Po, kjo është mëse e vërtetë: Sistemi ynë shtetëror ka filluar të kalbet qysh atëherë, e jo sot. Kjo do të thotë që nga shpallja e pavarsisë së ish-RSM-së nga RSFJ e atëhershme. Duhet thënë se qysh atëkohë ka filluar procesi i kalbjes graduale të tij. Ndërsa ne tani vetëmse po ballafaqohemi me aromën e pakëndshme të kalbjes, që po na shkakton pasoja të mëdha për mbarvajtjen normale të jetëve tona. Aroma e kësaj kalbjeje është bërë shumë e padurueshme dhe, nëse nuk ndërmerren masa për ta eliminuar kundërmimin e saj të rëndë, efektet e dëmshme dhe negative të të njëjtës do të dëmtojnë shumë rëndë jetët e të gjithëve ne që jetojmë në këtë shtet.
Duhet theksuar se sistemi ynë shtetëror ka lindur me mangësi të dukshme dhe serioze, prandaj veprimet e institucioneve shtetërore dhe publike kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë pasoja tepër negative dhe të rrezikshme në shtet dhe në shoqëri. Do të ripërsëris se ky sistem ka filluar të kalbet shumë kohë më parë, dhe tani është thelluar kalbja e tij. Si pasojë e këtij realiteti të keq, ne si qytetarë të këtij vendi gjatë një periudhe të gjatë, shpesh kemi qenë viktima të padrejtësive të ndryshme dhe tepër të mëdha të bëra ndaj nesh nga institucionet e sistemit të këtij shteti. Pra, ne si qytetarë, një kohë të gjatë i kemi shijuar padrejtësitë e shumta të bëra. A e dini pse? Sepse ne nuk kemi pasur mekanizma për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive tona njerëzore.
Cili është dallimi mes padrejtësive të atëhershme dhe atyre që vazhdojnë të bëhen akoma ndaj nesh këtu në RMV? Nuk ka dallim. I vetmi dallim është se në vitet e nëntëdhjeta padrejtësitë bëheshin fshehurazi, ndërsa në ditët e sotme ato po bëhen shumë hapur. Më tej, cili është dallimi mes krimit dhe korrupsionit atëherë dhe këtyre që bëhen në ditët e sotme? Dallimi është se në fillim të viteve nëntëdhjetë krimi dhe korrupsioni këtu në këtë shtet ishin në moshën e foshnjërisë, ndërsa tani këto anomali dhe të këqija shtetërore dhe shoqërore ndodhen në moshën madhore. Lirisht do të theksoj se unë dhe familja ime padrejtësitë e institucioneve të sistemit gjyqësor të RM-së i kemi shijuar nga viti 1993.
Ishte kjo periudhë kur në vendin tonë ndodhi një fatkeqësi e tmerrshme ajrore, në të cilën jetët i humbën 115 persona. Këta fluturonin nga Gjeneva e Zvicrës për në Shkup. Në këtë udhëtim të kobshëm, fatkeqësisht viktimë ishte edhe babai im, shumë i dashur dhe i shtrenjtë, Isufi. Aeroplani i një ish-kompanie ajrore vendore, Avioimpeks, gjatë fluturimit të 20 nëntorit të vitit 1993, ishte dashur të ulej në pistën e aeroportit të Shkupit. Por atë ditë, meqë qielli i Shkupit ka qenë i mbërthyer me mjegulla të dendura dhe për shkak të shikueshmërisë së dobët që e kanë shkaktuar retë e mjegullës në Aeroportin e Shkupit, autoritetet ajrore e drejtuan aeroplanin në fjalë që të ulej në aeroportin e Ohrit.
Dhe meqë autoritetet e Aeroportit atje nuk i krijuan kushtet e nevojshme dhe të domosdoshme për ulje të sigurtë të aeroplanit Jakovljev 42 D në pistën e aeroportit në fjalë, gjatë tentimit të piloteve që atë ta ringrisin sërish në qiell, i njëjti, 200 metra para se ta tejkalonte majën e malit Trojan, u përplas me të. Pra, këto sjellje të autoriteteve të aeroportit të Ohrit me aeroplanin ishin të pakuptimta dhe të padrejta. Të kesh paralajmërim se për njëzetë minuta në aeroport do të arrijë një aeroplan me 115 udhëtarë, dhe të mos i zbatosh si duhet procedurat që do të mundësonin uljen e sigurtë të tij në pistë, është jo vetëm padrejtësi, por kjo është edhe krim i rëndë me paramendim. Është padrejtësi dhe krim, pasi janë shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, por edhe dëme të konsiderueshme materiale me pasoja afatgjata.
Padrejtësia tjetër lidhur me çështjen në fjalë vjen edhe nga një proces gjyqësor i iniciuar nga familja ime për marrjen e një dëmshpërblimi për humbjen tragjike të jetës së babait tim, jo vetëm shumë të mirë, por edhe të mrekullueshëm, Isufit. Meqë atë kohë, në bisedimet me kompaninë ajrore Avioimpeks nuk arritëm marrëveshje për marrjen e një dëmshpërblimi të realtë e të arsyeshëm për jetën e humbur të babait, ne trokitëm në dyert e Gjykatës së atëhershme Komunale Shkupi 1. Në fillim, mu duk një proces gjyqësor i thjeshtë, por më vonë i njëjti u bë tepër i komplikuar, pasi e koklavitën me qëllim për interesa të caktuara. Pas katër vitesh pjesëmarrjeje në procesin gjyqësor të iniciuar nga ne, siç thashë, për të marrë dëmshpërblimin, gjykata e mbrojtur nga pushtetarët e atëhershëm solli vendim refuzues në dëmin tonë.
Ne pra, nuk mundëm të merrnim dëmshpërblim nga aviokompania për tragjedinë, për shkak se gjykata e pati hedhur poshtë kërkesën me arsyetimin se bëhet fjalë për lëndë të vjetruar, gjë që nuk ishte e vërtetë, pasi ne e patëm respektuar afatin ligjor për paraqitjen e kërkesës. A nuk paska qenë sistemi i kalbur edhe atë kohë? Po, pra, ka qenë. A nuk është padrejtësi e madhe ta humbësh njeriun më të afërt dhe të mos mund të marrësh dëmshpërblim për të? Po, është, dhe kjo është edhe idiotizëm i madh. Atëherë, duhet kuptuar se sistemi i këtij shteti ka filluar të kalbet para gati 34 vitesh, e jo sot. Ndërsa i njëjti, prej atëherë e deri në ditët e sotme, ka prodhuar pasoja të shumta negative dhe të rënda, ku viktima kemi qenë ne qytetarët. Ka pasur, ka dhe do të ketë akoma padrejtësi ndaj qytetarëve të cilët jetojnë këtu, nëse nuk ndërmerren masa dhe aktivitete për reformimin e këtij sistemi të kalbur. Kështu që, derisa të mos fillojë që të reformohet i njëjti sistem, qytetarët duhet të shqetësohen, të brengosen dhe të kenë kujdes, se do të mund të ballafaqohen akoma me padrejtësi të tjera të shumta këtu në RMV.