Pa politikë: Ç' kuptim ka kapitali dhe pasuria kur mungon respekti dhe kënaqësia?!

Opinione

Pa politikë: Ç' kuptim ka kapitali dhe pasuria kur mungon respekti dhe kënaqësia?!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 10 tetor 2024 Në ora: 08:34
Autori Ismail Muçiqi

Është i mjerë ai popull që nga mëngjesi e deri në mbrëmje flet për tema të ndryshme, por jo për politikën. Kështu po ndodh në shoqërinë kosovare, ku në familje janë depërtuar rrymat dhe agjendat politike, të cilat po e përçajnë babanë me djem, vëllanë me vëlla e mos të flasim fare për farefisin apo shoqërinë përreth. Të gjithë po merremi me politikë boshe, pa na pyetur askush dhe pa pasur asnjë ndikim në marrjen e vendimeve kapitale në institucionet e shtetit apo më gjerë. Sot, gazetarë janë bërë ata individë që as familja e gjerë nuk i njeh. Në mediat tona qarkullojnë nga një studio në tjetrën analistë të ashtuquajtur që llomotisin duke dhënë opinione për të gjitha çështjet, nga lagja ku jetojnë e deri te politika e superfuqive botërore.

Çfarë po ndodh me ne?! Të gjithë njerëzit normalë e shtrojnë këtë pyetje dhe janë të brengosur se jeta e dikurshme tradicionale ka ndryshuar rrënjësisht. Kudo në të gjithë rajonin e Kosovës, fshatrat janë të boshatisura për shkak të mungesës së njerëzve; janë ndërtuar shtëpi moderne e kulla, por kudo vërehet një qetësi e zymtë, pa njerëz, pa moshuar të rinj që e kanë marrë rrugën e gurbetit. Në horizontin e katundeve, kudo mungon aroma e fshatit të dikurshëm, i cili simbolizonte gjallërinë dhe jetën dinamike të bujkut, punëtorit e deri te odat e burrave, të cilat i jepnin kuptim jetës duke e mbajtur gjithmonë idealin për të mirën e popullit. Mjerisht, shumë rrallë shihet tymi i oxhakëve nëpër shtëpitë e ndërtuara, të cilat dikur i jepnin aromë jetës idilike në fshat. Këto dukuri patologjike në shoqërinë tonë nuk kanë të ndalur. Partitë politike me programe dhe ideologji të ndryshme, shterpe, janë faktorët kryesorë që po e përçajnë popullin për interesat e tyre karrieriste.

Nuk mund ta lëmë anash tani e mos të flasim për rrymat e ndryshme fetare, të cilat kanë filluar të atakojnë përcaktimin fetar të njerëzve të lirë, duke nxitur pakënaqësi tek njerëzit me besime të ndryshme fetare; kjo është e pafalshme për kohën në të cilën po jetojmë, duke i sulmuar të drejtat elementare të individit apo të një shoqërie. Derisa Serbia po zhvillon luftë propagandistike kundër shtetit të Kosovës, duke u munduar me të gjitha mënyrat për ta shkatërruar shtetin tonë, grupet e ndryshme të interesit po e dëmtojnë ardhmërinë e këtij vendi.

Çfarë të themi, na ka humbur rruga në oborr. Shtresa intelektuale e këtij vendi pothuajse nuk ekziston fare. Është në gjumë apo në koma! Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Kosovës po thuajse ekziston vetëm në letër; integriteti i këtij institucioni pothuajse ka rënë për tokë. Tani vallë po e luajnë klanet mafioze të biznesit, të cilat janë pasuruar përmes mënyrave dhe formave abuzive, duke e vjelur pasurinë e këtij vendi. Këto grupe tani janë bërë faktorë mbi faktorë, të cilat përmes parasë po i rrënojnë të gjitha vlerat tradicionale të popullit shqiptar. Të gjitha këto kanë krijuar klimën dhe atmosferën që e kanë përgjigjen “ç'kuptim ka kapitali dhe pasuria kur mungon respekti dhe kënaqësia”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat