Ekziston një ngërç i çuditshëm në mendësinë e politikanëve shqiptarë në Prishtinë, sidomos në konceptin politik të krm. Albin Kurti, se si kanë aq shumë rezerva në kërkesën e miqve tanë amerikan, kur atij i kërkojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, qoftë si një obligim shtetëror i marrë me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit me palën serbe nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, qoftë si një kusht për tejkalimin e krizave në veriun e Kosovës të shkaktuara nga serbët lokalë.
Dhe, refuzimi dhjetëvjeçar i qeverive të Kosovës, përfshirë qeverinë aktuale, që ta formojnë “Zajednicën” e komunave me shumicë serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive, ka qenë një akt shumë me vend, ngase e dimë të gjithë, se pala serbe në negociata, gjithnjë ka insistuar që “Zajednica” të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që për palën kosovare, shqiptarët, një kërkesë e tillë ka qenë krejtësisht e papranueshme, ngase ajo kishte prapavijë të rrezikshme dhe djallëzore që në Kosovë t’i vihet themeli një “Mini-Republika srpska”, me qëllim të qartë për ta minuar dhe de-funksionalizuar gradualisht pavarësinë dhe shtetin e pavarur të Kosovës..!?
Mirëpo, nga koha kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit (2013 – 2015), kanë kaluar dhjetë vite, ndërsa në ndërkohë rrethanat politike në Evropë dhe Ballkan, kanë ndryshuar gati plotësisht, sidomos qëkur ka filluar agresioni ushtarak rus në Ukrainë. Ndaj, këtë fakt qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh, sidomos krm. Albin Kurti, i cili pa asnjë hezitim duhet ta pranojë kërkesën, jo vetëm të emisarit amerikan, z. G. Escobar, por sidomos kërkesën e funksionarit të lartë të DASH-shit amerikan, z. Derek Chollet, The Counselor of the United States Department of State (Këshilltari i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara), i ngarkuar me çështje speciale direkt nga ministri i jashtëm amerikan.
Pra, z. Derk Chollet, sikur para vizitës së tij në Ballkanin perëndimor (Maqedoni, Kosovë, Serbi), si gjatë vizitës dhe pas saj, disa herë ka deklaruar në intervistat e tij me gazetarë dhe ato televizive, në mënyrë të prerë:
“Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha përkushtimet e saj në bisedimet me Serbinë, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Srpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, gjë që ne besojmë se e bën këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, duke shtuar se “ne presim nga qeveria e Kosovës që të vendosë disa propozime në tryezë për formimin e asociacionit”..!
Ndaj, unë nuk e kuptoj se çfarë nuk ka të qartë në këtë deklaratë të z. Chollet, të cilën e ka thënë në Prishtinë me 12 të këtij muaji gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku kjo len të kuptohet qartë, se miqtë tanë amerikan janë kundër themelimit të një asociacioni serb në Kosovë me kompetenca ekzekutive..!?
Dhe, si konstatim rreth (mos)formimit të “Zajednicës” serbe ekskluzivisht sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pra pa kompetenca ekzekutive, dëshiroj të theksoj, se çdo refuzim nga ana e qeverisë dhe Albin Kurtit personalisht të kërkesës amerikane, do jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe marrëdhëniet e saja me mikun tonë shpëtimtar dhe themelues të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Do jetë një thikë pas shpine mbi pavarësinë e Kosovës, për të ardhmen e saj si shtet dhe shoqëri e pavarur dhe demokratike, si dhe në dëm të interesave tona kombëtare, për t’u bërë sa më shpejtë pjesë e BE-së, NATO-s dhe aleancës Verio-Atlantike.
Ata të cilët dyshojnë, sado pak, në miqësinë e sinqertë si dhe garancat e miqve tanë amerikan për sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës, ose, nuk e njohin mirë historinë qindravjeçare të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ose në të kundërtën, ushqejnë paragjykime ideologjike për vetë Amerikën dhe historinë e saj si një superfuqi botërore, pa ndihmën e të cilës sot kombi shqiptar nuk do ekzistonte në Ballkan..!?