Përtej Narrativës dhe Kujtesës Kolektive: Një reflektim i pavarur mbi qeverisjen, kritikat dhe realitetin demokratik në Kosovë

Opinione

Përtej Narrativës dhe Kujtesës Kolektive: Një reflektim i pavarur mbi qeverisjen, kritikat dhe realitetin demokratik në Kosovë

Nga: Mirsad Voca Më: 14 maj 2025 Në ora: 14:09
Autori Mirsad Voca

Nuk i përkas asnjë partie politike. Qasja ime nuk buron nga pozicionime ideologjike, por nga përpjekja për të kuptuar më thellë realitetin e një shoqërie që shpesh e keqkupton veten dhe udhën e vet. Si qytetar, si studiues i politikës dhe si njeri që e ndjek me vëmendje rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë, ndjej detyrim të ngre disa pyetje dhe reflektime që shpesh mbesin nën sipërfaqen e debateve publike.

Është e pakuptueshme për një vëzhgues objektiv se si një qeveri, që ka ndërmarrë hapin më të guximshëm institucional që nga shpallja e pavarësisë, pra vendosjen e kontrollit të shtetit në pjesën veriore të vendit sulmohet kaq ashpër dhe vazhdimisht nga shumica e analistëve dhe mediave vendore. Më parë, ajo pjesë e vendit ka funksionuar jashtë juridiksionit të Kosovës, me struktura paralele, ekonomi informale dhe ndikim të drejtpërdrejtë serb. Kjo tashmë ka ndryshuar. Në çdo rrethanë normale, ky do të ishte përshëndetur si një arritje historike. Por jo në Kosovë. Pse?

Kosova, si shoqëri dhe si projekt shtetëror, ka vuajtur nga një kujtesë kolektive e mbrapshtë, e cila nuk është formuar mbi përvojën e vërtetë dhe aspiratat e përbashkëta, por mbi interesat e ngushta të grupeve të caktuara. Këto grupe, të afta të kapin institucionet, partitë, mediat dhe mekanizmat e përfaqësimit, kanë arritur që përmes narrativave të fabrikueshme të imponojnë një kujtesë të devijuar kolektive ku heronjtë janë shpesh keqbërësit, e kritikët e sistemit shpallen armiq. Dhe mbi këtë themel të brishtë ndërtohen bindje, polarizime, vota e madje edhe politikat publike.

Një nga shpjegimet qëndron pikërisht në këtë: shumëkush në vend nuk gjykon mbi bazën e rezultateve, por mbi bazën e marrëdhënieve. Dhe për një kryeministër që nuk ndërton marrëdhënie klienteliste, që nuk favorizon media, që nuk ndan poste në administratë për militantë dhe që nuk luan lojën e heshtjes politike, është shumë e lehtë të demonizohet. Sa më pak i kapshëm të jetë dikush, aq më shumë sulmohet.

Nëse analizojmë të kaluarën me sytë e sotëm, nuk është e vështirë të kujtojmë qeveri që janë përmbytur nga skandale: tenderë fiktivë, rrugë të tejfaturuara, lista veteranësh të fryra, shitje të aseteve publike në mënyrë të dyshimtë, kapje të plotë të bordeve dhe administratës shtetërore. E megjithatë, shumë prej këtyre qeverive janë sot zëra kritikë të zëshëm, pa asnjë ndjesë për të kaluarën që kanë lënë pas. Kjo nuk është vetëkritikë por kjo është harresë e qëllimshme.

Nëse vërtet duam të matim qeverisjen, duhet ta bëjmë me standarde. Indeksi i Transparency International e ka renditur Kosovën më mirë në luftën kundër korrupsionit në vitet e fundit. Raportet ndërkombëtare flasin për një përmirësim të dukshëm në administratën publike. Sot, Kosova gjendet në një realitet krejt tjetër politik, me më shumë demokraci, më shumë hapësirë për kritikë dhe shumë më pak frikë nga ndëshkimi politik. Ajo çfarë lejohet të thuhet sot publikisht, dikur nuk guxohej as të mendohej në prani të bosëve partiakë. Dhe megjithatë, kritikat janë bërë më të ashpra, më të shpeshta, më të orkestruara, dhe jo rrallë, të pambështetura në fakte.

Kjo paradoksalisht lidhet edhe me një tjetër aspekt të errët të realitetit tonë: narrativat që qarkullojnë sot nuk janë vetëm prodhim i mediave vendore, por në shumë raste burojnë edhe nga shërbime të huaja të cilat kanë investuar pa reshtur në dezinformim, me qëllime që shkojnë përtej interesave tona. Nuk duhet nënvlerësuar gjithashtu fakti se vetë disa prej këtyre statistikave ndërkombëtare për lirinë e shtypit janë të ndikuara nga raportimet e vetë mediave vendore, të cilat shpesh e përshkruajnë realitetin më shumë me ngjyrat e interesit sesa me ato të së vërtetës.

Ndoshta është koha të pyesim veten jo vetëm se kush flet më shumë, por pse flet në atë mënyrë. Ndoshta nuk jemi aq të zhgënjyer me qeverisjen, sa jemi të shqetësuar me faktin që dikush po e ndryshon rregullin e lojës.

Përtej narrativës së zhurmshme, mbetet pyetja thelbësore: A është më i keqi ai që po e vë në lëvizje shtetin, apo ata që e kanë mbajtur peng për vite të tëra në emër të stabilitetit? Historia, zakonisht, ka përgjigjen e vet, por për t’ia dëgjuar zërin, duhet më parë të pushojmë së bërtituri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat