Të hapet ura: Kosova s’ka gjë për të humbur; përkundrazi, është një rast ku vendi ynë ka vetëm për të fituar

Opinione

Të hapet ura: Kosova s’ka gjë për të humbur; përkundrazi, është një rast ku vendi ynë ka vetëm për të fituar

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 14 gusht 2024 Në ora: 16:59
Autori Xhevdet Mazrekaj

Ura e Mitrovicës, shpeshherë e përmendur si "ura që ndan veriun dhe jugun," është një term që përçon një ide të ndarjes dhe tensionit, të cilën nuk e gjejmë në vendet tjera të botës, as edhe në ato me ndarje më të mëdha. Në Zürich, ku unë jetoj, ka disa ura të mëdha – më shumë se 30 – por asnjëra prej tyre nuk quhet "ura që ndan veriun dhe jugun" ose "lindjen dhe perëndimin." Kjo tregon se termi "ura që ndan" në Mitrovicë është i paramenduar dhe përdoret për të ushqyer ndarjet, që i interesojnë qarqeve armiqësore ndaj Kosovës.

Përse duhet të vazhdojmë të përdorim një term që i shërben ndarjes dhe përçarjes? Kjo gjuhë e ndarjes, që shpeshherë përforcohet nga mediat e financuara nga shtete armiqësore, nuk reflekton realitetin dhe aspiratat e qytetarëve të Kosovës. Realiteti është se Mitrovica, si qytet i tërë, është brenda territorit të Kosovës dhe administrohet nga institucionet e saj. Hapja e urës nuk është çështje e një kufiri ndërkombëtar, por një veprim i brendshëm, që duhet të konsiderohet si normal dhe natyral.

Mediat që përhapin panik lidhur me hapjen e urës, përpiqen të krijojnë tensione të panevojshme. Në të vërtetë, shumica e qytetarëve serbë në pjesën veriore të Mitrovicës janë për hapjen e urës, sepse edhe atyre do t'ju lehtësohet lëvizja dhe qasja në pjesët tjera të qytetit. Hapja e urës do të ishte një hap pozitiv për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, duke forcuar bashkëjetesën dhe demokracinë në vend.

Në vend që ta shohim hapjen e urës si një çështje problematike, duhet ta shohim si një mundësi për të demonstruar se Kosova është e gatshme për normalizim dhe integrim të plotë të të gjitha pjesëve të saj. Kjo nuk është një çështje ku Kosova ka ndonjë gjë për të humbur; përkundrazi, është një rast ku vendi ynë ka vetëm për të fituar – nga paqja dhe stabiliteti.

Hapja e urës nuk është vetëm një çështje infrastrukture, por një hap drejt një të ardhmeje më të bashkuar dhe të prosperuar për Kosovën. Këto ditë kanë qarkulluar lajme se hapja e urës rrezikon ushtarët amerikanë. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse dihet mirëfilli se kufiri i Kosovës nuk është te Ura e Ibrit në Mitrovicë. Ushtria serbe nuk ka asnjë shans që të hyjë brenda territorit të Kosovës, dhe nëse do të tentonte, do të përballej me forcat speciale tona shtetërore dhe me KFOR-in.

Në fakt, hapja e Urës së Ibrit nuk rrezikon ushtarët amerikanë; ajo rrezikon planin e Vuçiçit dhe këshilltarit të Ramës për ndarjen e veriut të Kosovës! Prandaj, hapja e urës është një rast ku Kosova ka vetëm për të fituar – jo vetëm në aspektin e lëvizjes së lirë dhe bashkimit, por edhe në mbrojtjen e sovranitetit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat