E përshëndes nismën për shkrirjen e Alternativës, Lëvizjes Demokratike, Besës dhe ASH-së në një parti politike. Sinçerisht, dëshiroj që ky subjekt politik të vazhdojë ta lëvizë akoma më përpara ndryshimin e filluar para dhjetë muajsh nga këto parti. Le të formohet, le të konsolidohet, si dhe le të forcohet akoma më shumë spektri i tanishëm politik qeveritar shqiptar këtu te ne, dhe i njëjti le të vazhdojë të punojë në interesin e përgjithshëm dhe në të mirën e qytetarëve shqiptarë, por edhe në të mirën e pjesëtarëve të bashkësive të tjera etnike që jetojnë këtu në RMV.
Ideja për organizimin kundër ish-regjimit autoritar të instaluar nga BDI në vitin 2002 dhe nisma për ta bërë ndryshimin ishin dhe akoma janë aktivitete të qëlluara dhe të domosdoshme në skenën tonë politike. Mendoj se misioni fisnik i ndryshimit duhet të lëvizë akoma më tepër përpara, me qëllim që qytetarët shqiptarë ta ndjejnë shpresën, por edhe lirinë, barazinë, si dhe pluralizmin politik.
Konsideroj se themelimi i Partisë së re politike nuk është një punë e thjeshtë, por një mision që e imponojnë realiteti, historia, si dhe një nevojë e kahmotshme për shqiptarët e RMV-së.
Partia e re që do të formohet do të ketë shumë punë dhe aktivitete për të bërë, si p.sh.:
Duhet ta rikthejë demokracinë e suspenduar.
Ta rikthejë dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve.
Ta eliminojë diskriminimin.
T’i rehabilitojë dhe risocializojë viktimat e shumta të ish-regjimit.
T’i lirojë nga burgjet personat e dënuar dhe të burgosur padrejtësisht, si rezultat i dhjetëra rasteve të montuara nga Policia, Prokuroritë dhe Gjykatat e vendit, ku viktima janë shqiptarët.
T’u hapë qytetarëve mundësi të mëdha për punësime dhe përparim në jetë e në karrierë.
Të vendosë rend, rregull dhe qetësi, si dhe
Të mundojë ta eliminojë emigrimin e të rinjve shqiptarë nga vendi.
Pra, Zeqirja, Izet Bilalli dhe Arbeni, punë e mbarë në misionin e unifikimit dhe bashkimit të forcave politike dhe të resurseve njerëzore për ta përparuar punën rreth ndryshimit politik. Me qëllimin më fisnik dhe më miqësor, nismëtarëve u sugjeroj që subjekti i ri politik që do të formohet këtu te ne prej tyre të mbajë emrin Lidhja për Ndryshime Demokratike - LND. Ky subjekt i ri politik le t’i bashkojë, le t’i zhvillojë dhe le t’i përparojë shqiptarët e RMV-së në të gjitha sferat e jetës së tyre shoqërore dhe politike. Na priftë e mbara!