovicës jugore, Skënderajt dhe Vushtrrisë, thuhet e shkruhet në këtë pikë të parapërmendur të asociacionit në fjalë.

Neni 34 i Ligjit të Policisë së Kosovës, flet edhe për drejtoritë rajonale, por nuk i cakton ato në baza etnike, as nuk flet as për përkatësi dhe as për preferencë etnike - në ato drejtori rajonale.

Përkundër dispozitave të Kushtetutës por edhe të ligjit për Policinë, që përmendëm më lartë, marrëveshja e parë për asociacionin e vitit 2013, në Bruksel, në kundërshtim me Kushtetutën por edhe me Ligjin për Policinë e Kosovës, në baza ekskluzivisht etnike dhe të diskriminimit të të tjerëve, favorizon një etni në dëm të të tjerave në Kosovë.

Po kështu ndodhë edhe me pikën a dispozitën përkatëse të 10. të marrëveshjes së vitit 2013 edhe sa i përket zgjidhjeve të parapara në te - në baza ekskluzivisht antikushtetuese dhe antiligjore; duke instaluar edhe struktura të caktuara çrregulluese dhe krejtësisht politike, artificiale dhe imponuese; por edhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Ligjin për gjykatat të Kosovës. / Vijon

 

[1] Sipas kësaj karte evropiane: “bashkësitë vendore kanë të drejtë, që gjatë ushtrmimit të kompetencave të tyre të bashkëpunojnë dhe Brenda ligjit,të bashkohen me bashkësi të tjera vendore për të realizuar me interes të përbashkët.”Pra kanë të drejtë të bashkëpunojn dhe të bashkohen,por jo të bashkëpunojnë ndërlidhëshmërisht me jashtë dhe as me qeverinë dhe nivelin tjetër institucional qendror në mënurë apo kanale duplifikuese edhe si pjesë e asociacionit edhe si komuna, rrjedhimisht si njësi bazike të vetëqeverisjes vendore a locale. Përse sepse ndër të tjera krijohen disbalanse në funksionimin e sistemit kushtetues juridik si tërësi dhe jo vetëm të sistemit tëë vetëqeverisjës vemndore a locale të ne.Sepse e drejta e bashkëpunimit ndërkomunal është e drejtë që mund dhe duhet të sëndërtohet ekskluzivisht ose së paku parësisht Brenda llojit ; pra në nivel horizontal dhe ndërmjet komunave –si njësi të vetëqeverisjes locale të barabarta dhe të nivelit dhe kompetencave të njejta dhe jo në mënyrë vërtikale- ku bashkëpunimi në rastin e asociacionit e nënkupton tejbattjen a transferin e kompetencave, rrjedhimisth edhe humbjen a zhdukjen e tyre – në një një njësi të veqantë vtëqeverisese; në një nivel tjetër –më të lartë të pushteit dhe të qeverisjës. Shtrohet puetja serioze se qka humbin e qka fitojnë komunat në një bashkim dhe ose bashkëpunim të till me një struktur e nivel të ndërmjem të pushtetit dhe qeverisjes I cuili eedhe eshtë incognito, fantom i paverifikuar dhe për me tëpër edhe mbi të gjitha antikushtetueses dhe antiligjor të ne.

[2] Agim A Krasniqi, Qeverisja lokale dhe politika, Kolegji Universum, Lena, Prishtinë, 2020,fq, 190.,;Ligji nr.04/L-010 për bashkëpunim ndërkomunal(neni 3.paragrafi 1.1); Karta evropiane për vetëqeverisje lokale (neni 10).

[3] Agim A Krasniqi, po aty.

[4] Agim A. Krasniqi, po.cit. fq.190-191.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat