Në politikë janë të angazhuar shumë individë, do të thosha qindra e mijëra nëpër shumë shtete, anë e mbanë botës. Ata përpiqen të realizojnë interesa të caktuara, si dhe qëllime të ndryshme individuale, grupore dhe të përgjithshme. Të gjitha këto qenie njerëzore të angazhuara politikisht dallohen për nga zotësitë, aftësitë intelektuale, si dhe për ambicjet që duan t'i arrijnë në ambientin politik. Në këtë aktivitet kompleks shoqëror dhe njerëzor, ka individë që angazhohen për periudha të ndryshme kohore. Kështu, disa qëndrojnë vetëm një mandat katër, pesë apo edhe shtatëvjeçar, ndërsa ka të tillë që qëndrojnë shumë më gjatë.
Politikanët që kanë një afat shumë të gjatë qëndrimi në politikë, vendin nuk e kanë atje, por në arkiv. Fjalën e kam për politikanët jo produktivë dhe të pavlefshëm, të cilët kanë bërë dhe bëjnë shumë pak punë, aktivitete dhe veprime të nevojshme dhe të duhura për të mirën e qytetarëve dhe shtetit. Këta janë individë që gjatë aktiviteteve të tyre politike kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë vetëm privilegje, të mira materiale dhe përfitime të tjera jomateriale, por nuk kanë realizuar dhe as realizojnë obligime të parapara me rregulla dhe akte juridike.
Politikanë të tillë ka shumë. Këta janë individë parazitë, të cilët politikën e shohin si mundësi për të gjetur një angazhim përkatës me dëshirat e tyre dhe jo në përputhje me aftësitë dhe zotësitë e tyre individuale. Kur politikanët janë të paaftë, ata nuk e kuptojnë se përse janë realisht të angazhuar në politikë, çfarë duhet të bëjnë ata aty dhe cilat veprime, akte dhe aksione duhet të ndërmarrin për ta merituar vendin e tyre në skenën politike.
Pra, këta njerëz njihen si politikanë të paditur, të paaftë dhe shkurtpamës, ndërsa disa prej tyre janë edhe përtacë. Individë të tillë, me të gjitha karakteristikat negative që u përmendën më lart, fatkeqësisht ka shumë në Gadishullin e Ballkanit. I kemi pasur dhe i kemi, fatkeqësisht, edhe këtu në RMV. Ata ndjejnë vetëm një lloj kënaqësie për faktin që janë pjesë e politikës, por nuk bëjnë përpjekje që të jenë pjesë e saj me merita. Prandaj, në Gadishullin e Ballkanit, dhe te ne, duhet të miratohen rregulla dhe standarde kushtetuese e ligjore, me të cilat do të vendoseshin kufizime për afatin e qëndrimit të individëve në politikë.
Le të merret si bazë modeli juridik amerikan, i cili e rregullon këtë çështje. Sipas tij, një politikan mund të qëndrojë në politikë më së shumti dy mandate, dhe asnjë më tepër. Kjo vlen edhe për Presidentët amerikanë. Kështu, politikanët do të detyroheshin të angazhoheshin, siç thashë, më së shumti dy mandate në skenën politike, dhe në këtë mënyrë ata do të detyroheshin të kontribuonin më shumë për të mirën dhe interesat e qytetarëve dhe të shtetit.