Qorrsokaku i krizës: A po futet Kosova në një situatë të rrezikshme?

Opinione

Qorrsokaku i krizës: A po futet Kosova në një situatë të rrezikshme?

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 25 maj 2025 Në ora: 19:41
Seanca 25 maj 2025

Kosova ka hyrë në një fazë alarmante të krizës institucionale. Për të mos mjaftuar kjo shenjat e para për të qenë alarmante po i jep edhe situata e sigurisë.

Sot, për herë të 21-të me radhë, dështoi përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i seancës të dielën nuk solli asnjë rezultat, derisa çështja ka ngecur tek formimi i komisionit për votim të fshehtë, procedurë kjo që po e kundërshtojnë subjektet politike që u radhitën pas Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ajo që do të duhej të ishte vetëm një çështje procedure apo “mosmarrëveshje” e tejkalueshme ndërmjet partive, është shndërruar në një krizë serioze që ka nisur ta paralizojë funksionimin e shtetit dhe po minon besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.

Në mes të ngërçit politik vendi ka nisur të përballet edhe me zhvillime që po cenojnë situatën e sigurisë.

Atje tensionet ndëretnike dhe provokimet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Vetëm dy ditë më parë, në Mitrovicën e Veriut ndodhi një incident gjatë një defilimi të maturantëve, i cili çoi në përplasje verbale dhe tensione në rrugë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi në një konferencë për media se një pjesëtar i Policisë së Kosovës ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës pasi pjesëmarrës të defilimit provokuan qytetarët lokalë me thirrje nacionaliste si "Kosova është zemra e Serbisë" dhe duke bërë simbolin e tre gishtërinjve.

Pavarësisht qëllimit të ndërhyrjes për të ruajtur qetësinë, polici u akuzua për përdorim të dhunës – një akuzë që u përhap nga disa media serbe dhe që, sipas Hoxhës, është e pavërtetë. Ai sqaroi se Policia e Kosovës ishte aty për të siguruar mbarëvajtjen paqësore të aktivitetit dhe për të shmangur ndonjë përplasje mes nxënësve dhe qytetarëve.

Ky incident është vetëm një nga shumë sinjale që vijnë nga terreni dhe që tregojnë se tensionet po rriten.

Nga ana tjetër, institucionet qendrore, të përqendruara në “lojëra politike e kalkulime” afatshkurtra, nuk po arrijnë të japin përgjigjen e nevojshme.

Kur Kuvendi nuk arrin të funksionojë për javë të tëra, kur ekzekutivi është i dobësuar dhe kur tensionet në veri po përshkallëzohen me shpejtësi, krijohet një vakum që vetëm e përkeqëson situatën. Në këtë vakum, lajmet e rreme, propaganda dhe incidentet e vogla mund të kenë pasoja të mëdha.

Shteti nuk mund të funksionojë vetëm si një strukturë në letër. Ai ka nevojë për institucione funksionale, për liderë që veprojnë me përgjegjësi dhe për koordinim të plotë në momente të ndjeshme. Ngërçi në Kuvend nuk është më një çështje e brendshme politike – është një çështje që kërcënon themelet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Vazhdimi i radhës i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të jetë të martën më 27 maj.

Tek qytetarët po thellohet dëshpërimi me këtë klasë politike. Madje, vërehet qartë se ka rënë edhe interesimi për t’i ndjekur këto vazhdime seancash pa asnjë rezultat.

Monotonë janë bërë edhe deputetët e zgjedhur që flasin para dhe pas fillimit të vazhdimit të seancave, duke akuzuar njëri tjetrin (partitë kundërshtare) e duke mos marr përgjegjësi për krizën që e kanë shkakturar.

Atyre mbase nuk iu bëhet vonë, por Kosova nuk e ka luksin të presë më. Është në dorën e udhëheqësve politikë që të lënë anash kalkulimet personale dhe të rikthejnë funksionalitetin e institucioneve, përpara se kriza të dal jashtë kontrollit.

Përplasjet në veri nuk presin, dhe as qytetarët që duan të jetojnë në paqe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat