Deklarata e presidentes Vjosa Osmani për mërgimtarët, e para e llojit të vet nga një udhëheqës shtetëror i Kosovës!

Opinione

Deklarata e presidentes Vjosa Osmani për mërgimtarët, e para e llojit të vet nga një udhëheqës shtetëror i Kosovës!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 16 korrik 2024 Në ora: 22:22
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, para dy ditëve deklaroi, po citojmë;

“Bujaria dhe përkushtimi juaj për atdheun është i jashtëzakonshëm. Malli për Kosovën është një lidhje që na bashkon, kudo që të na çojë jeta. Kthimi juaj këtu forcon identitetin tonë kolektiv dhe na kujton shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë. Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat tuaja janë tejet të çmueshme, ndërsa ne vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për atdheun tonë të dashur. Ju ktheheni në vatrat tuaja, ju ktheheni në Kosovën tuaj, atdheun tuaj shpirtëror. Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura, sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës” , përfundon citati.

Pa dyshim, se kjo deklaratë e presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e para për nga lloji dhe kuptimi i saj, nga një udhëheqës shtetëror i Kosovës, përmban në vete dimensione kuptimore dhe emocionale, të cilat duhet zbërthyer pak më në detaje, kur dihen faktet, se çfarë ka bërë dhe sa ka kontribuuar Mërgata jonë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në periudhën e viteve 1990 - 1999, si dhe sa ka kontribuuar në planin politik dhe ndërkombëtarë, që çështje e Kosovës dhe kauza jonë nacionale të internacionalizohet, duke hyrë në agjendën Zyrave ndërkombëtare si një çështje e cila duhet zgjidhur drejtë.

Presidentja Osmani flet për Bujarinë dhe Përkushtimin e Mërgatës ndaj atdheut, duke e cilësuar me të drejtë, si të jashtëzakonshëm, sepse që nga viti 1990 e deri në qershor 1999, nuk ka pasur familje shqiptare në mërgim, e cila nuk ka pritur dhe strehuar familjarë dhe të afërm të tyre, qoftë si azil-kërkues të ikur nga torturat e regjimit kriminal serb, qoftë si të pastrehë rrugëve të gyrbetit, plotësisht në shpenzime vetanake me fjetje, ushqim dhe rroba, si ndihmë konkrete popullit shqiptar të robëruar në Kosovë.

Pra, bujaria dhe mikpritja e mërgimtarëve ndaj refugjatëve tanë, kur çdo vit numri i tyre rritej në mënyrë enorme, ka qenë, siç thotë presidentja Osmani, e jashtëzakonshme, duke mos harruar këtu për asnjë çast, rolin dhe kontributin madhor të shoqatave shqiptare kudo në Perëndim, të cilat kanë qenë boshti kurrizor i tubimit të ndihmave financiare dhe materiale për Kosovën, vlera financiare e të cilave ka qenë e pallogaritshme.

Është shumë e vërtetë, se malli për Kosovën na ka bashkuar si shqiptarë edhe në ditët më të vështira, kur bëhej fjalë “me qenë, ose mos me qenë” si komb, në kohën kur çdo vizitë e mërgimtarëve tanë në Kosovë në vitet 1990-99, ishte shkuarje në vdekje, sepse askush nuk ishte i sigurt se do kthehej prapë tek familja në mërgim, ngase siç dihet policia fashiste e Serbisë, përveç plaçkitjeve me mijëra marka që ua bënte mërgimtarëve tanë nëpër kufij, një numër i tyre burgosej dhe vritej gjatë rrugës për në vendlindje. Pra, malli për Kosovën ishte më i fortë se sa dhuna serbe që i priste në çdo skutë të saj posa hynin në Kosovë.

Po ashtu, edhe kthimi i mërgimtarëve tanë në Kosovë gjatë kohës së pushimeve, dhe jo vetëm, pa dyshim, se e forcon identitetin tonë kolektiv, thotë presidentja Osmani, ndërsa unë do thosha, e forcon identitetin tonë kombëtar, ngase largimi i të rinjve tanë nga Kosova edhe mund ta dobëson këtë identitet, prandaj pa krijimin e kushteve për punë, për jetë normale dhe paga solide në Kosovë, është iluzore të pritet kthimi i tyre në vendlindje, një çështje kjo tejet komplekse për shtetin e Kosovës, pa zgjidhjen e të cilës nuk mund të ketë kthim të diasporës në Kosovë.

Mbase, Kosova gjithmonë ka pasur nevojë për ndihmën dhe kontributin e mërgimtarëve, të cilin e kanë dhënë pa hezitim në kohën kur Kosova po e bënte luftën e saj heroike, për jetë a vdekje, për t’u çliruar nga pushtimi barbarë serb, por edhe tani, 25 vite pas çlirimit, mërgata jonë ka vazhduar të jetë investitori, financuesi dhe kontributori kryesor në buxhetin e shtetit të Kosovës, përmes ndihmave që u japin familjeve të veta si dhe investimeve kapitale.

Mirëpo, ç’është më e çuditshmja, qeveritë dhe institucionet e Kosovës, përveç se e përjashtuan mërgatën për të qenë e përfaqësuar me dy-tre deputet në Kuvendin e Kosovës, ato/ata, asnjëherë përgjatë 25 viteve nuk e panë të arsyeshme që ta dekorojnë me mirënjohje, qoftë ndonjë individë të shquar nga mërgata, qoftë ndonjë shoqatë atdhetare, që të tilla ka pasur me qindra në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë, Angli, etj.

Pa dyshim, se thënia e presidentes Osmani, se “dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura, sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës”, është një ndjenjë e mirë për gjithë mërgimtarët, por praktika e viteve të kaluara, flet ndryshe nga realiteti i “dyerve të hapura” për mërgimtarët, sepse viteve të fundit në Kosovë, mjerisht, është ushqyer fryma abuzuese ndaj mërgimtarëve, deri në përbuzje dhe nënçmim, dukuri të cilën duhet luftuar me masa dhe veprime konkrete.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat