Kosova nuk mund të mbetet peng i heshtjes politike shteti ka nevojë për veprim, jo për premtime

Opinione

Kosova nuk mund të mbetet peng i heshtjes politike shteti ka nevojë për veprim, jo për premtime

Nga: Albina Hyseni Më: 16 qershor 2025 Në ora: 18:02
Albina Hyseni

Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e fundit, dhe Kosova ende është pa një qeveri funksionale. Kemi hyrë në një periudhë ku qytetarët janë të lodhur, institucionet të bllokuara, dhe politika ka hyrë në një heshtje të rrezikshme që po zëvendëson përgjegjësinë me arrogancën.

Në një vend ku papunësia është e lartë, çmimet rriten çdo ditë dhe të rinjtë emigrojnë pa kthim, është e pajustifikueshme që përfaqësuesit tanë politikë të mos jenë në gjendje të formojnë institucione funksionale. Kjo nuk është më një krizë procedurale por kjo është një krizë e thellë e vullnetit politik dhe respektit ndaj qytetarit.

Demokracia nuk është fushatë e përhershme

Qytetarët kanë votuar për të parë rezultate, për të pasur një qeveri që punon për ta, jo për të qenë dëshmitarë të bllokimeve pa fund. Institucionet nuk janë skena politike për spektakël, por themelet e një shteti që duhet të funksionojë çdo ditë, pa përjashtim.

Ndërsa krerët e partive numërojnë mandate dhe luajnë me koalicione të pamundura, qytetari i zakonshëm jeton me ankth, pasiguri dhe zemërim. Asnjë prej tyre nuk ka luksin të vonojë funksionalizimin e shtetit  dhe aq më pak të heshtë përballë krizës.

Shteti nuk pret

Kemi humbur fonde të rëndësishme nga Bashkimi Evropian, vonuar projekte infrastrukturore dhe arsimore, ndërsa kriza institucionale ka ndikuar në çdo sektor nga drejtësia deri tek marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shteti nuk mund të jetë në pritje për shkak të heshtjes politike. As për shkak të kokëfortësisë mes partive që e kanë reduktuar fatin e Kosovës në një përballje numrash dhe interesash partiake.

Kujt i shërben kjo zvarritje?

Askush nuk mund të përfitojë realisht nga një vend pa qeveri. Përfiton vetëm apatia, zbrazja e vendit dhe rënia e besimit në demokraci. Humbësi më i madh është qytetari, ndërsa fitues mbeten vetëm ata që jetojnë brenda rehatisë institucionale, pa dhënë llogari.

Kërkesa është e qartë të formoni qeveri  ose hapni rrugë!

Është koha për një thirrje të qartë publike nëse nuk jeni në gjendje të ndërtoni qeveri, të garantoni stabilitet dhe të përfaqësoni qytetarin atëherë largohuni. Jepuni mundësinë dikujt tjetër. Zëri i popullit nuk është i dobët – ai thjesht është shpërfillur.

Asgjë nuk është më urgjente sot se kthimi i normalitetit institucional. Çdo vonesë është dëm ndaj vendit, ndaj të rinjve që kërkojnë shpresë, ndaj fëmijëve që presin arsim cilësor dhe ndaj qytetarëve që jetojnë në pasiguri sociale.

Kosova nuk ka nevojë për më shumë fjalë. Ka nevojë për vendime. Për përgjegjësi. Për veprim.

Nuk ka më kohë për të humbur.

Albina Hyseni

Administrat Publike

Mardhënje Ndërkombëtare

Studime Evropiane

Njohuri te gjera Psikologjike

Teknike Farmaceutike

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat