A mund ta ringjallë Rusia ISIS-in kundër SHBA-së në Siri?

Opinione

A mund ta ringjallë Rusia ISIS-in kundër SHBA-së në Siri?

Nga: Agron Hoti Më: 19 maj 2025 Në ora: 20:13
Agron Hoti

Që nga vitet e 60-ta dhe 70-ta kur energjia (gazi dhe nafta) kishte filluar ta rrokulliste zhvillimin e botës, SHBA ka pasur dhe ka një mision: resurset energjetike të Lindjes së Mesme të mos bien me asnjë çmim nën kontrollin e BRSS-së dje, apo Rusisë sot.

Tashmë kur SHBA, Izraeli dhe Turqia e çliruan Sirinë nga Irani i mbështetur nga Rusia dhe pse jo edhe Kina, Rusia dhe Irani do të bëjnë të pamundurën për ta destabilizuar Sirinë. Çfarëdo gjendje kaotike në Siri do të përbëjë rrezik për SHBA, Izraelin dhe Turqinë dhe tërë Lindjen e Mesme.

Por, pse Rusia dhe Irani mund ta ringjallin ISIS-in dhe grupe të ngjashme terroriste? Janë dy arsye kryesore:

1) Arsyet gjeostrategjike - Rusia përmes Iranit synon t’i fusë nën kontroll vendet arabe për të pasur dalje të lirë në Oqeanin Indian si dhe për ta marrë, kështu, në kontroll Kanalin e Suezit përmes të cilit kalojnë rrugët kryesore të transportit detar nga Azia në Evropë dhe anasjelltas, prandaj Rusia dhe Irani po nxisin rebelët Houthi në Jemen që po sulmojnë anijet transportuese detare në Detin e Kuq.

2) Arsyet ekonomike - Rusia me Iranin duan që ta parandalojnë ndërtimin e tubacionit të gazit nga Katari nëpër Siri, Turqi drejt Evropës, sepse kjo do ta ulte varësinë e Evropës dhe Perëndimit nga energjia ruse dhe iraniane dhe kjo automatikisht do të thoshte më pak ekonomi dhe më pak mirëqenie për Rusinë dhe Iranin.

Pra, përderisa SHBA dhe Evropa synojnë që Turqia (përmes Sirisë) të bëhet vendi shpërndarës në Evropë i gazit të Lindjes së Mesme dhe Kaukazit, në anën tjetër Rusia dhe Irani do të bëjnë të pamundurën që këtë rol ta marrë përsipër Siria (e kontrolluar nga Irani) që ka dalje në Detin Mesdhe për të arritur, kështu, deri në Greqi e më pas në tërë Evropën.

Lufta në Siri 2011-2024 u bë pikërisht për shkak të ca “gypave”. Në vitin 2009 shteti i Katarit (që zë vendin e tretë në glob për rezerva të gazit) kishte propozuar ndërtimin e një tubacioni të gazit nga Katari që do të kalonte përmes Arabisë Saudite, Jordanisë, Sirisë deri në Turqi, nga ku pastaj do të shpërndahej nëpër Evropë. Përfituese nga ky projekt do të ishte edhe Shqipëria, ngase ky tubacion i gazit do të lidhej në Turqi me tubacionin e gazit që vjen nga Azerbajxhani nëpër Gjeorgji, Turqi, Greqi, Fier të Shqipërisë dhe del përmes Detit Adriatik në Itali (projekti i TAP-it). Projekti kushtonte 10 miliardë dollarë me gjatësi prej 1500 km. Tubacioni do të kalonte pikërisht nëpër Alepo si portë dalëse e Sirisë në Turqi, prandaj u bë luftë e tmerrshme në këtë qytet mes Rusisë dhe Perëndimit. Ky projekt kishte dhe ka mbështetjen e SHBA-së për ta ulur varësinë e Evropës nga gazi rus.

Si kundërpërgjigje ndaj projeksioneve të SHBA-së, vitin 2011 Rusia dhe Irani (pra për arsye gjeostrategjike dhe ekonomike) po synonin linjë tjetër gazi, pra që nisej nga Irani, nëpër Irak, Siri, Turqi e deri në Greqi. Qyteti i Homsit ishte dërmuar nga lufta në Siri, sepse ishte mu ky qytet i Sirisë që do të ishte porta dalëse e tubacionit të gazit nga Irani, Siria për në Detin Mesdhe drejt Turqisë dhe Greqisë. Memorandumi i parë i Mirëkuptimit qe nënshkruar në 2011 pak para se të fillonte lufta në Siri, ndërsa në 2012 (pas kishte shpërthyer lufta në Siri) ishin mbledhur ministrat e naftës së Iranit, Irakut dhe Sirisë për ta nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e tubacionit të gazit që do të quhej “tubacioni i miqësisë islamike”. Ky projekt kishte mbështetjen e Rusisë, ngase Rusia bashkë me Iranin po synonin ta rrisnin varësinë energjetike të Evropës nga Rusia në veri dhe Irani në jug, diçka që shkonte në kundërshtim të plotë me interesat e SHBA-së. Shqipëria ishte e përjashtuar nga ky projekt.

Dhe tash kur Siria u çlirua nga Irani u hapën mundësitë që të ringjallet projekti i gazit të Katarit që përmes vendeve arabe, përfshirë Sirinë, do të mund të dalë në Turqi drejt Evropës. E për ta parandaluar futjen e Sirisë nën kontrollin e SHBA-së, Izraelit dhe Turqisë, ka filluar tashmë në Siri të paraqitet prapë ISIS-i. Dhe Rusia e Irani do të bëjnë të pamundurën që ta nxisin sa më shumë ISIS-n dhe organizata tjera të ngjashme terroriste që të shkaktojnë kaos në Siri, në mënyrë që SHBA dhe Perëndimi të mos ia dalin të ndërtojnë aty (në Siri) stabilitet politik dhe ekonomik.

Mbetet të shihet nëse Rusia dhe Irani do të mund ta ringjallin ISIS-in në Siri dhe vende arabe përreth. Vizita e Kryetarit Trump në vende arabe kishte mu këtë qëllim që bota arabe të kthehej e tëra kah SHBA dhe Perëndimi, në mënyrë që Rusia dhe Irani të mos kenë asnjë mundësi ta destabilizojnë Sirinë dhe Lindjen e Mesme. A.H

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat