Një porosi vëllazërore për politikanët më të dështuar dhe më të pasuksesshëm shqiptarë, të cilët kanë qenë aktivë në skenën politike qendrore dhe lokale të vendit për më shumë se dy dekada:
Ju lutem, mos na shisni mend për politikë, kur për më shumë se njëzet vjet keni dështuar në aktivitetin që për një kohë të gjatë e keni ushtruar në institucionet qendrore dhe lokale. Është e padrejtë dhe absurde që ju t’i shisni mend popullit dhe të aktroni si ligjërues të politikës, kur në fakt as nuk e keni njohur dhe as nuk e njihni teorinë e mirëfilltë politike – e për praktikën, as të mos flasim. Ju keni vepruar jo sipas parimeve të politikës autentike, por sipas tekeve, dëshirave dhe interesave tuaja personale, me të cilat jeni paraqitur para qytetarëve.
Një porosi për qytetarët shqiptarë: Mend për politikë mund t’ju shesin vetëm ata politikanë shqiptarë që kanë punuar me përkushtim, në interes të vërtetë të popullit dhe për të mirën e përbashkët. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, askush tjetër nuk ka të drejtë morale ta bëjë këtë. E ju, që organizoni të ashtuquajtura shkolla politike, nuk keni bërë asgjë për t’i merituar ato – ndonëse keni qenë të obliguar dhe të paguar për këtë punë.
Prandaj, nuk keni as të drejtë morale, as njerëzore të mbani ligjërata në fushën e politikës, sepse rezultatet e angazhimit tuaj politik kanë qenë në çdo aspekt shumë të dobëta. Te ju, si në ideim, projektim, ashtu edhe në zbatim të politikave, gjithçka ka qenë e mangët dhe e dështuar. Kjo përfshin të gjitha aspektet – që nga performanca deri te cilësia e vendimmarrjes.
Për ta thënë qartë: një student mesatar i shkencave politike do të ishte më i përgatitur, më largpamës dhe më i suksesshëm se ju. Te ju ka munguar dhe vazhdon të mungojë analiza e thellë dhe objektive e tërë aktivitetit tuaj politik. Jeni jashtëzakonisht subjektivë dhe me një perceptim të shtrembëruar për veten. Ju mendoni se jeni të aftë, të zgjuar dhe të zotë, por realiteti është ndryshe – jeni në lajthitje të plotë. Siç thotë populli: po e mashtroni veten.
Të gjitha përpjekjet tuaja për të mbajtur ligjërata para të rinjve shqiptarë janë, në fakt, tentativa për manipulim dhe mashtrim. Më tragjikja është se po përpiqeni të mashtroni edhe disa të rinj dhe të reja të cilët ndjekin të ashtuquajturën “shkollë politike”. Me sinqeritet dhe përgjegjësi u them atyre: ju po humbni kot kohën tuaj të çmuar me këta njerëz.
Të nderuar të rinj dhe të reja, në vend që të merrni pjesë në shkollën politike të BDI-së, meruni me diçka më të mençur dhe më serioze – për shembull me leximin e librave të teoricienëve dhe shkrimtarëve të njohur ndërkombëtarë. Ata do t’ju mësojnë më saktë, më drejt dhe më me kompetencë për çfarë është politika dhe si duhet të zbatohet ajo në praktikë.
Po e përsëris: politikanët e dështuar nuk e dinë çfarë është politika e suksesshme, sepse tërë karrierën e tyre kanë zbatuar politika të dështuara.
Një porosi për “profesorin” e vetëshpallur apo ligjëruesin pa licencë të të ashtuquajturës shkollë politike të BDI-së – Bujar Osmanin:
Mos u merr me finta, trika apo intriga. Pas më shumë se 20 vjetësh dështimesh në politikë, nuk mund t’i ligjërosh askujt për politikën, e aq më pak për atë të suksesshmen. Bujar Osmani, po të drejtohem ty sepse ke mbajtur funksione të larta dhe të rëndësishme si në partinë amë, ashtu edhe në qeveri. Për rikujtim: ke qenë Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Por ajo që është më tragjike – ke mbështetur dhe zbatuar politika të dështuara.
Rri, Bujar, pusho dhe reflekto. Identifiko dobësitë e karrierës tënde politike të dështuar. Ne i dimë mirë, por ju shtireni sikur nuk i dini.