Ndryshimin në gjithçka, përfshirë politikën e sjellin veprimet dhe punët konkrete, jo vetëm deklaratat e kota të politikanëve.

Opinione

Ndryshimin në gjithçka, përfshirë politikën e sjellin veprimet dhe punët konkrete, jo vetëm deklaratat e kota të politikanëve.

Më: 5 gusht 2024 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Në vendin tonë, jeta deri para një muaji ishte e mbushur me të zeza: politika ishte e tillë, ekonomia e ligjshme ishte e zezë, jeta kulturore ishte po ashtu e ngjashme, dhe aspektet e jetës sociale nuk ndryshonin dhe ishin gjithashtu të zeza. Po ashtu, teoria politike dhe konceptet e teorisë së demokracisë ishin të errëta, dhe të kuptuarit si dhe zbatimi praktik i saj ishin gjithashtu të zeza. Ne si njerëz gjatë një periudhe të gjatë nuk kemi bërë përpjekje sinqerisht dhe realisht për të ndryshuar asgjë, që nga koha e monizmit, dhe krenohemi se kemi bërë ndryshime të duhura dhe të domosdoshme në çdo aspekt të jetës shoqërore.

Ne ndryshimin e kemi kuptuar vetëm në aspektin deklarativ, e jo edhe në atë faktik. Në fund të fundit, deklaratat nuk ndryshojnë dhe nuk mund të ndryshojnë asgjë nëse nuk bëhet diçka konkrete dhe reale në aspektin faktik, ose nëse nuk veprohet për të zbatuar gjërat që thuhen. Faktet, në fund të fundit, përcaktojnë gjithçka në jetë, e jo vetëm deklaratat. Njerëzit mund të deklarojnë shumë gjëra, por nëse nuk bëjnë veprime konkrete për të zbatuar atë që kanë thënë, ato deklarata mbeten të kota dhe të parëndësishme.

Para tridhjetë vitesh, na është thënë se dikush kishte bërë ndryshimin e sistemit politik nga autokracia në demokraci, por kjo ishte vetëm në aspekt deklarativ, pasi gjatë kohës nuk ka pasur ndryshime të dukshme nga sistemi komunist. Në fund të fundit, njerëzit janë demokratë nëse bëjnë aktivitete, veprime dhe akcione reale dhe konkrete, e jo nëse këto mbesin vetëm në deklaratat e tyre. Deri para zgjedhjeve të fundit parlamentare, kishim vetëm demokratë që deklaronin demokraci vetëm në fjalë, e jo demokratë që vepronin dhe realizonin demokraci në veprim. Demokratë të vërtetë dhe demokraci reale ka vetëm kur ata që deklarojnë diçka e veprojnë në aspektin faktik demokratik.

Nga kjo del se deri para një muaji e disa ditësh, kishim vetëm sistem demokratik deklarativ, por jo veprues, dhe politikanë demokratë fiktivë e jo demokratë faktikë dhe veprues. Me ndryshimet e bëra politike, janë rritur bindjet dhe janë shtuar shpresat se ajo që deklarohet në politikë nga politikanët do të realizohet në praktikë. Izeti, Arbeni, Afrimi dhe Bilalli besojmë se do të mbajnë mëngët ngritur dhe ato gjëra që kanë premtuar do t’i realizojnë në interes dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve të shtetit. Ndryshimi ka kur veprohet, e jo vetëm kur deklarohet. Aktorët e ndryshimit në skenën politike shqiptare duhet të sjellin risi në politikë; ata duhet të flasin dhe të veprojnë. Nga veprimet konkrete lindin faktet dhe pasojat, ndërsa vetëm nga deklaratat lindin shpresat dhe pritshmëritë e kota. Gjërat e kota nuk kanë vlerë për askënd. Prandaj, e përshëndes ndryshimin e bërë në politikë, por ai duhet të rrisë gatishmërinë për zbatimin dhe veprimin real dhe konkret; pa këto të fundit, do të rriten dhe shtohen shpresat dhe pritshmëritë e kota, siç thashë edhe më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat