Legjitimitetin politik e meritojnë forcat politike që promovojnë dhe realizojnë ndryshimin, e kam fjalën për VLEN-in, e jo për BDI-në

Opinione

Legjitimitetin politik e meritojnë forcat politike që promovojnë dhe realizojnë ndryshimin, e kam fjalën për VLEN-in, e jo për BDI-në

Nga: Ejup Berisha Më: 24 prill 2025 Në ora: 13:34
Autori Ejup Berisha

Nuk duhet lejuar kthimi mbrapa. Popujt e ditur, të ngritur dhe përparimtar nuk duhet të ndalen dhe as të pengohen që të ecin përpara. Edhe popullit shqiptar që jeton këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet t’i lejohet të ecë përpara, e jo që i njëjti të pengohet apo të detyrohet të ecë mbrapa. Ecja përpara është më e mirë, më e pranueshme, më e pëlqyeshme dhe më e shëndetshme.

Këngëtari i njohur nga Kosova, Ilir Shaqiri, ka një këngë shumë të bukur patriotike, e cila fillon me vargjet: "Ecim para, vëlla". Dua ta citoj pak nga kjo këngë për të treguar se jo vetëm fillimi, por edhe mesi dhe fundi i saj janë shumë të bukur:
"Gjumë nuk ka, gjumë, ecim para, vëlla."
Pra, edhe unë, motra dhe vëllezër shqiptarë, ju ftoj që të ecim të gjithë së bashku përpara, e jo mbrapa.

Me këtë thirrje dua t’ju përkujtoj se mes status quo-së dhe ndryshimit, popujt e mençur zgjedhin ndryshimin. Mes të vjetrës dhe të resë, popujt e vetëdijshëm zgjedhin të renë dhe nuk kthehen kurrë mbrapa. Popujt e zotë dhe largpamës gjithmonë e preferojnë ndryshimin, e jo qëndrimin në vend, e aq më pak kthimin pas.

Ndryshimi është ecje përpara drejt horizonteve të reja të zhvillimit dhe përparimit, drejt të menduarit dhe reflektimit pozitiv, stabilitetit dhe shpresës për çdo popull, madje edhe për mbarë njerëzimin. Ne, si popull, kemi nevojë për ndryshim — një nevojë aq të domosdoshme saç është uji, ajri apo toka për jetën. Po kështu, kemi nevojë për ndryshim politik.

Popujve u duhet ecja përpara, dhe edhe ne shqiptarëve na duhet ecja në këtë drejtim, e jo qëndrimi në vend apo kthimi mbrapa. Kthimi pas duhet të na shërbejë vetëm për të parë se ku kemi qenë më parë, për të kuptuar se ku jemi tani, dhe për t’u motivuar që të ecim gjithmonë përpara, drejt shtigjeve të reja dhe të sigurta të rimëkëmbjes si popull.

Kur një popull ecën përpara, ai bëhet më i sigurt, më i vetëdijshëm, më me vetëbesim dhe më i lumtur. Ndryshimin e bëjnë popujt e guximshëm dhe trima. Në vend mbesin ose ecin pas vetëm popujt e pavendosur dhe frikacakë — ata që nuk shohin më larg se hunda e tyre.

Në politikë, populli shqiptar i RMV-së meriton të udhëhiqet nga më të mirët. Deri pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2024, ky popull nuk është udhëhequr nga më të mirët. Po, kjo që them është mëse e saktë dhe e vërtetë. Deri në ato zgjedhje, në pushtet ishin ata që nuk ia donin të mirën popullit shqiptar dhe nuk ia dinin vlerën atij.

Pas tyre erdhi VLEN-i me premtimin për ndryshimin e duhur dhe të domosdoshëm politik për shqiptarët e këtushëm. Ndryshimi, jo vetëm si fjalë, por edhe si lëvizje dhe aktivitet real e konkret, është një gjë shumë e mirë, shumë e bukur dhe tejet e domosdoshme. Shqiptarët e këtushëm duhet medoemos ta përkrahin, ta përqafojnë dhe ta ndihmojnë ndryshimin.

Subjekteve të reja në pushtet, të njohura si VLEN, populli duhet t’u japë përkrahjen e plotë dhe të merituar, ashtu siç ia ka dhënë për dekada me radhë përkrahjen Bashkimit Demokratik për Integrim. Por, në vend të falënderimit, ky i fundit i poshtëroi, i nënçmoi, i dëshpëroi dhe i lëndoi pjesëtarët e popullit shqiptar në RMV.

Ky subjekt politik, kohëve të fundit, po ia konteston legjitimitetin politik subjekteve shqiptare në pushtet, përkatësisht VLEN-it — gjë që nuk është as në rregull, as e drejtë. Legjitimitet të kontestueshëm për një kohë të gjatë ka pasur vetë BDI, por atëherë askush nuk guxonte t’ia thoshte këtë të vërtetë, për shkak të regjimit autoritar që kishte instaluar dhe mjeteve të dhunës që përdorte ndaj kundërshtarëve politikë.

Forcat politike që promovojnë dhe realizojnë ndryshimin janë gjithmonë legjitime — si në pushtet, ashtu edhe jashtë tij. Legjitimiteti nuk u takon forcave politike që mbrojnë status quo-në apo promovojnë kthimin pas, e aq më pak atyre që përdorin dhunë dhe detyrim, siç bëri për vite me radhë BDI.
Pra, legjitimitetin politik sot e meriton VLEN-i, e jo më BDI.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat