Shuplaka që zgjoi urrejtjen: Shqipëria nën sulmin e vëllezërve të vet?

Opinione

Shuplaka që zgjoi urrejtjen: Shqipëria nën sulmin e vëllezërve të vet?

Nga: Prof. Dr. Xhevdet Zekaj Më: 14 prill 2025 Në ora: 21:55
Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

Historia e kombit shqiptar është, më së shumti, një histori e ndarjes dhe një ëndërr e bashkimit të pambaruar. Shqipëria dhe Kosova, dy shtete me të njëjtën gjuhë, kulturë, kombësi dhe ndjeshmëri, kanë kaluar përmes fazave të ndryshme: nga përqafimi i kohës së luftës, tek ftohja e pazakontë e kohës së paqes.

Në këtë tablo të ndërlikuar marrëdhëniesh, një episod i fundit – një shuplakë fizike në një emision televiziv – është shndërruar në simbolikën e një përçarjeje që po ushqehet me një shpejtësi të rrezikshme.

Kur Shqipëria hapi zemrën për Kosovën

Gjatë viteve të luftës, Shqipëria ishte strehë dhe mbështetje. Një popull i tërë ndau bukën dhe shtëpinë me mbi një milion shqiptarë të Kosovës që iknin nga dhuna. Shteti shqiptar, pavarësisht brishtësisë së tij, kontribuoi në strukturimin logjistik të rezistencës kosovare dhe më vonë, në përpjekjet për shtetformim e ndërkombëtarizim të çështjes së Kosovës.

Kjo histori solidariteti, që do të duhej të përmendej me nderim e falënderim në çdo tubim kombëtar, po zëvendësohet sot nga zëra përçarës, që e paraqesin Shqipërinë si të huaj, madje si armike.

Politika që luajti me zjarrin

Nuk mund të anashkalohen as gabimet e politikës shqiptare gjatë asaj kohe. Qëndrimet e luhatshme të Partisë Demokratike dhe përfshirja në kontrabandë nafte drejt Serbisë, janë njolla që kërkojnë ndriçim dhe përgjegjësi. Vrasjet veprimtarëve kombëtarë, si rasti i Ramiz Hoxhës, shtojnë dyshimet për ndikimin e shërbimeve të huaja – përfshirë UDB-në famëkeqe – në prapaskenat e tranzicionit shqiptar.

Por këto nuk mund të shërbejnë si pretekst për të mohuar ndihmën popullore e kombëtare të dhënë me sakrifica të mëdha.

Big Brother si pasqyrë përçarjeje

Ha një dackë  një  mistrec-Gjesti   ( hedh një gurë në lumë një budalla) dhe fillojnë pesë milionë shqiptarë të mbyten në urrejtje.., për të gjetur gurin…

Fatkeqësisht, një spektakël si Big Brother VIP është kthyer në arenë ndasish. Në vend që të krijojë ura kulturore mes shqiptarëve të të gjitha trojeve, ai ka amplifikuar përçarjen dhe urrejtjen. Me përzgjedhje të kujdesshme personazhesh dhe me retorikë të lejuar e madje të stimuluar, programi ka kontribuar në ndërtimin e një klime të helmuar mes të rinjve shqiptarë.

Në këtë spektakël, një shuplakë ndaj një provokatori sistematik është kthyer në alibi për të demonizuar një komb të tërë. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme.

Propaganda e re dhe infiltrimi i helmit të vjetër

Zërat që nxjerrin mllef ndaj Shqipërisë mund të mos jenë spontanë. Propaganda ka forma të reja sot. Ato mediat me financime të dyshimta, me linja editoriale të pozicionuara kundër bashkimit kombëtar, nuk janë të rastësishme. Ka një strategji të vjetër që kërkon të ndajë shqiptarët: përmes kulturës, përmes politikës dhe – sot – përmes televizionit.

UDB-ja nuk është më vetëm në dosje; ajo është në narrativat që përçojnë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, në opinionet që shndërrojnë Shqipërinë në turp, në frazat që e bëjnë Kosovën të duket e papërmirësueshme.

Shqipëria heshti, por jo sepse s’kishte ç’të thoshte

Shqipëria nuk është përgjigjur me të njëjtën monedhë. Nuk ka ngritur fushata kundër Kosovës. Nuk ka ndaluar mbështetjen ndërkombëtare. Nuk e ka kthyer shpinën kur Kosova kishte nevojë për zë.

Kjo nuk është dobësi. Është mençuri. Është kombësi. Është përgjegjësi.

Thirrje për bashkim shpirtëror

Kombi nuk është vetëm kufij. Është kujtesë, dhimbje, sakrificë dhe shpresë. Të gjitha këto i kemi të përbashkëta. Nuk na ndajnë fjalët e një individi në një reality show, por na përçan heshtja jonë përballë gjuhës së urrejtjes.

Është koha të ndalojmë këtë vetëshkatërrim. Mosni bre! 

Nëse duam Shqipëri të Madhe, le të fillojmë me një dashuri të madhe për njëri-tjetrin.

Rroftë Shqipëria e Madhe – së pari në zemra dhe mendje!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat