Dhjetë qershori një datë me dy ngjarje të ngjajshme në historinë e shqiptarëve!

Opinione

Dhjetë qershori një datë me dy ngjarje të ngjajshme në historinë e shqiptarëve!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 10 qershor 2023 Në ora: 20:05
George W. Bush dhe Sali Berisha

Sot është dhjetë qershor! Në këtë ditë kanë ndodhur dy ngjarje shumë të mëdha! Më 10 qershor 1878 u mblodh në Prizren Lidhja e Shqiptarëve. Dhe më 10 qershor 2007 Shqipërinë e vizitoi presidenti amerikan, George W. Bush. Ngjarja e para 145 viteve hodhi themelet e shtetësisë së Shqipërisë. Vizita e George W. Bush në Tiranë ishte kurorëzimi i vendimit të shqiptarëve për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike dhe për të themeluar shtetin e ri, Republikën e Kosovës! Pra, presidenti 2merikan në Tiranë përmbylli në një farë mënyre projektin e shqiptarëve të para 129 viteve më parë!

Këto dy ngjarje të mëdha në historinë e kombit tonë, të cilat erdhën në të njëjtën datë, por me diferencë mbi një shekull e një çerek të tij, nuk ndodhën rastësisht. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u zhvillua sipas ideve të Rilindjes Shqiptare. Rilindasit e mëdhenj e projektuan shtetin shqiptar të shtrirë në katër vilajetet (Shkodrës-Kosovës (Shkup)-Manastirit e Janinës). Presidenti amerikan Bush lajmëroi verdiktin e rilindave për krijimin e një shteti të ri, Kosovës! Rilindasit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e skicuan një shtet shqiptar të orientuar nga Europa (Perendimi)! George W. Bush nga Tirana u zotua për pranimin e Shqipërisë në strukturën më të fuqishme politike e ushtarake të Perendimit, në NATO!

Kësisoj ngjarjet që ndodhën në të njëjtën datë nuk erdhën rastësisht. Ato ndërlidhen me njëra-tjetrën përmes ideve për shtetësinë e shqiptarëve dhe vendin që ata zënë e duhet të zënë në bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një epërsi ndaj ngjarjes së 10 qershorit 2007. Para 145 vitesh shqiptarët u bashkuan pa dallim feje, ideje, krahine e bindjesh politike, diskutuan dhe arritën që të krijojnë Lidhjen e Shqiptarëve të drejtuar nga një qeveri e suksesshme e duke formuar një ushtri shumë të fuqishme. Ndërsa më 10 qershor 2007 politika e Shqipërisë ishte e përccarë dhe destruktive. Aq sa për ta zhvleftësuar këtë vizitë historike disa opozitarë xhelozë e të pabesë në krye të Partisë Socialiste shpikën “vjedhjen” e orës së presidentit amerikan. Në vend të vizitës së Bush dhe shpalljes prej tij të pavarësisë së Kosovës, bota mediatike u ushqye me lajmin e përhapur rrufe se “Shqiptarët i vodhën orën presidentit Bush”!

Kanë kaluar 145 vite dhe tashmë askush nuk i konteston udhëheqësit dhe kontributorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prej Iljaz Pashë Dibrës e deri te Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi dhe Ymer Prizreni përmenden si heronjtë e kësaj Lidhjeje. Kontributet e tyre për lirinë dhe shtetësinë e shqiptarëve vlerësohen sot prej gjithë kombit tonë. Vlerësohen edhe prej politikanëve të korruptuar e anti-shqiptarë! E dini pse? Se nuk rrezikojnë “lavdinë” e pushtetit të askujt. Përkundrazi përdoren e keqpërdoren këto figura historike në funksion të pushtetit mafioz e të korruptuar! Këtyre politikanëve shqiptarë as ju intereson se cilat janë mesazhet dhe idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Madje të flasësh për ato ide të konsiderojnë “arkaik”!

Ndërkaq George W. Bush “ia vodhën orën”! E dini pse? Sepse po “të mos vidhej ora” e Bush, kundërshtari politik në pushtet do të forconte pozitat, do të bëhej “ipathyeshëm”! Më mirë të denigrohen shqiptarët “hajdutë” të presidentit amerikan, sesa të fitojë pikë politike nikoqiri i zotit Bush, pra Sali Berisha! Kjo ishte llogaria politike e Edi Ramës dhe Erion Velisë, që shpiku edhe Griselën shtatëzënë, me qëllim që ta denigronte kryeministrin e Shqipërisë.  Ajo vizitë ishte ngjarja më e madhe e historisë së re shqiptare, sepse me George W. Bush lidhet gjithashtu anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, dy ngjarjet më madhore të historisë sonë.

Megjithatë “vjedhja” e orës së presidentit Bush nuk mjaftoi. Duhej paguar mafia ndërkombëtare, përfshirë dhe atë amerikane, që ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, të shpallej non-grata nga sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken. MecGonigal është rasti tipik i kësaj aventutre anti-shqiptare në emër të pushtetit. Një non-grata në SHBA, sipas mendjeve të sëmura, do të fshihej nga memoria e marrëdhënieve kulmore me SHBA-në të Shqipërisë. Me këtë lloj narkoze jetoi kreu i meduzës anti-shqiptare për disa kohë. Tani ka kuptuar se sërishmi nuk ia ka arritur qëllimit.

George W. Bush u prit nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Nëse krerët e Lidhjes Shqiptare në shekullin XIX shkuan në Berlin dhe iu lutën njeriut më të fuqishëm të Europës, kancelarit Oto von Bismark, për ta njohur këtë lidhje, George W. Bush, në fillimin e shekullit XXI erdhi vetë me iniciativë, në kryeqytetin e shqiptarëve dhe shpalli epilogun e zbatimit të projektit të Lidhjes së Prizrenit, pavarësinë e Kosovës dhe angazhimin e tij për pranimin në NATO të Shqipërisë. Falë asaj vizite dhjetë muaj më vonë Shqipëria mori ftesën për në Aleancën Atlantike, edhe pse dikush 20 ditë para kësaj u kujdes që ta hidhte në erë Gërdecin, me qëllim mos-marrjen e kësaj ftese.

Kur George W. Bush shpalli se do vizitonte Shqipërinë, shumë kryetarë shtetesh e kryeministra në Europë hapën sytë nga habia. Ccfarë ishte kjo vizitë në një vend që nuk kishte asnjë rol të veccantë në gjeopolitikën e kohës së dhënë?! Por presidenti amerikan e kishte vendosur ta vizitonte jo vetëm Shqipërinë, gjithashtu mikun e familjes së tij, Sali Berishën. Sipas traditës miku shkon tek miku, kur i pëlqen kuvendi, kur i pëlqen karakteri dhe i përputhen mendimet! Shkon te miku edhe për të diskutuar për hallet. Bush e dinte që halli i shqiptarëve ishte pavarësia e Kosovës, ndaj i dha fjalën Berishës se do ta mbështesë këtë pavarësi.

Ai e shpalli pavarësinë e Kosovës publikisht edhe pse po vinte nga mbledhja e G7 + Rusia, ku ishte vendosur që të zhvilloheshin dhe gjashtë muaj bisedime shtesë për të vendosur përfundimisht për statusin e Kosovës. Madje duke iu drejtuar zotit Berisha me fjalët “E di se ju këtë prisni nga unë”! Më pas premtoi edhe anëtarësimin në NATO! Edhe këtë duke e lexuar si shqetësim dhe kërkesë të mikpritësit, kryeministër i Shqipërisë. “Ora e vjedhur” nuk e ndaloi këtë sukses historik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat